Hyrije Jusufi dhe lirika e saj metaforike

0

 

Baki Ymeri

Këto ditë e pa dritën e botimit në Bukuresht, antologjia “Dhurata hyjnore” me një poete të talentuar shqiptare (Hyrije Jusufi), dhe me tre poetesha rumune (Silvana Andrada, Flori Gombos, Adela Conciu). Qëllimi qëndron te afirmimi dhe përforcimi i urave të miqësisë ndërmjet kulturës shqiptare dhe asaj rumune. Proporcioni i përfaqësimit (një me tre) nuk është i barabartë, por rëndësi ka fakti se poeteshës shqiptare në këtë vepër i janë rezervuar 43 faqe me poezi dhe vlerësime kritike, kurse poeteshave rumune nga 15 faqe. Këtë vepër të bukur e dinamizon një parathënie briliante e Visar Zhitit të famshëm me titullin “Ftesa e një antologjie”.

Hyrije Jusufi u lind (05.10.1967) në fshatin Rahovicë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Preshevë. Ka diplomuar në degën Bankë dhe Financa në Fakultetin “ILIRIA” në Prishtinë. Është pjesëmarrëse nëpër aktivitete kulturore, fillet e së cilës nisin në shkollë fillore, pastaj në qytetin e Preshevës, për të vazhduar me pjesëmarrje aktive nëpër aktivitetet kulturë të Shkrimtarëve Shqiptarë në Evropën Perëndimore. Është anëtare e Korit “Lyra”, në Cyrih dhe është prezantuar në libra të përbashkët me autorë të tjerë. “KTHINAVE TË JETËS”, është libri i parë i saj. Hyrije Jusufi, jeton dhe krijon në Cyrih të Zvicrës. Në vazhdim po japim vlerësimet kritike të Zt. Shefqet Dibrani me titullin “Lirika si element ekzotik i metaforës poetike”.

„Në vjeshtën e vonë të vitit që iku, (mbase tashmë kohë e harruar), sikur na bëhet se ajo ngjarje paska ndodhur shekuj më parë. Ndoshta nga hallet e shumta, nga angazhimet, apo nga dinamika e jetës në mërgim, harrohen gjërat?! Por e di se me të mbaruar një aktivitet kulturor i mbajtur në Cyrih, nëntor 2019, një tubë krijuesish ishin ulur në kthinat e një restoranti. Derisa ata rrufitnin kafet dhe qanin hallet për jetën e tyre në dhé të huaj, e dikush e thoshte ndonjë fjalë edhe për letërsinë, përballë ishte ulur një grua, që për simbolikë të “nëntorit e kafenesë”, shpërndante librin e saj të parë: “Në këtë ditë nëntori lë gjethet nën këmbë/ Eci kujdesshëm/ Deri te kafeneja e preferuar e pjesës së qytetit tjetër/ Mënjanë rrahë kambana e kishës gri/ Në krahun e kundërt rrotullohen akrepat/ E premtja është lutja ime e vjetër”, poezia “DITË NËNTORI”, faqe 27.

M’u bë se këto vargje përshkruanin atmosferën e atij diskutimi për vlera kulturore, për poezinë dhe librat. Siç e thamë, autorja dedikonte fjalë miradije për miqtë, (në mesin e tyre edhe për mua). Ishte libri i saj i parë, mbase ishin ndjenja, diçka e pazakontë, po më shumë dukej sikur ajo shpërndante dhembjen që bashkë me ato dedikime lirike e poetike lexohej kureshtja dhe gëzimi i saj. Poeteshën e kisha takuar edhe më parë, por nuk njiheshim mjaftueshëm, as nuk ia kisha përcjellë poezinë, megjithatë “Syri i saj plot dashuri/ E njeh e ndien/ Zjarrin përvëlues në shpirt”, (f. 71), bëri ta tërhiqte edhe vëmendjen e të pranishmëve të tjerë.

Çfarë përshtypje krijohej në ato çaste? Ç’ndjenjë shfaqej, ç’përfytyrim kishte poetesha? Sigurisht “Do të jesh e bukur/ Nuk kam dyshim fare/ Nga sprovat e jetës/ Bëhesh më e madhe”, (f. 63), janë vargje që disi personifikonin madhështinë dhe karakterin e saj, e sikur të mos i shihej fytyra dhe zbehtësia në mimikën, nuk do ta zbërthenim e as kuptonim seriozitetin e përkushtimeve që bënte. “Kur mendova që u kompletuam/ Më gjuajti koha me fatkeqësitë e veta/ U bë ajo e egër me mua/ E valët e saj shpirtin tim turbulluan”, (f.56). Sikur t’i kisha lexuar më parë këto vargje, ndoshta qëndrimi i saj nuk më kishte bërë aq kureshtar, veçmas përkushtimi, pastaj ndjeshmëria ishte virtyte tjetër dallues. Ky mendim përforcohet në vargjet: “E dhembshme/ pasqyrë që trishtimi të mbytë/ Kur e din që më në të nuk sheh fytyrën tënde/ Nuk e njeh vehten/ Edhe qielli ka ndërruar ngjyrën/ Gri është bërë gjithçka/ Ka marrë unin tim me vete”, (f.43).

Derisa ne flisnim shkujdesshëm, mëtanë tavolinës dora e saj dridhej, pastaj një shikim zhbirues drejt syve të atij që ia dhuronte librin, pa dyshim emocione të veçanta. Herë, herë fytyra e saj e mermertë merrte pamje tjetër, sikur bëhej një ndriçim flakërues. Ndoshta ajo kishte arsye, pasi dhuronte pozitë së bashku me dhembjen artistike, për më shumë me dedikim, një përzierje, ku ta di… nuk po them më shumë se sa shihej nga reaksioni i saj, e sikur, “Buzët ishin bërë qershi/ Ylber ngjyrash/ Shpresë dhe dashuri/ Pse të vetëvriten ëndrrat/ Heshtje qetësi”, (f.39), mbase turbulencë ndjenjash, po më shumë emocione që shfaqeshin. Megjithatë me ata gishtat që shtypte lapsin, dukej sikur po i jepte forcë mendimit, e pse jo për t’i dhënë edhe më shumë peshë atij përkushtimi, që vendoste në faqet e secilit libër. Pastaj mu duk sikur debatoi me heshtjen që e gërryente për brenda.

M’u bë sikur dora e fortë që shkroi atë dedikim të fuqishëm, ia shkarkoi energjitë që përjetonte, bashkë me ngrohtësinë që buronin nga lirikat e futura thellë në libër. Pikërisht kjo gjendje përjetohet edhe në këto dy vargje: “Ajo vapë përcëlluese ma thau edhe lotin/ Si vjeshtë e vonë mbeta, dru pa asnjë frutë”, (f. 12). Vargjet duket të jenë metaforë e përjetimit të mundshëm, por siç duket ajo vjeshtë e vonë, edhe aty nuk kaloi pa vapë dhe pa lot shpresash të thyera. Vërtetë, fliste pak, e vështrimin e saj zhbirues e treti diku Kthinave…, për të fshehur dhembjen e futur edhe në fletët e librit ose për ta ruajtur të fresket në zemrën e saj. Vargjet që i cituam, me kaq ndjenjë dhe të përjetuara nuk janë të vetmet, ndonëse në unin e saj manifestohej një karakter i fortë qytetar, një stoicizëm njerëzorë, një përkushtim femëror.

Karakteristikat që shpërfaqeshin në pamjen e Hyrije Jusufit, ishin qëndrim i një gruaje poetesh, që i lexohej ngazëllimi dhe suksesi kur shpërndante librin e parë. Tash kur po i lexojmë lirikat, përjetimet, dhembjen e jetuar, qoftë edhe si fantazmë “KTHINAVE TË JETËS”, poezia na bëhet më njerëzore, më e përjetuar. Qëndrimi mjaftë karakteristik i fshihej diku nëpër “kthinat e jetës”, jo vetëm si metaforë, por më shumë si realitet i përjetuar. Një grua mërgimtare, sfidat dhe risocializimi në shoqërinë e re, e bëjnë motivin e poezisë edhe më karakteristik. Andaj dukej se edhe atë ditë, nuk ishte pa dhembje, ndoshta shumë sish edhe të harruara?! Janë këto motive pse themi se nuk ka njeri që nuk ka kujtime e përjetime, nuk ka brenga, e ndodhi të përjetuara thellë?! E si të gjitha ngjarjet, me kalimin e kohës edhe përjetimet tretën, veniten e fashiten bashkë me “Kthinat e jetës?!”, të cilat do të qetësoheshin dhe do të harroheshin, po sikur poetesha të mos bulëzohet e të mos lulëzonte me këto lirika, dhe bashkë me këtë blerim, të mos i riaktualizonte kujtimet. Motiv ky, të cilin e ndeshim në titulli e librit, që përveç simbolikës është një dedikim metaforik për puthje nate për ndjenja dëshpërimi:

Aq fort më përqafoi vetmia

Kur të humba ty

Nga forca e saj e madhe

Njoha vetveten

Fillova ta dua

Ta çmoj

Njoha durimin

Dhe në këtë rrugë

Do të qëndroj

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here