Kumti

0

 

Nga: Halil Matoshi (2001)

Në televizor u shfaq kryeministri i ngrysur.

– “Vendi ynë demokratik ka disa probleme, por demokracia, ligji dhe shoqëria civile janë prioritete që shtetasit do t’i mbrojnë të pacenuara, dhe…” – shefi i propagandës buzëqeshi vetmevete.

– “Mos rrej…” – foli ndër dhëmbë dhe ndali televizorin.

Në sheshin qendror, të nesërmen, në oazën e blertë, u gjet një qytetar i vrarë para kushedi sa ditësh. Kalimtarët e kishin pandehur për të fjetur. Dhe, akëcili që i ka rastisur të kalojë atypari, në akëcilën kohë, ka vënë re një njeri porsa të fjetur…

“Edhe unë sot kam parë një trup të pajetë!” – i kish pëshpëritur shefi i propagandës mikut të tij të vjetër nga turma kureshtare dhe ishte zhdukur, andej dikah, në një humbëtirë të akëcilët kuart të qytetit, prej nga kurrë nuk është dëgjuar asnjë lajm i vërtetë. Në anën tjetër të rrugës, prapa kontejnerit të plehrave, ishte gjetur edhe një tjetër njeri pa kokë, këtë e vërtetonte një grua që posa kishte ardhur në zyrën e sigurisë publike…

– “Një trup i sakatosur…” – tha ajo dhe iku duke ia zënë frymën klithmës së vet me dorë.

Para sportelit të Ministrisë së Rendit po priste një grua e moshuar.
– “E mjera u – iu drejtua ajo policit të ri, – para njëzet e katër orësh më është zhdukur i vetmi djalë”!? Polici shënoi diç në një notes dhe iku pas alarmit.

Qytetarë të shumtë të guximshëm ishin tubuar që më natë para zyrës qendrore të Qeverisë për të marrë informata se ç’mister po i hante njerëzit!? U hap fjala se një lubi bridhte nëpër qytet natën dhe gëlltiste secilin që…

– “Gjithçka është e mundshme” – flisnin zyrtarët me një qetësi të rrallë.

– “I morën”, – foli shkurt nga trapazani halla Hakë, teze Hoka sikur u bë se nuk e dëgjoi: “I di qeveria këto punë, ë…”!? , – ia ktheu dhe u zhduk pas avlisë.

Ministri i Çështjeve Civile u pa nga miqtë që e njohën tek e shpienin të pranguar në postkomandë. Sa fryheshin fjalët, turma mblidhej e mblidhej. Nga mesdita shefi i propagandës u ballafaqua me turmën me një mirësjellje të habitshme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here