Asgjë nuk do të jetë si më parë!?

0

 

Fadil Lepaja

Asgjë nuk do të jetë si më parë, pat thënë dikush duke menduar në kohën pasluftës me koronavirusin. Në politikë, pas “fenomenit” Trump asgjë nuk do të jetë si më parë, po ashtu. Tronditja dhe reagimi ishin planetar. Kush nxjerr mësim do të dal në breg pasi të bjerë niveli i ujit.

Ndërkohë, në lagjen tonë ballkanike, vetëm një vit më parë presidenti serb nuk pranonte të kthehej në tavolinën e bisedimeve pa u hequr taksa dhe reciprociteti. Sivjet nuk po e lut askush. Nuk po e pyesin për asgjë. Ka mbetur jashtë vëmendjes dhe po pret thirrjen për bisedime. Por, bisedimet nuk janë prioriteti i parë, i dytë, madje as i tretë i qeverisë së re kosovare. Janë vetëm prioriteti i katërt! Zyrtari i lartë evropian kur u kthye në Bruksel, nuk e përmendi fare presidentin serb as kushtet e tij, por u lavdërua se kishte arritur suksese në Prishtinë. Nga prioriteti i gjashtë, ai, me angazhimin e tij kishte arritur që dialogun me Serbinë të e zhvendoste në vendin e katërt të listës së prioriteteve të qeverisë së re.

Serbët në përgjithësi i kap ankthi kur nuk janë në qendër të vëmendjes botërore. E kanë nisur, thonë, një luftë botërore dhe e kanë nxitur të dytën. Tash, shikuar realisht, edhe Beteja e Kosovës në shekullin XIV njëfarë lufte botërore ishte, sepse aq ishte bota atëherë. Nuk kishte as “Instagram” as “Facebook” as “Twitter”. Nuk kishte… asgjë. Fjala nuk kishte peshë nëse nuk e flisje maje kali apo duke dhënë shpirte në betejë. Çudi si bëhej politika.

 

Nejse, e kam fjalën për serbët politikë, ata institucionalë. Përfaqësues tipik i kësaj mendësie duket të jetë vet presidenti i Serbisë. Miti i shtetit dhe udhëheqësit, i cili vazhdimisht krijon probleme ndërkombëtare dhe kështu faktorizon veten dhe vendin, vazhdon të jetë dominues. Sa më të mëdha problemet që ja krijojnë botës, aq më shumë vëmendje merr ky lider dhe aq më i madh bëhet në projeksionin e epikës kolektive. E keqja e madhe e këtyre miteve qëndron te kundërthënia: është vështirë të bëhesh mit dhe të vazhdosh me postime në rrjete sociale. Të demitizojnë sa hap e mbyll sytë. Mjafton veç një “cicërimë”. Apo edhe më keq, mund të postosh e të mos vihesh re.

Kështu i ndodhi edhe presidentit serb. Ai zakonisht arrinte të jetë turbulent dhe turbullues. Kësaj radhe edhe pse e mbuloi, më saktë e qëndisi hartën e Kosovës me flamur serb, edhe pse u përbetua në kryq, kjo nuk bëri punë. Edhe pse krejt këto i mbështolli me një trakt emocional për ngjarjet e marsit 2004, prapë se prapë vështirë se e vërejti kush. Edhe, kush e vërejti, nuk e mori seriozisht. Kjo veç është ëndërr e keqe për një burrështetas i cili mendon se ka mision historik të fitojë edhe betejën e humbur gjashtë apo të shtatë shekujve më parë në Fushë të Kosovës.

Ku e ka hallin ky njeri?

Kështu, një hartë e postuar në profilin privat në “Instagram”, nuk arriti të krijojë rrathë emocionesh në sipërfaqen tashmë të paqetuar të politikës kosovare as asaj evropiane. Nuk arriti me tronditë e as të alarmojë askënd. Për një politikan i cili pretendon të luajë “lojën e Nastradinit” me qendrën e botës, së paku botës së tij të vogël politike, kjo është e tmerrshme. Mediat ndërkombëtare, sidomos, nuk i dhanë publicitetin e pritur një harte të Kosovës të mbuluar me flamur serb. Evropa “e krishtere” nuk i vërejti as fjalët e pa thëna por të aluduara për kryqëzatat dhe Jerusalemin. Në kohën e debateve për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, kjo po që kishte konotacionet e veta. Merre me mend, mediat në Kosovë nuk e “vërejtën” këtë hartë, madje nuk e cilësuan as si provokim. Provoko, provoko dhe nga përdorimi shlyhet edhe aura e tmerrit që i mbështjell deklaratat e tij.

Kësaj radhe ka ndërruar situata. Emisarët nuk po udhëtojnë për në Beograd, për të rifilluar bisedimet. Të gjithë po merren me prioritetet. Nuk është se Kosova mundet të refuzojë pafundësisht të ulet në tavolinën e bisedimeve, por do të ulet kur të ketë vërtetë kuptim dhe mundësi që të përfitohet nga biseda. Për këtë duhen ndërruar rregullat e “lojës”.

Sido që të jetë, shpejtë do të shihet si do të shkojnë Kosovarët në bisedime. Do të shkojnë duke kënduar apo zvarrë si e profetizojnë e disa, kjo mbetet të shihet. Në bisedime do të shkohet gjithsesi, sepse krejt kjo situatë mund të marr epilog vetëm me një marrëveshje qoftë histerike qoftë historike.

Shpejtë do të shihet edhe kapaciteti i Serbisë për të bllokuar dhe ndërruar kahe bisedimeve. Derisa presidenti merret me provokime virtuale, Kosova bën mirë të merret me prioritetet e deklaruara të qeverisë së re. Kjo mund të merret si fitorja e parë diplomatike e z. Kurti, përderisa ai e ka parasysh “forcën dhe fuqinë” e Kosovës në rajon.

A do të jetë vërtetë ndryshe kësaj radhe?

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here