Mbi 80 mijë qytetarë humbën vendet e punës si pasojë e pandemisë

0

 

Mbi 80 mijë qytetarë kanë humbur vendin e punës që nga muaji mars kur edhe filloi pandemia COVID-19.

Si pasojë e situatës së krijuar nga ky virus, e që dukshëm dihet se nuk preku vetëm shëndetësinë, por edhe ekonominë e secilit vend, shumë kosovarë mbetën pa punë dhe mirëqenie ekonomike.

Në një përgjigje dhënë për Lajmi.net, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi deklaroi se numri i atyre që humbën vendin e punës deri në këtë muaj është rreth 80 mijë qytetarë, por që deri në fund të vitit kjo shifër pritet të arrijë në 100 mijë.

“Tani kemi rreth 80 mijë qytetarë deri në fund të vitit kalon shifrën 100000”, tha shkurt ai kur u pyet për numrin e qytetarëve që humbën vendet e tyre të punës si pasojë e pandemisë.

Kohë më parë në një konferencë për media nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës u tha se të dhënat që posedojnë janë të sakta dhe se janë dhënë nga punëtorët e përgjithshëm, disa prej të cilëve nuk patën as kontrata pune.

Sipas të njëjtëve është një pjesë dërmuese e qytetarëve të Kosovës të cilët punuan pa kontrata, e që të njëjtit humbën punën si pasojë e COVID-19.

Nga përhapja e madhe e virusit COVID-19, vendi po përballet me një situatë aspak të lehtë ekonomike.

Përpos kësaj, në Kuvendin e Kosovës nuk u arrit ende që të votohet Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike. Pavarësisht disa tentimeve që u bënë, ky ligj dështoi të votohet dhe të funksionalizohet.

Mospajtimet që kanë partitë politike ndërmjet vete, nuk lejoi që ky ligj të votohet dhe të ndërmerren masat e nevojshme që sado pak t’u dilet në ndihmë qytetarëve.

Se ky ligj duhet të votohet për t’u ringjallur ekonomia e vendit pas dëmeve nga pandemia COVID-19, e patën deklaruar edhe ambasadorët e huaj, e poashtu edhe ekspertë të shumtë të ekonomisë.

Nga organizatat e huaja të shëndetit është theksuar se virusi COVID-19 ka mundësi të jetë i pranishëm në secilin shtet edhe për një periudhë mjaftë të gjatë, kështu duke e rritur rrezikun edhe më tepër të një kolapsi të gjerë ekonomik.

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti deklaroi se përkundër situatës sfiduese me të cilën po përballemi si pasojë e COVDI-19, Qeveria ka siguruar funksionimin e shumicës së bizneseve.

Ai kërkoi nga anëtarët e Këshillit Kombëtarë për Ekonomi dhe Biznese të dakordohen për pakon e re për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021, në shumë prej 182 milionë euro.

PËRGJIGJU