Ademi: Kosova me përforcime të reja, kemi mundësi për të qenë në Botëror

0

 

Në vitin që sapo kemi hyrë do kemi prurje të reja qysh në grumbullimin e radhës, ndërsa nëse jemi komplet kemi mundësi të kualifikohemi në Kampionatin Botëror.

 

Kështu u shpreh presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi në një intervistë ekskluzive për lajmi.net.

I pari i FFK-së e cilëson këtë vit shumë të vështirë, por beson se arritën ta fitojnë ‘luftën’ me pandeminë, sepse garat në të gjitha kategoritë përfunduan në kohë.

“Viti 2020, një vit shumë i vështirë për futbollin dhe krejt popullin, nëse flasim për futbollin, vit për të cilin kemi pasur ëndrra për t’u kualifikuar sepse kemi qenë afër për të shkuar në Evropë, por e humbëm këtë betejë, por viti 2020 për kundër vështirësitë dhe pandemitë, mendoj që e kemi fituar luftën me pandeminë për faktin që kemi arrit të përfundojmë garat në të gjitha kategoritë dhe ka qenë jashtëzakonisht e vështirë”.

Ademi pranoi se ka pritur rezultate më të mira, por mungesat e lojtarëve shkaktuan që të mos arrinim kualifikimin në Evropian ose fitoren ndaj Greqisë.

“Po normalisht kam pritur rezultate më të mira, por kanë dal shumë faktorë që të mos kemi këto rezultate sepse nëse i referohemi analizave ne na kanë parë si kualifikues në raport me ekipin e Maqedonisë dhe Gjeorgjisë, por problemet që na ndodhen sepse kemi qenë pa gjashtë lojtarë standardë, pastaj na ka ardh rasti për Ligën e Kombeve për shembull në Greqi kemi luajtur pa 10 lojtarë standardë. Me gëzon fakti që ata që kanë qenë rezervistë thuajse janë të barabartë me ekipin e parë dhe kjo është pasuri e Federatës”.

Presidenti e cilëson këtë grup shumë të vështirë, por konfirmoi se Kosova assesi nuk do zhvillojë as edhe një ndeshje pa flamur dhe himnin tonë, derisa “Dardanët” janë të gatshëm të luajnë në Spanjë dhe në çdo vend që kërkohet.

“Jemi në grup për kualifikime botërore jashtëzakonisht të vështirë duke pas Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë, nuk është grup i lehtë. Spanja, Greqia dhe Gjeorgjia besoj që do ta kemi rastin të luajmë edhe në Spanjë, pasi që me Gjeorgjinë do kishim mundësi nëse do kalonim Maqedoninë. Me Greqinë kemi luajtur në Ligën e Kombeve dhe tani Spanja dhe UEFA e kanë të qartë se jemi të gatshëm të luajmë në Spanjë, por ne luajmë gjithkund me flamur dhe himnin tonë sepse jemi të barabartë në Federatën e UEFAs-s, për të gjitha shtetet Kosova është shtet dhe nëse nuk mund ta përballojnë, atëherë e vetmja variant është të luajmë dikund jashtë në një vend neutral, por prapë do këndohet himni dhe flamuri do jetë i Kosovës”.

I pyetur për prurjet e reja, Ademi bëri të ditur se qysh në grumbullimin e radhës do këtë prurje të reja.

“Besoj që do të këtë dhe mendoj që qysh nga grumbullimi i ardhshëm do të kemi ndonjë bashkëngjitje, prurje të reja, jemi në bisedime dhe ende nuk e kemi fjalën përfundimtare apo nënshkrimin siç e quajmë ne, por gjithsesi interesim ka për futbollistë që janë të nivelit reprezentativ sepse Kosova ka krijuar standardë dhe pavarësisht që mund të jetë futbollistë i mirë, ka ndonjë që tani nuk mund të konkurrojë në konkurrencën e tashme. Është nder dhe krenari për çdo futbollist që kanë mundësi të përzgjidhen në numrin e 24 të grumbulluesve”.

Tutje, Ademi konfirmoi takimin me menaxherin dhe prindërit e Orges Bunjakut dhe se vendimi përfundimtar i takon lojtarit, që do të vendos në muajt e ardhshëm.

“Me Orges Bunjakun jemi në kontakt të vazhdueshëm, me menaxherin dhe prindërit e tij, është fakt që jemi takuar dhe kemi biseduar, por ende s’ka përfunduar asgjë. Ne i kemi ofruar shanse atij dhe shumë të tjerëve, presim që ata tani të vendosin në muajt e ardhshëm”.

Kurse, Ademi gjithashtu njoftoi se rezultatet i mbajnë ‘gjallë’ përzgjedhësit dhe se do këtë ndryshime në Kombëtaren U21 dhe ndoshta edhe te A-ja.

“Sigurisht, do këtë lëvizje dhe ndryshime gjithmonë për të mirë sepse tashmë kërkohet rezultat dhe unë jam udhëtar i fitoreve. Kemi krijuar mentalitetin e fituesit. Rezultatet të mbajnë në secilin post dhe secilin vend, kështu që me këtë parim do vazhdojmë edhe me trajnerët tonë dhe grupet tona, të gjitha që nga U21 e ndoshta edhe te A-ja do këtë lëvizje, por nga kategoritë do kërkojmë rezultat”.

Kryetari u shpreh optimist për kualifikimet për botërorin 2022 dhe sipas tij kjo mund të arrihet nëse nuk do të kemi mungesa.

“Është vështirë të përcaktohet sepse nuk ka ekip të lehtë, kjo u dëshmua sepse atëherë kur ishim favorit dështonim ose kur favoriti e humb ndeshjen. Optimist jam gjithmonë dhe nëse jemi komplet atëherë mendoj se do jemi në botëror”.

I pyetur për VAR-in, ai deklaroi se trajnimi ka nisur dhe në edicionin e ardhshëm edhe Superliga e Kosovës do të jetë me VAR.

“Me VAR-in tashmë kemi filluar, kemi nisur trajnimi dhe bisedimet me njerëzit kompetent në UEFA dhe FIFA për VAR. Jemi duke bërë çmos që sezonin e ardhshme të jemi me VAR, mund të jemi pa të në dy ose tri xhirot e para, por do e kemi edicionin e ardhshëm edhe pse nuk e kemi infrastrukturën aq të mirë, gjithsesi do shkojmë me gjëra mobile, me VAR-in mobil, pra mjet lëvizës që do shkojë para çdo stadiumi siç janë kampionat transmetues për të përcjellë VAR-in dhe ta mbulojmë tërë Superligën”.

Në fund, Ademi iu urojë shëndet dhe suksese të gjithë, klubeve, tifozëve për të cilët tha se shpreson që në vitin e ardhshëm do jenë në stadiume.

“Urimi im është që të gjithë futbollistëve, klube, tifozëve dhe të gjithë të përfshirëve iu uroj që viti 2021 të jetë pa pandemi, me shëndet të plotë dhe pastaj me suksese të ardhshme. Urime festat e fund vitit për Komunitetin e Futbollit dhe të gjithë të popullit të Kosovës, urim i veçantë për të gjithë tifozët e klubeve dhe sidomos “Dardanëve” dhe shpresojmë që edicionin e ardhshëm t’iu mundësojmë të jeni në stadiume. Urime dhe gëzuar”, u shpreh ai gjatë intervistës për lajmi.net.

Ndërkohë, kujtojmë se për “Dardanët”, ky vit nuk ka qenë fare i suksesshëm, meqenëse kanë regjistruar katër humbje, një barazim dhe vetëm një fitore.

PËRGJIGJU