Ilira Gashi, ylli i pop-it zviceran

0

 

Ilira Gashi, e njohur me emrin e saj skenik ILIRA, është një këngëtare, kantautore shqiptare, e cila është duke e shijuar suksesin e saj në shoqërinë zvicerane dhe atë gjermane. Ajo është 26-vjeçare, e lindur dhe rritur në Köniz-i të Bernës, shkruan albinfo.ch.

Rrjedh nga një familje shqiptare, prindërit e së cilës janë me prejardhje nga Shqipëria dhe Kosova. Si një shqiptare e Kosovës, ajo nuk ka frikë të flasë dhe nuk ka frikë nga ballafaqimet dhe diskutimet, qoftë edhe lidhur me prejardhjen e saj.

 

Ilira tani jo vetëm që po zë vendin e saj në industrinë muzikore, por është edhe e dashur për mijëra ndjekës në mediat sociale dhe për stilin e saj “pa filter”. Kjo e bën atë të dallohet nga të gjitha këngëtaret për stilin e saj të veçantë dhe, realisht më zbavitëse për momentin në tregun e muzikës, shkruan tutje albinfo.ch.

Duhet theksuar se karriera muzikore e saj filloi me shfaqjet në shkollën fillore. Ajo së pari u shfaq në TV zvicerane dhe shqiptare si adoleshente, më pas u transferua në Gjermani dhe nënshkroi një menaxhim, kontratë botuese me Sony / ATV Music Publishing. Ndërkohë në gusht të vitit 2018 Ilira nënshkroi me Four Music dhe publikoi single-in e saj të parë “Whisper My Name”.

Së fundmi, platforma më e madhe e muzikës në botë, Spotify, ka publikuar statistikat vjetore për të gjithë artistët nga bota. Ilira tashmë edhe zyrtarisht është këngëtarja ndër më të dëgjuarat zvicerane në platformën e transmetimit të muzikës Spotify.

Artistja shqiptare është dëgjuar 87.7 milionë herë në Spotify. Për këtë sukses, ajo ka falënderuar fansat e saj, duke thënë se numrat tregojnë për arritjet, por arti i vertetë do të jetë gjithmonë i lirë nga numrat.

“Numrat gjithmonë tregojnë diçka për arritjen, por arti i vërtetë do të jetë gjithmonë i lirë nga numrat. Kam një shije jo të mirë të numrave, sepse unë personalisht mësova të mos i gjykoj këngët sipas numrave. Por, më duhet të pranoj se më bëri të lumtur në mënyrë të pabesueshme kur i pashë këta numra”, është shprehur Ilira.

Ajo është e gëzuar për faktin se këngët e saj janë dëgjuar në gjithë globin dhe se muzika e saj i lidh njerëzit në kuptimin pozitiv.

“Këngët e mia janë dëgjuar në gjithë globin, pa marrë parasysh se çfarë kulture, feje, gjinie apo çfarë gjuhe flasin. Muzika ime i lidhi njerëzit. Më pëlqen të shoh përkrahësit e mi të lidhen përmes muzikës time, duke u bërë miq përmes faqeve të internetit dhe duke ndarë muzikën time”, tregon ajo.

Aktualisht Iliria jeton në Berlin të Gjermanisë dhe po vlerësohet si më e mira e pop-it, për shkak të cilësisë dhe fuqisë së rrallë të zërit të saj. Ajo ka një sekret në teknikën e saj të paimitueshme vokale të cilësisë dhe fuqisë së rrallë të zërit me një gamë që përfshin mbi 4 oktava, që pak këngëtar nga bota e kanë këtë dhunti. Madje, ajo është krahasuar me yllin e madh botëror, Mariah Carey.

Vlen të theksohet se ngjashmëritë e zërit të saj me Mariah Carey janë vertet tipike, ajo së fundmi ka relizuar një cover tjetër. Duke qenë se jemi në prag të festave të fundvitit, Iliria pikërisht ka zgjedhur këngën e Mariah Carey-t, “All I Want For Christmas Is You”, e cila këndohet me mjeshtëri dhe ngjyrim emocional, të cilën mund ta dëgjoni edhe në You Tube.

Nga ana tjetër, ndër këngët më të dëgjuara të Iliria Gashit janë “Fading”, “Royalty”, “Diablo”, “Easy”, “Lose you”, “Extra Fr!es”, “Pay my back”, “Do it yourself”, “Ladida”, “Get off my D..”, “Whisper my name”, etj. Të gjitha nga këto këngë kanë një sukses të madh, në të gjitha dimensionet. Si nga ana skenike, ashtu edhe nga ngjyrimi emocional.

Me këngën “Fading”, ajo ishte në krye të top-listave gjermane për javë të tëra.

Një adhuruese e madhe e tatuazheve

Përveç muzikës, Ilira është edhe adhuruese e madhe e tatuazheve. Ajo ka disa të tilla dhe i konsideron si simbole të identitetit të saj krijues.

“Një identitet i formësuar nga gratë e forta”. /Albinfo.ch

PËRGJIGJU