Presidenti të zgjidhet nga vota e qytetarëve, jo përmes Kuvendit

0

 

Fatmir Salihu

Në kohën e 1001 problemeve nëpër të cilat po kalon vendi, duket se shumë shpejt do të përballemi edhe me problemin e zgjedhjes së presidentit. Dhe, kjo si pasojë e dorëheqjes së ish-presidentit, z. Hashim Thaçi, dhe shkuarjes së tij para Gjykatës Speciale në Hagë.

Deri tani janë tre-katër emra që përflitet se pretendojnë kapjen e postit për të parin e republikës. Ndër ta më i zëshmi deri tash ka qenë z. Ramush Haradinaj. Në krye të herës them që pretendimi i tij për tu zgjedhur president është më se legjitim. Unë personalisht nuk e kam asnjë problem me z. Haradinaj si president i vendit. Por, përveç matematikës që është në disfavor të tij (thjeshte nuk i ka numrat e duhur), ai e ka edhe një problem tjetër potencial, dhe që mund të jetë i dhimbshëm për të gjithë ne.

Tani më është e ditur se Gjykata Speciale ka filluar gjuetinë e saj ndaj luftës çlirimtare dhe krejtësisht të drejtë të UÇK-së dhe gjithë popullit shqiptar. Mbase është hera e parë në historinë e njerëzimit që më rëndë dënohet viktima sesa agresori. Sa e pakuptimtë kjo! Më e keqja është që askush nuk e di se deri ku do të shkojë kjo gjykatë?

Haradinaj njëherë ka dhënë dorëheqje nga Qeveria e Kosovës për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale. Dhe, është intervistuar. Për momentin nuk kemi asnjë të dhënë se çfarë ka në dispozicion kjo gjykatë kundër z. Haradinaj. Por, rreziku që do të ftohet ekziston. Unë uroj nga zemra që kjo të mos ndodh kurrë!

Duke ditur krejt situatën e paraqitur më lartë, atëherë paramendoni një situatë hipotetike ku:

  1. Z. Haradinaj zgjidhet kryetar
  2. Z. Haradinaj ftohet nga Specialja si i dyshuar.

Kjo do të ishte situata më e pavolitshme e mundur dhe do të kishte pasoja të pariparueshme për vendin, një autogol vërtet sui generis. Në këtë mënyrë ne do të bëheshim vendi i vetëm në glob që do t’i kishim dy ish-kryetarë vendi të dyshuar për “krime lufte”. Zot mos e bëj!

Mundësia për një skenar të tillë ekziston dhe ne nuk kemi nevojë në asnjë mënyrë të rrezikojmë. Për këtë arsye, insistimi i z. Haradinaj për t’u zgjedhur president është i paarsyeshëm, përjashto rastin nëse ai ka informata të konfirmuara se nuk do t’i vij ftesa nga Specialja, çka unë seriozisht dyshoj.

Një pyetje logjike dhe shumë normale: pse z. Haradinaj nuk mund të pret deri në mandarin tjetër dhe tek atëherë të synojë Presidencën. Supozimet janë që deri në mbarimin e mandatit të presidentit të ardhshëm, gjërat edhe do të sqarohen dhe mbase edhe situata do të stabilizohej.

Kriza potenciale e zgjidhjes se presidentit nuk është e re dhe nuk do të jetë e fundit. Kriza të tilla ka pasur dhe do të ketë edhe në të ardhmen. Dhe, është e dhimbshme pse ne duhet të përjetojmë kriza të tilla kur zgjidhja është e lehtë, shumë e lehtë bile. Krejt çka nevojitet është vullneti politik i deputetëve të Kosovës dhe hiq më shumë. Ata duhet të votojnë për ndryshimin e formulës për zgjidhjen e presidentit ku në vend se ai të zgjidhet nga Kuvendi, të zgjidhet nga populli me votim të drejtpërdrejt. Kaq. Nëse ka më shumë dashni për këtë vend dhe më pak interesa të ngushta, votimi i drejtpërdrejt edhe mund të realizohet.

Politika jone duhet të kuptojë se Kosova është në gjendjen më të keqe prej pasluftës. Kjo politikë duhet të kuptojë se skena politike globale po ndryshon dhe nuk është më në favorin tonë. Ajo gjithashtu duhet të kuptojë se tani e tutje Kosova do të mbetet në margjinat e skenës botërore dhe pakkush do të merret me ne. Për këtë arsye problemet duhet zgjidhur vetë, dhe jo me emocione por me racionalitet.

Pse jemi këtu askush nuk na ka fajin.

PËRGJIGJU