Pandemia dhe politika goditën ekonominë e Kosovës

0

 

Ekonomia e Kosovës në vitin 2020, sikurse edhe ekonomia botrore, është përballur me sfidën e pandemisë Covid-19. Mirëpo, për dallim nga shtetet që kishin stabilitet politik, Kosova u përball me probleme politike, gjegjësisht rënien e qeverisë Kurti dhe formimin e qeverisë Hoti.

Qeveria Kurti fillimisht miratoi pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe filloi shkarkimin e anëtarëve të bordeve në ndërmarrjet publike. Edhe qeveria Hoti vazhdoi masat për rimëkëmbje ekonomike dhe shkarkimin e bordeve të përkohshme të qeverisë Kurti.

Ndërkohë institucionet financiare ndërkombëtare dhe ato vendore kanë paralajmëruar rënie drastike ekonomike. Sipas raportit të ri për ekonominë në rajonin Evropë dhe Azi Qendrore, të publikuar nga Banka Botërore, ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 8.8 për qind në vitin 2020.

Ndërkaq, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, bruto produkti vendor shënoi rënie për -7.25 për qind.

Ndërmarrjet publike si Telekomi i Kosovës, Posta dhe “Trepça” u përballën me vështirësi financiare dhe me bllokim të xhirollogarive për shkak të borxheve të tyre. Viti 2020 do të mbahet mend edhe për vjedhjen e 2.1 milionë eurove në buxhetin e shtetit.

Shpallet tenderi për përfundimin e autostradës Pejë – Prishtinë

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka njoftuar për shpalljen e tenderit për përfundimin e magjistrales Pejë – Prishtinë, gjegjësisht segmentin rrugor Kijevë – Zahaq. Janë bërë disa vite që është nisur kjo autostradë, ndërkohë që punimet kishin ngelur pasi kishte mungesë të fondeve për përfundim të segmentit të fundit që lidh fshatin Kijevë të Malishevës me fshatin Zahaq të Pejës. Abrashi ka njoftuar se projekti është shpallur me përkrahjen e BERZh-it dhe BIE-së.

ASK-ja: Bruto produkti vendor shënoi rënie për -7.25 për qind

Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat e Bruto Produktit Vendor për tremujorin e tretë të vitit 2020, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve me çmime aktuale dhe me çmime të vitit paraprak. Sipas ASK-së, Bruto Produkti Vendor për tremujorin e tretë të vitit 2020 shënoi rënie për -7.25 për qind krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak. Aktivitetet ekonomike, që shënuan rënie në këtë tremujor, ishin: ndërtimi (-16.77 për qind); tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimet ushqimore (-16.89 për qind); aktivitetet financiare dhe të sigurimit (-3.67 për qind).

Serbia ndërpret transmetimin e energjisë, Kosova lidhet me Maqedoninë

Menjëherë pas fillimi të operimit të pavarur të sistemit energjetik të Kosovës më 15 dhjetor, Serbia ka ndërprerë transmetimin e 500 megavatëve të energjisë elektrike që Kosova kishte importuar nga ky shtet. Këta megavatë të bllokuar nga Serbia u zëvendësuan pastaj me një marrëveshje të arritur ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut për furnizim nga kapacitetet energjetike të këtij shteti.

KOSTT-i del nga blloku rregullues me Serbinë

Nga 14 dhjetori KOSTT-i operon si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës. Dalja e Kosovës nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok me Shqipërinë ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) në muajin qershor. Ajo hyri në fuqi më 29 shtator.

Qeveria ndan 1.1 milion euro për “Trepçën”

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, së bashku me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, zëvendësministrin e Financave, Agim Krasniqi si dhe përfaqësuesit e Bordit të Përkohshëm të “Trepçës”, më 13 nëntor njoftuan për ndarjen e 1.1 milion eurove për ndërmarrjen “Trepça”. Kjo ndihmë erdhi pasi situata në kompaninë “Trepça” ishte shumë e vështirë për shkak të pandemisë në nivel global, pamundësisë që “Trepça” t’i shesë produktet e veta në tregje botërore dhe për shkak të rënies së çmimeve në berëz.

Minatorët në grevë

Minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça” gjatë këtij viti, më 19 nëntor, kishin hyrë në grevë për shkak të mosdhënies së pagave për muajin tetor. Greva e minatorëve është ndërprerë pasi që janë informuar se pagat u kanë dalë në xhirollogari.

Bllokohen xhirollogaritë e Telekomit

Gjatë vitit dy herë janë bllokuar xhirollogaritë e Telekomit të Kosovës si pasojë e borxhit ndaj “Z-Mobile”, por pastaj janë zhbllokuar pas ujdisë me Ministrinë e Ekonomisë dhe qeverisë. Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile “Vala” me mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi. Telekomi i Kosovës dhe kompania “Z-Mobile” në vazhdimësi kanë pasur mosmarrëveshje në lidhje me një kontratë të nënshkruar 10 vjet më parë, e cila i kishte mundësuar kompanisë “Z-Mobile” të ishte operatorja virtuale e telefonisë mobile “Vala”.

Vidhen nga arka e shtetit 2.1 milionë euro

Më 21 tetor është konfirmuar se 2.1 milionë euro ishin vjedhur nga Thesari i Shtetit. Për këtë rast është arrestuar Labinot Gruda, punonjës në këtë institucion, të cilit i janë caktuar 30 ditë paraburgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Qeveria e Kosovës ka kërkuar ndihmë më 14 nëntor nga agjencia italiane “Guardia di Finanza” që ta hetojë skandalin e vjedhjes së më shumë se 2 milionë eurove në Thesarin e Shtetit. Këtë kërkesë e ka bërë Ministria e Financave.

Jep dorëheqje bordi i përkohshëm i Telekomit

Më 18 gusht bordi i përkohshëm i Telekomit të Kosovës ka dhënë dorëheqje. Ky bord ishte emëruar nga qeveria Kurti. Me këtë rast, kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se e ka pranuar me shqetësim dorëheqjen e bordit të përkohshëm të Telekomit të Kosovës, në një situatë të vështirë financiare të kësaj ndërmarrjeje publike të rëndësisë strategjike për vendin.

Formohet komisioni hetimor për hidrocentralet

Më 14 gusht Kuvendi i Kosovës në seancën plenare ka formuar komisionin hetimor mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës. Iniciuesi i komisionit hetimor, Haxhi Avdyli, ka pohuar se me anë të kësaj do të hetohen keqpërdorimet e mundshme për lejet e hidrocentraleve.

Qeveria ndan 60 milionë euro për biznesin privat

Ministria e Financave gjatë këtij viti, për shkak i pandemisë, ka bërë me dije se subvencionimi prej 60 milionë eurosh nga masa 1.1 sipas vendimit të qeverisë iu dedikohet bizneseve dhe se bizneset përfituese nuk kanë nevojë të aplikojnë dhe as të dërgojnë të dhëna apo njoftime në Thesarin e Kosovës.

BB-ja: Ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 8.8 për qind

Sipas raportit të ri për ekonominë në rajonin Evropë dhe Azi Qendrore, të publikuar më 7 tetor nga Banka Botërore, ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 8.8 për qind në vitin 2020. Në njoftimin e Bankës Botërore thuhet se pandemia Covid-19 ka shkaktuar rënie në eksportin e shërbimeve dhe zvogëlim të investimeve dhe konsumit.

Komisioni Evropian ndan 50 milionë euro ndihmë për Kosovën

Më 7 dhjetor Komisioni Evropian në emër të BE-së ka ekzekutuar 50 milionë euro të programit të Asistencës Makro-Financiare (AMF) për Kosovën.
Asistenca Makro-Financiare (AMF) është pjesë e angazhimit më të gjerë të BE-së me vendet fqinje dhe ato të zgjerimit, dhe qëllimi i saj është të përdoret si instrument i jashtëzakonshëm i BE-së për reagimin ndaj krizave. Fondet e AMF-së vihen në dispozicion në formën e kredive afatgjata me kushte shumë të favorshme. Fondet e AMF-së do të kontribuojnë për rritjen e stabilitetit makroekonomik dhe për krijimin e hapësirës për alokimin e burimeve për zbutjen e pasojave të rënda negative socio-ekonomike të pandemisë Covid-19.

ATK-ja ka pranuar mbi 99 mijë aplikime për kompensim të pagës

Administrata Tatimore e Kosovës (AKT) më 28 prill ka njoftuar se ka pranuar 99 236 aplikime për kompensim nga Pakon Emergjente. Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka treguar se 87 387 kërkesa në ATK kanë ardhur nga të punësuarit, kurse janë 827 kërkesa për kompensim të punëtorëve që janë larguar nga puna dhe 6 026 kërkesa që kanë lidhur kontrata të reja.

Qeveria Kurti shkarkoi bordin e Postës, Telekomit, KRU ‘Prishtina’…

Më 2 prill kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka thirrur mbledhjen korresponduese në të cilën janë miratuar vendime nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të qeverisë në detyrë, duke shkarkuar edhe bordin e Postës. Po më 2 prill Kurti ka shkarkuar edhe bordin e KRU “Prishtina” dhe bordin e KRU “Gjakovë”. Qeveria e drejtuar në atë kohë nga Kurti ka marrë vendim që të shkarkohet edhe bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes “Trepça”. Po ashtu, qeveria Kurti ka shkarkuar edhe bordin e drejtorëve të Telekomit të Kosovës.

Qeveria ndan 41 milionë euro për pagat në sektorin privat

Më 27 mars kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka bërë me dije se ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka propozuar që të ndahen 41 milionë euro për pagat në sektorin privat për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia Covid-19.

Formohet Komisioni Hetimor për Privatizimin

Më 10 korrik, me iniciativë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kuvendi i Kosovës ka votuar për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar i cili do të hetojë dhe do t’i zbardhë të gjitha privatizimet e bëra në Kosovë, në veçanti keqpërdorimet e mundshme dhe ato me lidhje politike. Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Bedri Hamza, gjatë paraqitjes së kërkesës për komision hetimor para deputetëve, ka pohuar se qëllimi i kësaj nisme është që qytetarët e Kosovës të informohen drejt për secilin privatizim që ka ndodhur në Kosovë dhe çdo lidhje politike që kanë personat që kanë privatizuar.

Kalon Ligji i Rimëkëmbjes Ekonomike, qytetarët tërheqin 10-përqindëshin

Më 4 dhjetor Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike Covid-19. Ky projektligj ka arritur të miratohet me 72 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Votat qeverisë për ta kaluar këtë projektligj ia siguruan deputetët e PDK-së, të cilët propozuan katër amendamente shtesë. Përmes këtij projektligj, mes të tjerash, parashihet tërheqja e 10-përqindëshit të kursimeve të tyre pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës – Trust.

Kuvendi miraton projektbuxhetin për vitin 2021

Më 28 dhjetor deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar të hënën në lexim të parë Projektbuxhetin për vitin 2021. Pas diskutimeve që ndodhën mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, ky projektbuxhet mori 64 vota për. Projektbuxhetin për vitin 2021 e kanë kundërshtuar deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas projektimeve, buxheti për vitin 2021 kap vlerën 2.4 miliardë euro.

PËRGJIGJU