Haxhi Krasniqi flet për vëllanë e tij, Qëndrimin

0

 

I pyetur për pasardhësin e tij, Qëndrimin, boksieri kosovar Haxhi Krasniqi, e ka vlerësuar lartë talentin dhe përkushtimin e vëllaut të tij.

Ai në Arena Sportive në RTK, ka thënë se “Qëndrimi ka filluar mirë karrierën dhe ai ka një numër të madh të njerëzve profesionistë rreth tij. Qëndrimi është punëtor dhe me këtë vullnet ai do të arrijë shumë” – ka përfunduar Krasniqi.

Derisa prindërit e tij insistonin që Haxhiu ta mbyllte karrierën dhe të tërhiqej nga boksi, ai po ashtu ka komentuar me shaka deklaratën e nënës së tij.

“Nëna më thoshte ta lë boksin. Tash kur e ka parë edhe Qëndrimin që po shkon hapave të mi, ajo është pajtuar që unë të vazhdoj me kusht që Qëndrimin ta bind të tërhiqet” – tha Krasniqi.

Ai ende nuk e di nëse vëllai i tij do t’i përkushtohet plotësisht boksit profesionist, por thotë se i ka të gjitha kushtet për t’u marrë suksesshëm me këtë sport.

“Qëndrimi e ka më lehtë, është vetëm fillimi i tij. I ka zhvilluar katër ndeshje dhe i ka mundësitë: më ka mua, e ka trajnerin dhe e ka dashurinë e madhe për këtë sport. Por, ende nuk i kam dhënë presion sepse është një rrugë e gjatë. Tash kur po del në ring po i kuptoj më mirë prindërit se çfarë dhimbje kanë pasur për mua kur jam shfaqur në ring. Sidoqoftë, nëse Qëndrimi vendos me u marrë 100 përqind me boks, atëherë do ta ketë mbështetjen time dhe një ditë besoj se do të jetë kampion”, tha tutje Krasniqi.

PËRGJIGJU