Pasojat e Speciales do të jenë afatgjata për Kosovën

0

 

Shkrimtari dhe publicisti shqiptar Kim Mehmeti e ka vlerësuar të padrejtë Gjykatën Speciale. Ai ka thënë se disa qarqe perëndimore prej kohësh e kanë filluar një proces që të gjithë popujt e këtyre hapësirave t’i barazojnë në fajësinë dhe krimet që kanë të bëjnë me luftërat e fundit ballkanike.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Mehmeti ka deklaruar se pasojat e kësaj gjykate do jenë të mëdha dhe afatgjata për Kosovën. Sipas tij, kjo gjykatë do të ndikojë në rritjen e mosbesimit ndaj sistemit juridik në Kosovë

“Epoka e re”: Z. Mehmeti, si ishte viti 2020 për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi?
Mehmeti: Në vitin 2020 kulmoi shpopullimi i trevave shqiptare si dhe defaktorizimi i shqiptarëve në Ballkan falë burrështetasve të “Shqipërive” tona, kryesisht falë Tiranës zyrtare, e cila u bë më e afërt me Beogradin sesa me Prishtinën. Në 2020-n u arrit kulmi i shfytyrimit të Kosovës si shtet dhe shndërrimi i saj nga djep i atdhedashurisë, në vend që shenjë njohëse ka atë të hajnisë falë zhvatësve të saj nga radhët e ‘klanit pronto’ dhe nga radhët e ‘profesorëve e pleqve’ të LDK-së, të cilët duket se e japin shtetin, por jo edhe pushtetin. Në përgjithësi, viti që jemi duke lënë pas, e shpalosi thuajse tërë ‘plehun’ politik të grumbulluar dekada me radhë nëpër ‘Shqipëritë’ tona, pleh që duhet kohë e mund për ta pastruar, si parakusht për ta penguar vazhdimin e qelbëzimit dhe kalbjen e më të vlefshmes që kemi. Pra, 2020 ishte vit kur u pa qartë se në Shqipëri, jo vetëm dikur kur nuk mungonte ndonjë mbret serb për ta ndihmuar mbretin shqiptar që ta rikthente fronin e humbur në Tiranë, apo ndonjë Mugosh, që t’ua zgjidhte shqiptarëve sekretarin e parë të Partisë Komuniste, por edhe sot nuk mungon ndonjë Vuçiq, i vëllazëruar me Piktorin e ‘Rilindjes’ e i cili, njësoj si paraardhësit e tij, e dinë se vetëm me ndihmën e Tiranës mund t’ia dalë që Beogradin ta ribëjë ‘kryeqendër’ të Ballkanit, ku do të vendoset edhe fati i shqiptarisë!

 “Epoka e re”: Gjatë këtij viti në Kosovë pati shumë zhvillime politike. Në fillim të vitit kishim themelimin e qeverisë Kurti, më pas kjo qeveri u rrëzua me një mocion mosbesimi për t’u formuar qeveria Hoti. Ndërsa tani Gjykata Kushtetuese rrëzoi edhe qeverinë Hoti. Çfarë është mendimi juaj për këto zhvillime?
Mehmeti: Gjithë këto ngjarje të përfshira në pyetjen tuaj tregojnë se në Kosovën e sotme është e vështirë të mbijetojë cilado qeveri si ajo e LV-së, pra cilado qeveri që interes parësor ka atë të popullit që përfaqëson e të shtetit që drejton, e jo të elitave partiake. Është e vështirë sepse Kosova me shumëçka i ngjan një vendi që ka tre ‘sundues’, e të cilët nuk i ndërlidh asgjë e përbashkët përpos ‘grazhdit’ shtetëror nga ata ushqehen. Pra, Kosova sot është e ‘sunduar’ nga ndërkombëtarët, që nuk i përgjigjen askujt, nga ‘Lista srpska’ që i raporton Beogradit dhe nga qeveritarët shqiptarë që marrin votat e shqiptarëve, por me ardhjen në pushtet bëjnë çmos që të jenë të pëlqyerit e ndërkombëtarëve dhe të ‘Listës srpska’, të cilat ua kanë fatin politik në duar. Andaj duhet shpresuar se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë janë mundësi që LV-ja sërish të vijë në pushtet e ta rivazhdojë procesin e çlirimit të vendit nga zhvatësit e saj dhe të krijojë kushte që gjithë ‘kriminelët’ e paqes që e plaçkitën shtetin dhe popullin e vet, të dalin përpara drejtësisë. Dhe në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare populli shqiptar i Kosovës do të ketë mundësi t’i dënojë ‘pleqtë’ e LDK-së, ata që e rrëzuan ish-qeverinë e LV-së, me çka treguan se popullin e konsiderojnë si një turmë e pakokë, të cilën, nëse arrin ta mashtrosh e ta mbyllësh në oborrin tënd partiak, atëherë me të mund të tallesh si të ta dojë qejfi. Madje besoj se ardhja e LV-së në pushtet, mbarë shqiptarisë, e jo vetëm Kosovës, do t’i tregojë se cili është dallim mes qeveritarëve që i shërbejnë popullit dhe atyre që kujdesen të jenë sa më të pëlqyer për të huajt dhe për fqinjët tanë.

“Epoka e re”: Në pjesën e dytë të vitit u aktivizua edhe Gjykata Speciale, e cila ka ngritur aktakuzë ndaj disa ish-krerëve të UCK-së. Cili është qëndrimi juaj për këtë gjykatë?
Mehmeti: Qëndrimi im është po ai që ishte para se kjo Gjykatë të themelohet: se ajo në njëfarë mënyre tregon se Kosova nuk është shtet, se Kosova nuk është shtet i së drejtës, se në Kosovë mund ta dënosh të varfrin e të pambrojturin, por jo edhe kriminelin e pushtetshëm e të pasur… As dikur, as tani, nuk kam dashur që kushdo qoftë, Kosovën ta nënvlerësojë aq shumë, sa atë ta shpallë thuajse në ‘joshtetë’. Ajo ka shumë probleme lidhur me shtetbërjen, por në këtë Ballkan nëse ka ndonjë shtet ku nuk dënohen kriminelët e luftës, ai është Serbia, e jo Kosova. Madje nuk është Kosova vendi që u paraprinë shteteve ku ligji e drejtësia kanë përkatësi etnike, sepse e keni Maqedoninë, ku vetëm sa iu përket burgjeve, dënimeve drakonike si dhe proceseve të montuara gjyqësore, shqiptarët janë më të ‘privilegjuarit’.

 “Epoka e re”: Aktakuza ndaj z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi nga shumëkush është cilësuar si tendencë për ta kriminalizuar luftën e UÇK-së. A po tentohet ndryshimi i historisë përmes kësaj gjykate?

Mehmeti: Jo tani, por prej moti disa qarqe perëndimore e kanë filluar procesin që të gjithë neve popujve të këtyre hapësirave të na barazojnë në fajësinë dhe krimet që kanë të bëjnë me luftërat e fundit ballkanike. Pra duan që ta rishkruajnë historinë tonë duke na barazuar të gjithëve me të gjitha, duke barazuar pra viktimat me kriminelët, duke na paraqitur të gjithëve si popuj ‘barbarë’, që nuk dinë të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin. Duhet thënë hapur: disa qarqe perëndimore duan që neve shqiptarëve të na barazojnë me kriminelët serbë, edhe pse e dinë se ata erdhën e vranë shqiptarë dhe se asnjë nga ne nuk shkoi kudo qoftë në ndonjë vendbanim të Serbisë që të vret e të plaçkitë serb. Pastaj duke dashur ta mbulojë të vërtetën se luftërat e fundit në Ballkan, me shumëçka e shpërfaqin fytyrën e pagrimuar të Evropës, Perëndimi do ta rishkruajë historinë e ballkanasve, do që ai të rrëfejë për atë që ne përjetuam. Edhe Gjykatën Speciale e shoh si pjesë të orvatjeve që të gjithë të barazohemi në të gjitha, që në Ballkan të mos ketë kriminelë e viktima, por popuj që i barazon krimi!? Është e turpshme, e padrejtë dhe shumë e pamoralshme që të ngresh aktakuza kundër drejtuesve të UÇK-së, e ndërkohë, presidenti i Serbisë, i dalë nga kapota e Millosheviqit, është po ai që publikisht kanosej se për një serb të vrarë do të vriten qindra myslimanë. Dhe kur barku i tokës serbe është përplot me viktima të pafajshme shqiptare, me kufomat e grave dhe fëmijëve që u vranë nga duart e kriminelëve serbë, kriminelë shumica e të cilëve jo vetëm se nuk u dënuan për krimet e bëra, por shëtisin lirshëm nëpër Serbi e nëpër Evropë! Të merremi vesh: kurrë nuk do ta mohoj se kam kërkuar nga Kosova t’i dënoj ‘kriminelët e paqes’ që atë e plaçkitën. Por kurrë nuk do të pajtohem që përfaqësuesit e UÇK-së, që ata të cilët luftuan për ta çliruar vendin e vet, të gjykohen e të dënohen nga jashtë Kosovës nga gjykatës të huaj, të cilët për asgjë nuk i japin llogari Kosovës. Dua që vetë Kosova t’i dënojë të gjithë keqbërësit e saj, nëse ajo i ka, sepse e di se përderisa qytetarët e Kosovës do të dënohen nga gjykatësit e huaj, kjo do të thotë se ajo ende nuk është shtet, se ende nuk mund të përballet me të gjitha fytyrat e veta. E kam thënë dhe gjithmonë do ta them: se Kosovën e defaktorizuan si shtet dhe, se asaj ia sollën edhe Gjykatën Speciale, disa ‘komandantë’ të deridjeshëm, e politikanë të sotëm, që donin t’u takojë edhe lavdia e luftëtarit, edhe hajnia e politikanit. Njësoj siç e kam përsëritur shumë herë, se Gjykatën Speciale Kosovës ia sollën disa nga ‘komandantët’ që ndaj vendit të vet u sollën si mercenarë, të cilët nuk ndërtonin institucione shtetërore që do ta forconin shtetin e do t’u shërbenin qytetarëve, por që ata do t’i mbronin nga populli e ligji.

 “Epoka e re”: Mund t’i sjellë ndonjë pasojë shtetit të Kosovës kjo gjykatë?
Mehmeti: Sipas meje, pasojat do të jenë të mëdha dhe afatgjata. Në mos më shumë, kjo gjykatë do të ndikojë në rritjen e mosbesimit ndaj sistemit juridik në Kosovë, siç do ta rritë bindjen se Kosova nuk është shtet ligjor.

“Epoka e re”: Në procesin e dialogut me Serbinë është arritur marrëveshja e Uashingtonit. Cila mendoni se është rëndësia e kësaj marrëveshje?
Mehmeti: Kjo marrëveshje është e rëndësishme vetëm për ata që u fotografuan bashkërisht gjatë nënshkrimit të saj. Dhe ajo është e rëndësishme për Serbinë e jo për Kosovën. Vlerësoj se takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte shumë i nevojshëm për presidentin serb, për të cilin, më në fund, edhe Uashingtoni duhej ta bënte atë që paraprakisht e kishte bërë Brukseli: ta shpërlante nga e shkuara e tij luftënxitësi dhe ta promovonte në paqendërtues të epur.

 “Epoka e re”: Ndërsa procesi i dialogut në Bruksel nuk ka pasur ndonjë përparim. Si duhet të sillet Kosova me këtë proces?
Mehmeti: Kosova duhet ta kuptojë se prej moti atë nuk e rrezikojnë fqinjët, por burrështetasit e saj që kanë xhepa të thellë e tru të cekët politikë. Pastaj Kosova kurrë nuk duhet të harrojë se bashkëbisedon me një Serbi të cilën e drejton Kisha Ortodokse Serbe, e jo burrështetasit e saj, apo institucionet e shtetit. Pra, Kosova duhet ta kuptojë se disfata e saj nuk qëndron te fqinjët që askush nuk mund t’i zgjedhë, por te burrështetasit e saj që vetë ajo i zgjedh e të cilët nuk e kanë kuptuar se Kisha Ortodokse Serbe është forca e padukshme destabilizuese e Ballkanit, se ‘pronat’ e kësaj kishe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi janë ‘mina me sahat’ që ajo i ‘shpërthen’ sa herë që do ta pengojë forcimin e këtyre shteteve. Kosova së pari duhet të definojë shumëçka që ka të bëjë me shtetësinë e saj dhe vënien nën kontroll të tërë territorit të saj, e pastaj të ulet e të dialogojë me cilindo qoftë.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaja për zgjedhjet e reja nacionale dhe vitin 2021? Çfarë mund t’i sjellin Kosovës?
Mehmeti: Qysh gjatë bisedimeve për formimin e qeverisë LV-LDK e kam thënë se zgjedhjet janë zgjidhje për mosmarrëveshje mes këtyre dy partive, se popullit duhet t’i jepet mundësia ta korrigjojë vetveten, duke i çuar drejt zhbërjes ato parti që e “zhbënë vendin”, e të cilat i kryeson LDK-ja. Pres që populli ta dënojë LDK-në, e cila shtetin e sheh si grazhd për t’i ushqyer të fortit e partisë, e ta risjellë në pushtet Vetëvendosjen që shtetin e sheh si kopsht që duhet mirëmbajtur e pasuruar. Por mbetet ajo që e thashë më lart: është e vështirë të realizohen synimet e drejtuesve të LV-së në një Kosovë ku populli voton, por ku shumëçka varet nga vullneti i të huajve dhe i ‘Listës srpska’, e cila i shërben Beogradit.

Muhamet KOCI

PËRGJIGJU