“Vishaku”

0

 

Adem Nimani

Rrëfimi për Dem Osmanin ose “Mixhën” nga fshati Cerkolez për aksionin jugosllav të “vishakut” (kinse teprica e miellit që duhej ta dorëzonin shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore, e që në fakt ishte aksion i krijimit të zisë së bukës – v.j.) dhe për zbatimin e masave të përgjakshme për çarmatosjen e shqiptarëve, pat mbetur gjatë në heshtje të thellë, dhe vetëm pas shumë vjetësh nisën të dalin në dritë pak inserte të pasojave që kishte lënë ajo dhunë, që goditi shqiptarët me uri. Edhe me këtë aksion, pushtuesi serb kishte qëllim dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre. Dosjet e aksionit të “Vishakut”, Serbia i mban edhe sot me emër e mbiemër në arkivat e saj në Beograd.

Punë për një kilogram misër!

Për sa kohë zgjati aksioni i “vishakut”, po të gjente dikush të punonte diku me mëditje, ishte premi. Nuk kishte dallim mëditja e mjeshtrit apo punëtorit. Ata që gjenin punë ditore për një kilogram misër, e konsideronin vetën me fat. Gjatë gjithë asaj kohe, popullata shqiptare me ditë të tëra ka vuajtur nga uria. Secili prind ishte i lumtur kur siguronte një shujtë të varfër vetëm për fëmijë, e kjo ishte si ilaç për qetësi shpirtërore për të gjithë ata që kaluan ferrin pa vdekur nga uria. Askush asnjëherë nuk ka bërë ndonjëherë bilancin e pasojave që la pas aksioni i quajtur “Vishak” dhe numrin e të vdekurve nga uria gjatë asaj periudhe.

Pasi shqiptarëve ua morën edhe bagëtinë për mish, ushqimi i kafshëve mbeti nëpër mullarë dhe nëpër pleme. Shqiptarëve iu mor çdo gjë përpos ushqimit të kafshëve. Serbia nuk u la shqiptarëve as drithë për farë. Kështu, në vjeshtën dhe pranverën e vitit vijues pas “çlirimit!”, shumëkush nuk pati çka mbjell. Plani djallëzor serb ishte menduar kohë të gjatë për të goditur shqiptarët me masa sa më të rënda dhe me pasoja afatgjata, në mënyrë që ata të mos mund të mendojnë për çfarëdo mëkëmbje me vite, duke ua shuar çdo shpresë edhe për të mbjella, në mënyrë që të shpërngulen përfundimisht.

Edhe ndonjë individ shqipfolës, bashkëpunëtorë i Serbisë nuk mund të ndjehej komod edhe po të kishte fshehur pak drithë rezervë për vete, pasi gjithçka që frymonte shqip ishte rrezikuar për shfarosje dhe zhbërje.

Mullinjtë që bluanin me ujë (të tjerë nuk kishte), pushtuesi serb kishte menduar me djallëzi t’i shfrytëzonte si kurth për shqiptarë, duke mos ndaluar me ligj punën e tyre. Në këtë situatë, mullinjtë ishin në fokus të vëzhgimit dhe si pika vrojtuese për të evidencuar dhe goditur këdo që mësynë për të bluar.

Nuk ishin pak mullinj. Treva e Runikut, e njohur për burime të shumta uji, kishte familje të mëdha e të forta që posedonin edhe mullinj, qoftë vetëm për nevoja familjare. Ndalimi i punës së mullinjve dyfishoi pasojat e dhunës serbe. Shumica e këtyre mullinjve gjendeshin përgjatë rrjedhës së lumit Gujavç, i cili bashkon shumë burime të vogla e të mëdha uji që nga bjeshkët mbi Syriganë dhe vazhdon derisa bashkohet me Drinin e Bardhë. Mulliri ishte mundësia e vetme për të bluar, qoftë edhe për një familje, por edhe sillte pak fitim për mullisin dhe familjen e tij, dhe vlerësohej pasuri e madhe për kohën.

Në Kostërc, mbi përroskën që përshkon fshatin, asokohe, ishin aktivë tre mullinj: Mulliri i Halit Abaz Nimanit, Mulliri i Shaban Idrizit dhe Mulliri i Halit Brahimit. Në Padalishtë (sot Pemishte), në rrjedhën e lumit Gujafç ishin aktivë: Mulliri i Murat Ukës që ka punuar me ndërprerje deri në vitin 1974; Mulliri i Sadri Avdi Loshit, Mulliri i Daut Loshit; Mulliri i Ramë Beqirit dhe dy mullinj të serbëve – Mulliri i Gjurgje Tomasheviqit dh ai i Kolë Shapiqit,

Në fshatin Syriganë asokohe bluanin rregullisht: Mulliri i Beqir Demirit; Mulliri i Lagjes së gjerë Ukaj; Mulliri i Lagjes Kadrijaj; Mulliri i Lagjës Koburaj, i Lagjes Loshaj të Syriganës dhe Mulliri i Lagjes Kajtazi. Mullinjtë nuk kishin kapacitet të njëjtë për të bluar, por ishin të domosdoshëm për jetë. Mullinjtë me fuqi më të madhe bluanin edhe për fshatrat më të largëta. Vetë numri i mullinjve dëshmon për burimet e shumta të ujit dhe njerëzit punëtorë të trevës së Runikut me 11 fshatra. Edhe goditja serbe përqendrohej pikërisht aty ku dëmton më shumë shqiptarët, si në rastin konkret. Ashtu siç thotë fjala e urtë popullore: “Me një të rame, dy të vrame”!

Në fshatin Banjë, afër burimit të ujit të ngrohtë, ishin pesë mullinj të vegjël në pronësi të kolonëve serb të cilët ishin ndërtuar e vendosur njëri pas tjetrit në distancë të vogël dhe bluanin për nevoja të fshatit të tyre, mbushur me kolonë. Nuk ka dëshmi se ndonjë mulli ka bërë dallim të myshterinjve, qofshin ata shqiptarë, serbë apo malazias. Mirëpo, pushteti serb bëri dallimin me masat e tij duke ua marr drithin shqiptarëve, por jo edhe serbëve. Mullinjtë që ishin edhe më larg rrugës kryesore, pasi nuk kishin guxim të bluajnë ditën, për nevoja të jashtëzakonshme bluanin natën, vetëm me rojë. Bluanin sasi të vogla drithi, kryesisht për miq e shokë dhe nevojtarë. Në të shumtën e rasteve, drithin që kishte fshehur dikush, e dërgonte natën në mulli. Për t’iu shmangur milicisë, fshatari shqiptar, zakonisht, duhej të zgjidhte motin e lig e jo kur është koha mirë për të shkuar në mulli, për t’iu shmangur belasë që mund ta godiste rrugës. Edhe mullisi që vendoste për të bluar, rrezikonte dënimin me konfiskim të drithit apo miellit. Ai që kishte sjell drithin për ta bluar, jo vetëm që i konfiskohej mielli po dënohej me burg – pa gjyq fare së bashku me mullisin.

Në këtë gjendje, në raste të rralla, edhe ndonjë serb lokal, tinëz ka ndihmuar ndonjë familje shqiptare me sasi të vogla mielli apo drithi, por në fshehtësi të madhe. Një mulli serb ka bluar pa ndërprerë. Dhe, po të kishte dikush drithë për të bluar, mund ta bluante tek ai i sigurt se nuk lajmëron policinë. Dihet ky rasti konkret në Syriganë, por pronari i atij mulliri nuk ka pasur mundësi t’ia garantojë sigurinë myshteriut gjatë rrugës. Ka ndodhur që dikush të mos ketë arritur në cak dhe drithin t’ia kenë konfiskuar milicia në rrugë.

Sa më shumë që pushtuesi serb u hipte në qafë shqiptarëve, shtohej solidariteti e humanizmi mes tyre! Shqiptarët, miq, shokë e jaranë u gjenden në sprovë të rëndë në të njëjtën kohë dhe nga i njëjti armik. Huaja qe bërë e zakonshme. Gjatë kësaj periudhe u lidhën edhe shumë miqësi të reja e të forta, që nuk harrohen. Në këtë gjendje, në shumë raste, më sasi të vogla, miellin ia jepnin njeri-tjetrit kryesisht falas. Jo pak herë ka ndodhur që ajo sasi e vogël mielli, që njeri ia jepte tjetrit, të kalojë nëpër tri-katër palë duar për të mos mbetur dikush pa bukë në sofër, qoftë edhe për një ditë. Të paktë kanë qenë ata që nuk i kanë ndihmuar tjetrit, edhe kur për veti kishin miell vetëm për një ditë. Thjeshtë, bëhej luftë për të mbijetuar me çdo kusht në trojet stërgjyshore. Gjithë ky solidaritet kalonte në heshtje të madhe dhe ishte krejt sekret. Kushdo që zbulohej rastësisht e priste burgu.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here