Komiteti i Gjilanit apelon qytetarët dhe subjektet afariste që t’i respektojnë vendimet shtetërore për ruajtjen e shëndetit publik

0

 

Pas vendimit të ri të Ministrisë së Shëndetësisë, ku Komuna e Gjilanit është kategorizuar në zonën me rrezikshmëri të lartë, Komiteti komunal për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, në përputhje me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës, do t’i marrë të gjitha masat për parandalim të përhapjes së virusit.

Komiteti apelon qytetarët dhe subjektet afariste që t’i përmbahen vendimit të fundit të qeverisë, qëllimi i të cilit është për ruajtjen e shëndetit publik.

Gjithashtu, Komuna, përmes institucioneve të saj, do të mbikëqyrë zbatimin e masave dhe të do vazhdojë operacionet në funksion të parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Masat për Komunën e Gjilanit, sipas kategorizimit të ri, janë si vijon:

Ndalohet lëvizja e qytetarëve jashtë shtëpive/banesave të tyre nga ora 21:30 deri në orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore të dokumentuar në mënyrë të përshtatshme, duke përjashtuar nga kjo masë personelin shëndetësorë, të sigurisë, të drejtësisë dhe të ngjashme;

Ndalohen hyrje-daljet e qytetarëve dhe automjeteve në territorin e komunës përkatëse nga ora 21:30 deri në orën 05:00, përveç: Personelit shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme, Qytetarëve për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim, dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim, barna për njerëz dhe kafshë e shpezë), Operatorëve ekonomik dhe transportit të mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit, Kompanive ndërtimore, Operatorëve që kryejnë punë publike.

Operatoret ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-21:00.

Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-21:00.

Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00-21:00, ndërkaq pas orës 21:00 punojnë vetëm me shërbim “porosi me dërgesë”.

Institucionet publike dhe private obligohen të punojnë vetëm me staf esencial, i cili staf përcaktohet me vendim të secilit institucion në veçanti;

Transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”; Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”; Institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë vetëm deri në orën 21:00 duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, ku gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave deri ne 50 persona, gjithmonë bazuar në protokolle vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”./GJILANI.INFO/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here