Ky ishte viti 2020 i diasporës shqiptare

0
Robin Krasniqi celebrates after he wins the IBO World Championship and WBA Interim World Championship light heavyweight fight against Dominic Boesel in Magdeburg, Germany, Saturday, Oct. 10, 2020. (Ronny Hartmann/dpa via AP)
Këto janë disa nga të arriturat e shqiptarëve të diasporës gjatë vitit 2020

Viti 2020 do të mbahet mend para së gjithash për pandeminë e Covid-19. Një vit shumë i vështirë për të gjithë botën, me shumë të prekur dhe të vdekur nga kjo sëmundje. Megjithatë, për shqiptarët në diasporë nuk munguan sukseset. Që nga politika, tek arti e sporti. Në vazhdim, disa prej tyre. 

Ylfete Fanaj, kryetare e Parlamentit të Kantonit të Lucernit 

Ylfete Fanaj është zgjedhur kryetare e parlamentit të Kantonit të Lucernit. Me këtë rast zonja Fanaj ka mbajtur një fjalë emocionuese, me të cilën u është drejtuar deputetëve që e zgjodhën. “Jam e emocionuar dhe mirënjohëse që më votuat përkundër faktit se jam me prejardhje të huaj. “Faleminderit shumë”, ka thënë në gjuhën shqipe Ylfete Fanaj

© Albinfo.ch/Armend Berisha

Fanaj ka përshëndetur dhe falënderuar edhe prindërit e saj për mbështetjen që i kanë ofruar në ngritjen e saj shkollore dhe politike. 

Zgjedhja e Ylfete Fanajt në postin e kryetares së Parlamentit të kantonit të Lucernit është rasti i parë, jo vetëm në këtë kanton, që të zgjidhet një grua me prejardhje të huaj në këtë nivel kaq të lartë. Këtë e kanë theksuar në fjalët e tyre përshëndetëse si, kryetari i deriatëhershëm i parlamentit, Josef Wyss, kryetari i Qeverisë së Kantonit të Lucernit Paul Winiker, etj. 

Haxhi Robin Krasniqi, kampion bote 

Keystone (Ronny Hartmann/dpa via AP)

Haxhi Robin Krasniqi është shqiptari i parë kampion bote në boks. Ai këtë qëllim e arriti në Gjermani, më 10 tetor. Krasniqi e nokautoi boksierin gjerman Dominic Boesel në rundin e tretë dhe është bërë kampion botëror në versionet WBA dhe IBO. Boksieri shqiptar në karrierën e tij ka zhvilluar 57 meçe, prej të cilave 51 i ka fituar dhe 6 i ka humbur. “Urime titulli për të gjithë shqiptarët. Nga sot kemi një kampion bote”, kishte shkruar Krasniqi. Ai më pas vizitoi Kosovën dhe familjen Jasharaj në Prekaz, të cilave  ua ka kushtuar titullin e fituar. 

Avni Orllati zgjidhet “Sipërmarrësi i vitit 2020” në fushën e ndërtimit, në Zvicër 

Për herë të 23-të, kompania e auditimit dhe këshillimit EY, më 30 tetor ka nderuar figura të shquara dhe me merita, të biznesit në Zvicër. 60 sipërmarrës nga e gjithë Zvicra kanë qenë të kandiduar për të merituar këtë nderim, shkruan ey.com.ch. 

Avni Orllati është fitues në kategorinë “Industri / High Tech / Life Sciences”. “Ai është vlerësuar për punën e tij sfiduese e cila çoi në një histori frymëzuese prej themeluesi”, thuhet në tekstin e nderimit të tij me këtë çmim. Në vitin 1997, në moshën 21 vjeçare, Avniu dhe vëllai i tij binjak krijuan biznesin e tyre duke marrë me qira një makinë që thyen betonin, transmeton albinfo.ch. Sot Orllati është një ofrues kryesor në fushën e “ndërtimit të gjelbër” dhe punëson mbi 850 persona në Zvicrën perëndimore. Kompania e tij është e specializuar në të gjitha fushat e punëve ndërtimore përgatitore. 

Xhemile Fetaji nderohet nga presidentja e Zvicrës me titullin “Hero i përditshmërisë” 

Në nderim të festës nacionale të Zvicrës, 1 gushtit, presidentja e konferderatësSimonetta Sommaruga në Rütli ka ndarë mirënjohjet për “heronjtë e përditshmërisë”. Presidentja u ka dhuruar të gjithë “heronjve” nga një fidan molle, të cilin ata/ato duhet ta marrin me vete në kantonin prej nga vijnë dhe ta mbjellin atje. 

Në mesin e të nderuarve është edhe Xhemile Fetaji nga Gostivari. Xhemile Fetaji është një punonjëse në sferën e integrimit, migracionit dhe të  drejtave të gruas në kantonin Thurgau. Veç tjerash, ajo ka qenë kandidate për t`u zgjedhur deputete në Parlamentin e Kantonit të saj. Ndërkohë, aktivistja me rrënjë nga Gostivari, ka treguar një angazhim të veçantë edhe në luftimin e koronavirusit në regjionin ku jeton. 

Gjon Muharremi përfaqëson Zvicrën në Evropian 

Gjon Muharremi do të përfaqësojë Zvicrën në festivalin e muzikës evropiane, Eurovizion 2021. Artisti i ri shqiptar, i identifikuar si Gjon’s Tears, do të përfaqësojë Zvicrën me një këngë të re në Eurovizion 2021. 

Gjon’s Tears u ndje keq për mënyrën se si u mbajt sivjet “Eurovizioni”, por u shpreh i lumtur që në vitin 2021 do mund ta përfaqësojë prapë Zvicrën, por me një këngë tjetër. Ai tha se ndihet krenar për punën që bëjnë artistët shqiptarë, duke i cilësuar me kulturë muzikore shumë të madhe. 

Sami Musa, shqiptari i parë i zgjedhur në Parlamentin e Hamburgut 

Sami Musa, është me siguri shqiptari i parë i zgjedhur në Parlamentin e Hamburgut, qytetit të dytë më të madh në Gjermani, pas Berlinit. “I kam fituar 3661 vota. Falënderoj përzemërsisht secilin garues. Urime secilit deputet të zgjedhur ashtu sikurse edhe atyre që nuk janë zgjedhur. Secili prej jush është angazhuar për demokraci. Uroj po ashtu edhe secilin aktivist të zgjedhjeve dhe të gjithë pjesëmarrësit. Unë mendoj se duhet të jem brenda (në parlament) prandaj falënderoj përzemërsisht të gjithë ata që më kanë mbështetur dhe më kanë zgjedhur”, ka shkruar ai në Facebook. 

10 albumet më të mira të vitit 2020: Dua Lipa, e para 

Keystone

 

Revista “People” ka zgjedhur albumin e Dua Lipës më të mirin e vitit 2020. Dua Lipa tregoi kohë më parë se përderisa ishte me qira në një ‘Airbnb’ kishte punuar drejt albumit të saj. Album ky që u prit tejet mirë nga tregu ndërkombëtar, duke bërë që ajo të kryesojë në listat më të famshme muzikore. Albumi i dytë i Dua, Future Nostalgia, u përgatit për t’u publikuar në fund të marsit, ku edhe bëri bujë të madhe. Përmes një artikulli “People” zgjodhi 10 albumet kryesore të vitit 2020, ku albumi i këngëtares shqiptare “Future Nostalgia” zuri vendin e parë. 

Billboard”: Këngët e tri shqiptareve, në mesin e 30 këngëve më të mira të vitit 2020 

Keystone (Photo by Scott Roth/Invision/AP)

3 këngëtare shqiptare me famë botërore janë pjesë e listës së këngëve më të mira të vitit 2020, të publikuara nga “Billboard”. Sipas renditjes, në listën e 30 hiteve të këtij viti janë renditur edhe tri këngëtaret e muzikës pop, ato janë Dua Lipa, Bebe Rexha dhe Ava Max. Duhet theksuar se këngët që pushtojnë top 30 të Billboard janë “Kings and Queens” të Ava Max, “Levitating” e Dua Lipës dhe “BabyI’m Jealous” e Bebe Rexhës dhe Doja Cat 

Loredana fiton çmimin “Performuesja më e mirë zvicerane” në MTV 

EPA/RAUL CARO CARDENAS

Një nga artistet më të njohura shqiptare në Zvicër është Loredana Zefi. E njohur për sukseset, por edhe akuzat ndaj saj, ajo është gjithmonë në qendër të vëmendjes. Por, kësaj radhe për të mirë. Loredana edhe këtë vit është zgjedhur si “Performuesja më e mirë zvicerane” në evenimentin e madh të ndarjes së çmimeve, MTV Europe Music Aëards. “Rrëmbeva çmim në MTV Aëard për të dytën herë, faleminderit të gjithëve që më votuan. Ju dua të gjithëve”, ka shkruar ajo në Instagram. Kjo është hera e dytë që fiton të njëjtin çmim, pasi e kishte fituar edhe vitin e kaluar. Krahas Loredanës, të pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ishin edhe yjet: Dua Lipa, Rita Ora dhe Bebe Rexha. 

Kosovare Asllani në mesin e 10-të grave më të fuqishme në Suedi 

Foto: Kosovare Asllani (Instagram)

Futbollistja shqiptare Kosovare Asllani, është zgjedhur në mesin e 10-të grave të fuqishme në Suedi. Asllani është pjesë shumë e rëndësishme e kombëtares suedeze duke dhënë një kontribut të çmuar në ndeshjet e kategorisë së femrave në botërorin e 2019-tës. Ajo ka realizuar tre gola të rëndësishme ndaj Kilit, Tajlandës, dhe në ndeshjen për vendin e tretë ndaj Anglisë, duke e fituar kështu medaljen e bronztë. 30-vjeçarja ishte edhe në mesin e të nominuarave për çmimin e “Topit të artë”, në konkurrencën e femrave në vitin e kaluar. 

 

PËRGJIGJU