Gjykata Speciale e ka biletën e parapaguar për dështim

0

 

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se Gjykata Speciale e ka biletën e parapaguar për dështim pasi nuk gjetur prova për akuzën kryesore nga raporti i Dick Martit për “trafikim organesh”.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se paraqitja dhe qëndrimi i katër të akuzuarve të parë para Dhomave të Specializuara ka qenë dinjitoze dhe me respekt për gjykatën.

Maliqi ka vlerësuar se Serbia nacionaliste, e cila vazhdimisht ka shtrembëruar dhe falsifikuar historinë e marrëdhënieve me shqiptarët, nuk do të mund ta kriminalizojë luftën e UÇK-së

“Epoka e re”: Z. Maliqi, këtë javë kemi parë paraqitjen e parë para Dhomave të Specializuara të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët kanë qenë ndër themeluesit e UÇK-së. Cili është komenti juaj për paraqitjen e tyre?

Maliqi: Gjykata Speciale ka filluar seancat hyrëse dhe procedurale të një procesi që do të zgjasë me muaj, ndoshta edhe vite, varësisht nga numri i rasteve të krimeve që do të shqyrtohen, e aktakuza e prokurorisë përmend se janë njëqind e ca. Më sa mund të vlerësoj nga përmbledhja e aktakuzës që është publikuar me pjesët e provave që tani për tani janë të hequra, të censuruara, procesi është ende në kornizat e raportit të Dick Martit i cili i ka bërë mu këto akuza për, siç e quan ai, Grupin e Drenicës në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, për të cilat thoshte se i ka provat pa i zbardhur ato. Prokuroria e Gjykatës Speciale i ka bërë hetimet tash e sa vite për autorët, rrethanat dhe motivet e këtyre krimeve të luftës, por nëse kihet parasysh se një pjesë e këtyre rasteve janë hetuar dhe gjykuar edhe më herët nga gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it në shumë raste pa sukses për shkak të mungesës së provave, mendoj se edhe në këtë gjykatë nuk do të ketë zbardhje spektakulare. Përkundrazi, pasi që është vërtetuar se nuk është gjetur asnjë provë për akuzën kryesore nga raporti i Dick Martit mbi “krimin makabër të trafikimit të organeve”, që i mvishej Grupit të Drenicës, besoj se Gjykata Speciale e ka biletën e parapaguar për dështim. Kjo çështje u hap edhe në fjalën hyrëse të mbrojtësit të ish-presidentit Hashim Thaçi. Edhe vetë të akuzuarit në deklaratat e tyre mbi fajësinë eventuale kanë qenë kategorikë se nuk janë përgjegjës për asnjërin prej krimeve që figurojnë në aktakuzë. Paraqitja dhe qëndrimi i katër të akuzuarve  të parë ka qenë dinjitoze dhe me respekt për gjykatën, ndonëse jo edhe për aktakuzën e përpiluar me një optikë dhe shtrembërime të karakterit të luftës së UÇK-së që vjen nga “hetimet”, konstruktet dhe propaganda serbe dhe ruse, prej nga edhe i ka marrë si të mirëqena senatori famëkeq zviceran Dick Marti.

“Epoka e re”: Çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës për t’u dalë në ndihmë këtyre njerëzve?

Maliqi: Sa kam kuptuar, Qeveria e Kosovës është zotuar se do të ofrojë ndihmë materiale dhe juridike për të akuzuarit, dhe kjo është në rregull dhe duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe, çfarë është me rëndësi, profesionale për gjetjen e provave që do të ndihmojnë mbrojtjen e të akuzuarave. Nuk do të duhej të bënim kundërpropagandë të thjeshtë, por dekonstruktim faktografik të propagandës dhe sajesave paragjykuese serbe që luftën çlirimtare të UÇK-së e paraqesin si terrorizëm dhe luftë të motivuar me qëllime fetare. Për gjykatën, por edhe opinionin botëror, ne nuk kemi bërë në rikujtimin e krimeve të planifikuara dhe masive të Serbisë dhe këto në dy aspekte, ato të faktuara me rreth 50 masakrat të popullsisë civile ku shumica dërrmuese e tyre nuk janë hetuar dhe gjykuar, edhe nëse urdhëruesit dhe ekzekutorët nuk kanë marrë dënime meritore, por simbolike, në mos dhe janë liruar nga përgjegjësia. Nuk kemi ditur të mbajmë gjallë dhe vazhdimisht kërkojmë dënimin e përgjegjësve të zhvarrosjes të mijëra civilëve të vrarë në Kosovë që janë bartur në varrezat masive në Serbi. Prej tyre janë hapur vetëm disa, më e madhe në Batajnicë, në poligonin e ushtrimit të forcave policore serbe, si një shembull më eklakant i përpjekjeve që të zhduken dëshmitë sipas logjikës së mbrapshtë dhe kriminele: “Nëse nuk ka kufoma, nuk ka krim e as përgjegjësi” Së fundi vetë qarqet kundër regjimit në Serbi kanë zbuluar se menjëherë pas përfundimit të luftës kabineti i kryeministrit Gjingjiq ka qenë i informuar për Batajnicën dhe listën me gjithsejtë 16 varreza masive gjithandej Serbisë ku janë fshehur kufomat e viktimave civile shqiptare! Kjo është një temë makabre e krimit të dyfishtë të organizuar nga vetë shteti, së pari ekzekutimet masive, pastaj edhe fshehja e gjurmëve të tyre. Para një muaji Ivica Daçiq iu patë vërsulur me kërcënime denoncuesve serbë të fshehjes së varrezave masive dhe qeveria jonë do të bënte punë të madhe nëse do të bënte një promemorie ose padi ndaj Daçiqit dhe përgjegjësve të tjerë për krimet masive të luftës që kanë bërë forcat serbe e që kanë mbetur të pahetuara dhe të pandëshkuara. Në sfondin e kriminalizimit të luftës çlirimtare, zbardhja e këtyre krimeve do të riaktualizonte një kontekst tashmë të zbehur të motiveve pse ka qenë e pashmangshme kryengritja e UÇK-së dhe mobilizimi i tërë shoqërisë së Kosovës kundër regjimit serb dhe çlirimit të Kosovës.

“Epoka e re”: Aktakuzën ndaj tyre shumëkush e ka cilësuar si tendencë për ta kriminalizuar luftën e UÇK-së. A po tentohet ndryshimi i historisë përmes kësaj gjykate?

Maliqi: Serbia nacionaliste dhe hegjemoniste vazhdimisht ka shtrembëruar dhe falsifikuar historinë e marrëdhënieve me shqiptarët. Por, nuk besoj se mund të ketë sukses kriminalizimi i luftës së UÇK-së pos, ndoshta, rastet e vrasjeve dhe krimeve të tjera që i liston aktakuza e që deri më sot kanë mbetur të pasqaruara ose me pretendime se janë bërë me motive të liga dhe kriminele. Siç dimë, shumica prej tyre janë hetuar dhe gjykuar edhe më herët dhe ka pasur edhe ndëshkime të atyre që janë përgjegjës, por nuk kanë pasur sukses as Tribunali i Hagës e as gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it, që ta dëshmojnë përgjegjësinë komanduese të kreut të UÇK-së, siç po pretendohet me këtë gjykim të sapofilluar. Më duket se aktakuza aktuale, pas dështimit që të sigurohen provat për tregti të organeve, e as dëshmitë e dokumentuara të planeve të UÇK-së për shfarosje të serbëve dhe pakicave joshqiptare në Kosovë, do të përqendrohet kryesisht në një dosje me kumtesa të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që janë publikuar gjatë luftës, ku Shtabi merrte përgjegjësinë për atentatet kundër zyrtarëve serbë si dhe likuidimet e shqiptarëve që dyshoheshin se i shërbenin regjimit serb si kolaboracionist. Mund të ketë edhe zbulime të tjera rreth rasteve që konsiderohen të dënueshme si krime lufte, por nuk besoj se mund të krijojnë platformë të arsyeshme për përgjegjësi komanduese të Shtabit, sepse lufta e UÇK-së ka qenë guerile dhe mjaft disperzive.

“Epoka e re”: Cilat janë pasojat që mund t’i sjellë kjo gjykatë për shtetin e Kosovës?

Maliqi: Shteti i Kosovës, edhe nëse eventualisht ndëshkohen të akuzuarit, nuk mund të ketë pasoja radikale, siç frikësohen disa, sepse shteti nuk mund të zhbëhet dhe të kthehet në gjendjen e para 20 vjetëve.

 “Epoka e re”: Në aspektin e brendshëm kemi parë se kjo gjykatë ka lënë Kosovën pa president dhe ka sjellë një përplasje të partnerëve të koalicionit qeverisës. Si duhet të sillen partitë politike në raport me këtë sfidë?

Maliqi: Në kohën e pandemisë partitë politike po sillen në mënyrë krejtësisht të gabuar dhe pa koordinim substancial që diktohet nga interesi vital i mbrojtjes së shëndetit kombëtar dhe ekonomisë së shtetit dhe kështu po vazhdojnë edhe në raport me gjykimin në Hagë. Mirëpo, besoj se situata do t’i kthjellë shpejt, sepse nuk ka më hapësirë manovruese për konfrontimet që në plan të parë nxjerrin interesat e partive, të grupeve dhe të liderëve të caktuar, e jo ato të përgjithshme.

“Epoka e re”: Tejkalimin e kësaj gjendje, e shihni me zgjerim të koalicionit qeverisës, i cili do të mund ta zgjidhte presidentin e ri, apo me zgjedhje të reja?

Maliqi: Mendoj je zgjidhjet janë të pashmangshme, por jo menjëherë dhe jo as në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe duhet një lloj stabilizimi i brendshëm i raporteve. Koalicioni më i gjerë qeverisës do të mund të kontribuonte në këndellje, por me premtim që të mbahen zgjedhjet e reja pasi që të krijohen kushtet më të volitshme. Po kështu, një qeveri më e gjerë na duhet edhe për shkak të dialogut, të cilin nuk duhet ta lëshojmë me fajin tonë ose duke çuar inate. Kjo për arsye se ende ka një fije arsye të besohet se edhe BE-ja dëshiron që të mbyllë dialogun me sukses dhe njohje të ndërsjellë. Duhet të jemi të kujdesshëm në kërkesat për ndërprerjen e dialogut, të paktën derisa nuk kemi një qeveri të re funksionale në ShBA.

Muhamet KOCI

PËRGJIGJU