Për vitin e paprecedent dhe mësimet e nxjerra

0

 

Shkruan: Arian Zeka

Shpërthimi i pandemisë Covid-19 në muajt e parë të vitit 2020 e shndërroi vitin 2020 në një vit të paprecedentë për tërë globin në 100 vjetët e fundit. Në kontekstin lokal, planet e ndryshme për fuqizim të shtetit të Kosovës, respektivisht shtyllave të tij themelore si ekonomia, edukimi, shëndetësia, drejtësia dhe siguria, të prezantuara nga partitë politike, përfshirë edhe ato që kishin marrë besimin e qytetarëve për drejtimin e vendit në zgjedhjet parlamentare të mbajtura pak muaj para se koronavirusi të shpallej pandemi në nivel global, u zëvendësuan me masa të tjera të paplanifikuara, për mbrojtjen e kujdesit shëndetësor, të cilat në masë të madhe ndikuan në kufizimin në shkallë të gjerë të aktiviteteve ekonomike. Për shkak të kësaj, planet ambicioze për lehtësira fiskale e nxitje të investimeve të jashtme e të brendshme u zëvendësuan me masa ad-hoc për përkrahje të ndërmarrjeve e punonjësve në Kosovë, të cilët po ballafaqoheshin me tkurrjen më të madhe të të hyrave në dy dekadat e fundit.
Derisa pandemia shpërfaqi brishtësinë e sistemeve të kujdesit shëndetësor në shumicën e shteteve të botës, Kosova, si shtet me shpenzime më të ulëta për shëndetësinë publike, u detyrua të aplikonte masa më strikte për ta parandaluar përhapjen e pandemisë. Buxheti i kufizuar po ndikonte edhe në gjerësinë e zemrës së shtetit për t’i ndihmuar ndërmarrjet e rrezikuara dhe për t’i mbrojtur vendet e punës. Thënë shkurt e shqip, po paguanim çmimin e politikave të gabuara publike, por edhe të keqpërdorimeve të mjeteve buxhetore përgjatë viteve, të cilat po të mos kishin përfunduar paligjshëm në gjepat e disave, do të mund të investoheshin për ngritjen e kapaciteteve spitalore të vendit, të cilat do të mundësonin përballimin më të mirë të pandemisë.

Për mësimet që duhen nxjerrë, kujdesi shëndetësor

Globalizimi dhe mobiliteti më i madh i njerëzve dhe mallrave, ka bërë që edhe fatkeqësitë e tilla shëndetësore të përhapen në pak javë, nga njëri kënd i largët i botës në të gjitha pjesët e saj, si në rastin e koronavirusit të ri. Mutacionet e virusit aktual, apo viruset e reja që mund të shfaqen në ndërkohë, e bëjnë më se domosdoshme që shteti i Kosovës, të shohë me prioritet investimet në shëndetësinë publike. As sektori privat, e as shteti vetë nuk duhet të vuajnë pasojat e politikave populiste e të gabuara, që për fokus kanë objektivat afatshkurtra, e që për hir të së vërtetës, gjenerojnë imazhe të bukura e më shumë vota, por nuk adresojnë nevojat afatgjata të qytetarëve. Investimet duhet të përfshijnë pashmangshëm infrastrukturën fizike, por edhe atë njerëzore, që nënkupton edhe kompensimin më të duhur të të gjithë punonjësve të kujdesit shëndetësor, që me të drejtë i konsideruam heronj, për shkak se rrezikuan edhe jetën e tyre, për t’u dalë në mbrojtje qytetarëve të vendit. Të njëjtit duhen motivuar që prospektet për zhvillim profesional dhe personal, të mos i kërkojnë në shtete të tjera, por vetëm në Kosovë.

Ekonomia

Pandemia Covid-19 ka ekspozuar në masë të madhe dobësitë e sistemit ekonomik, jo vetëm në sektorin publik, por edhe në sektorin privat. Modelet dhe proceset tradicionale të biznesit, kombinuar me politikat e gabuara fiskale për shumë vite, kanë bërë që ndërmarrjet private në Kosovë, të jenë më të papërgatitura për ballafaqimin me efektet e pandemisë.
Për vite me radhë është folur për rëndësinë e transformimit digjital, si dhe të orientimit drejt ekonomisë së bazuar në internet, ose ekonomisë digjitale. Derisa pandemia ka prekur gati të gjitha ndërmarrjet në mënyra dhe nivele të ndryshme, ajo që tashmë dihet është që sektori i ekonomisë digjitale ka shfrytëzuar më mirë fatkeqësinë e këtij viti. Ky do të duhej të ishte treguesi më i rëndësishëm i investimeve të ardhshme në zhvendosjen e proceseve tradicionale të biznesit me ato digjitale. Kjo do të rriste aftësinë e bizneseve për të reaguar ndaj çrregullimeve të papritura në treg dhe do të rriste gjasat e mbijetesës, në rast se bota rrezikohet nga pandemi të tjera të ngjashme, si kjo e Covid-19.
Në anën tjetër, çrregullimet në zinxhirët globalë të furnizimeve do të duheshin theksuar nevojën e rritjes së kapaciteteve prodhuese vendore, për zgjerim në tregjet ndërkombëtare, sidomos në shtetet që janë në afërsi gjeografike me Kosovën, ose ato me të cilat Kosova gëzon aranzhime të lira ose preferenciale tregtare, siç është rasti me Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Politika

Hisedarët politikë,me veprimet e tyre të qëllimshme dhe të paqëllimshme, kanë rënduar dukshëm ndikimin e pandemisë Covid-19 në ekonominë e vendit. Nëse jo për menaxhimin efikas të pandemisë, Kosova së paku ka zënë vend në titujt e lajmeve ndërkombëtare, për rrëzimin e Qeverisë dhe thellimin e krizës institucionale, pikërisht në kohën kur vëmendja e institucioneve do të duhej të ishte e përqendruar tërësisht në menaxhimin e pandemisë dhe pasojave të saj.
Injoranca e demonstruar përmes qeverisjes së dobët ekonomike, së paku në 12 vitet e të ekzistuarit të Kosovës si shtet i pavarur, nuk ka mundur të ndryshojë (aq më pak për të mirë), në muajt e ballafaqimit me pandeminë. Mungesa e një strategjie nacionale zhvillimore, oferta e varfër për investitorët, si dhe sundimi i dobët i ligjit, me vite i kanë kontribuar një strukture të paqëndrueshme zhvillimore, me shumë pak investime të jashtme, e të varur në masë të madhe nga dërgesat e Diasporës, e cila në këtë vit të rëndë, vetëm se ka vulosur peshën e kontributit të saj për mbajtjen në këmbë të ekonomisë së Kosovës.
Do të kishte qenë gati e pabesueshme të mendohej se partitë, pa përjashtim, do t’u jepnin përparësi interesave të ngushta dhe inateve partiake, në llogari të veprimit të bashkërenduar dhe të shpejtë në mbështetje të sektorit privat dhe punonjësve të Kosovës. Tanimë kur vendi do të hyjë në një cikël të ri zgjedhor, partitë politike, e veçanërisht ata që do ta marrin besimin për drejtimin e qeverisë së vendit, do të duhej të kuptonin si kurrë më parë përgjegjësinë që do të kenë për transformimin ekonomik të Kosovës. E një procesi të tillë të ndryshimit do t’i duhej paraprirë me një pakt për një ekonomi të re, të koordinuar ngushtë me akademinë, ekspertët, punonjësit dhe sektorin privat. Gjithçka tjetër do të vijonte të ishte improvizim, si dhe çmim që do të paguhej sërish në të ardhmen, për gabimet e të sotmes!

(Autori është drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë / Shkruar enkas për “Epokën e re”)

PËRGJIGJU