Bizneset kundërshtojnë 5 për qindëshin për deponimin e parave të metalit

0

 

Kamata prej 5 për qind është një problem që përballen bizneset të cilat kanë punë me para metalike, për kthimin e tyre në kartëmonedha në bankat komerciale.

Për 1000 euro  bizneset po pësojnë humbje 50. Me këtë ballafaqohen më së shumti furrat e bukës dhe marketet, të cilat më së shumti posedojnë para metalike që rrjedhin nga shitja e produkteve të tyre

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) në vazhdimësi ka pranuar ankesa nga bizneset të cilat në baza ditore po ballafqohen me problemin e parave të imëta.

“Bizneset të cilat kanë punë me para metalike, për kthimin e tyre në kartëmonedha duhet të paguajnë një kamatë prej 5% deri në 8% në bankat komerciale. Me këtë problem ballafaqohen më së shumti furrat e bukës dhe marketet, të cilat posedojnë gjatë gjithë kohës para metalike që rrjedhin nga shitja e produkteve të tyre”, ka bërë të ditur për lajmi.net Oda e Afarizmit të Kosovës.

Një problematikë të tillë OAK tash e disa herë e ka adresuar në institucionet relevante si dhe ka realizuar disa takime me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), mirëpo,  për të njëjtën çështje nuk është bërë zgjidhje deri më sot.

“Ne si OAK rikërkojmë që të largohet kamata prej 5% deri në 8% për kthimin e parave të imëta prej bankave komerciale e vendosur nga Banka Qendrore  e Kosovës (BQK). Bukëpjekësit, marketet dhe bizneset e tjera që përdorin me shumicë para të imëta janë të detyruar që për kthimin e parave të imëta në para të letrës të paguajnë  këtë kamtë . Ky provizion ndikon jashtëzakonisht keq në fitimin e bizneseve dhe është shumë kushtues për këto të fundit”, konsideron OAK.

Kushtrim Ahmeti Zëdhënës i BQK-së tha për lajmi.net se tarifat e aplikuara nga bankat komerciale ndaj klientëve me rastin e deponimit të monedhave metalike në shumicën e rasteve për deponimin e 50 deri 100 copëve janë 0% apo falas, gjithnjë duke u bazuar në çmimoret aktuale të publikuara në ueb faqet e tyre respektive.

Megjithëkëtë, ai e ka arsyetuar këtë tarifë më koston e lartë të menaxhimit të tyre.

“Përkundër faktit se transaksionet me monedha metalike kanë një kosto të lartë të menaxhimit ku përfshihet procesimi, paketimi, ruajtja, sigurimi, transporti ndërkombëtar etj., tarifat që aplikon BQK-ja ndaj bankave komerciale sa i përket deponimit dhe tërheqjes së monedhave metalike kanë për stimulimin e qarkullimit në treg të monedhave metalike dhe atë në dy drejtime: a) Aplikimi i tarifës për tërheqje të monedhave metalike në shkallë prej 0% apo falas, për të stimuluar mbajtjen e monedhave metalike në qarkullim dhe b) Aplikimi i tarifës për depozitimin e monedhave metalike në shkallë prej 5% për të destimuluar deponimin e tyre në sistemin bankar dhe qarkullimin e tyre në treg”, tha Ahmeti.

Thonë se objektivi i BQK-s në raport me transaksionet me monedha metalike nuk është fitimi, por stimulimin dhe furnizimin me sasi të mjaftueshme të ekonomisë me monedha metalike euro.

“ Përmes politikave të saj BQK-ja mbulon vazhdimisht koston e shpenzimeve të furnizimit të ekonomisë me monedha metalike, duke aplikuar normë prej 0% apo falas ndaj kërkesave të bankave komerciale. Për më shumë, në suaza mujore dhe vjetore BQK-ja mbulon një kosto të konsiderueshme të shpenzimeve dhe si rrjedhojë, në tërësi, në 5 vitet e fundit, por edhe në vitet e mëhershme përmes operacioneve me monedha, BQK-ja nuk ka realizuar të hyra, përkundrazi, BQK-ja ka mbuluar kosto të konsiderueshme të shpenzimeve me qëllim të sigurimit të qarkullimit të monedhave në ekonomi”, tha Ahmeti.

Bankat për pjesën më të madhe të nevojave të tyre e shfrytëzojnë Bankën Qendrore të Kosovës për të bërë deponimin apo tërheqjen e monedhave varësisht nevojave, shërbim ky i cili ofrohet nga ky institucion. Disa nga bankat, për një numër te caktuar/kufizuar, nuk i trafikojnë klientët e tyre për deponim te monedhave, megjithatë tarifimi behet individualisht nga secila banke. /Lajmi.net

PËRGJIGJU