Populli pa Atdhe!?

0

 

Silvana Begaj

Kujt do t’ia këndoj trishtimin tim? Dëgjon njeri? Dëgjon ti? Ty të rriten taksat, dhe ti hesht! Ngrihen njerëz dhe reagojnë për padrejtësi çdo ditë të përsëritura, dhe ti prapë hesht. Ti u varfërove dhe ti prapë hesht. Ndoshta kurrë s’ke qenë i pasur, por tani paguan dhe taksën e varfërisë dhe vulën e humbjes së shpresës dhe prapë hesht.

Ti po braktis fëmijët në shtëpinë e fëmijës se nuk ke bukë në sofër, dhe hesht. Ti nuk ke shërbim shëndetësor e askush nuk të vë re se nuk ke para, ama ti prapë hesht se nuk të dhimbset kjo botë e as bota për ty. Ti troket në dyer të atyre që paguhen me taksat e tua, por përveç shpërfilljes nuk merr gjë tjetër dhe prapë hesht. Ti as ke pasur ndonjëherë liri dhe as ke, por hesht. Pranon padrejtësinë dhe mbyll gojën në heshtje. Ti po detyrohesh të gjesh shpresë jashtë Atdheut tënd dhe prapë hesht.

Sa do doja të shkruaja një roman për Silvanat që nuk kanë Atdhe! Kujt do t’ia këndoj trishtimin tim në heshtje? T’ia këndoj këtij vendi me shumë parti dhe pa shtet? T’i them që ky popull hesht për gjëra që duhet ulëritur? Ti them qe ky popull nuk ka Atdhe? Ama nëse këtij populli i vë maskën, ai rebelohet. Rebelohet ndaj shtetit dhe dëmton shëndetin e tij dhe të tjerëve. Është i gatshëm të vdesë dhe maskën mos ta vendos. Se maska ka vulën e partisë në pushtet. Nuk e tha partia e zemrës. Por, ky nuk është populli im. Unë e di kujt do t’ia këndoj trishtimin tim në ulërije.

Unë do t’ia këndoj atij që është sot në nevojë nga mungesa e së drejtës, atij që kujdeset për shëndetin e tij dhe të familjes së tij, atij që flet në emër të së drejtës dhe jo në emër të partisë. Do t’i flas atij që e di që të jesh partiak nuk ke nevojë për maskë të mbyllësh gojën se e ke të mbyllur. Të rebelohesh ndaj një mase që ka në dorë jetën tënde është si të tallesh me veten tendë sepse Ti, ti mor ti, nuk ke folur e nuk po flet për padrejtësitë që po të bëhen këto 30 vite. Hap sy e vesh dhe shiko.

Partitë hapen për të të vënë atë maskën e padukshme, shumë më të rrezikshme se maska që shikojmë. Kjo e padukshmja të mbyll sy, vesh dhe gojë. Do kënaqesh me përsëritjen e teatrit me të njëjtat kukulla në sallën bosh të trishtimit. Unë jam me ty që ngre zërin se të shkelet e drejta, por s’do jem kurrë me ty se ngre zërin për protagonizëm. Për mbyllje : Ide e mirë është maska, por s’bëhet. E the ti! Do ishte ndryshe po ta kisha thënë unë.

PËRGJIGJU