Vajza nga Vokshi, specialiste e kardiologjisë

0

 

Ajo ishte mjekja më e re që ju ofronte ndihmën e nevojshme shëndetsore edhe në gjuhën shqipe

-Është kjo Valdrina Alaj, e cila para dy dekadave erdhi në Suedi dhe tani është specialistja më e re në lëmin sëmundjeve të zemrës.

Në mesin e shumë vajzave shqiptare, të cilat u detyruan të migrojnë gjatë kohës së luftës ishte edhe e reja Valdrina Alaj. Ajo bashkë me familjen e saj ia kishte mësyrë Suedisë për një kohë të shkurtër, duke menduar që me krijimin e kushteve më të mira të kthehen përsëri në vendlindjen e tyre, në Drenoc të Deçanit. Mirëpo, gjendja e vështirë dhe situata e rëndë që ishte në Kosovën e pasluftës bën që familja e saj të vendoset në një qytet të vogël në Blekinge të Suedisë.

Dëshira e Valdrinës për të vazhduar shkollimin ishte shumë e madhe. Ajo lexonte me orë të tëra për të kompensuar mësimet që i kishin mbetur përgjysmë për shkak të luftës në vendlindje. Ambicet e saj u shtuan sidomos pas sukseseve të treguara në gjimnazin e Karlshamnit, ku arriti që brenda një viti t’i mbarojë dy vite gjimnaz. Pas mbarimit me sukses shembullor të gjimnazit, Valdrina pranohet në Universitetin e Mjeksisë (Medical University of Bialystok) në Poloni.

Ndonëse larg familjes dhe në gjuhë të huaj, ajo me përkushtim të jashtëzakonshëm arrin rezultate të dalluara si në lëndët profesionale, poashtu edhe në ato praktike, duke tërhequr kështu edhe vëmendjen e personelit shkencor. Puna dhe angazhimi i saj u shpërblyen me përfundimin me sukses shembullor të studimeve gjashtvjeçare dhe ndarjen e diplomës mjeksore nga ana e këtij  institucioni të lartë shkencor. Kthimi triumfues i Valdrinës si mjeke në Karlshamn ishte mirëpritur jo vetëm nga familja, por edhe nga mbarë komuniteti shqiptar të cilët në atë kohë jetonin në pjesën juglindore të Suedisë. Ajo ishte mjekja më e re që ju ofronte ndihmën e nevojshme shëndetsore edhe në gjuhën shqipe.

Mjekësia-motiv frymëzimi për studime të mëtutjeshme

Mjekësia si një lëmi komplekse dhe shumë interesante, tashmë ishte bërë pjesë jetë së Valdrinës.  Gjatë viteve të para të punës së saj si mjeke e praktikës së përgjithshme, më vonë si mjeke e licencuar, si dhe kontaktet e përditshme me pacientë, zgjuan kureshtjen e saj për vazhdimin e punës kërkimore- shkencore në një fushe specifike të mjekësisë siç është kardiologjia.

Me një vullnet të jashtëzakonshëm ajo u përqendrua në studimin më të thellë të kësaj lëmie sa interesante aq edhe të dobishme për njerëzimin. Pas pesë viteve të punës së suksesshme në këtë fushë specifike të mjekësisë, Valdrinës në fillim të këtij viti iu nda titulli specialiste e kardiologjisë, që padyshim është specialistja më e re e kësaj fushe në Suedi. Sot, ajo punon në spitalin e Karlskronës dhe është ndër mjekët kryesor të këtij institucioni shëndetësor.

Planet dhe dëshirat e Valdrinës janë shumë ambicioze. Në të ardhmen ajo mendon të vazhdojë të punojë si specialistes e sëmundjeve të zemrës për të arritur pas pesë viteve titullin e shumë dëshiruar; profesor docent dhe mbase një ditë, me dijen dhe njohuritë që ka marrë nga universitetet prestigjioze, të ofrojë përvojën e saj shkencore për sëmundjet e zemrës edhe për popullin e saj në Kosovë.

Feriz Ferizi

Ish-gazetar i RTP-së

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here