Vilajeti i Kosovës dhe pushtimi serb

0

 

Adem Nimani

Profesori serb i shkencave politike, Damjan Pavlica, në studimin për marrëdhëniet serbo-shqiptare, mundohet të sqarojë se si Kosova hyri në Jugosllavi dhe se si doli prej saj. “Jam përpjekur të njihem me pikëpamjet serbo-jugosllave, me pikëpamjet shqiptare dhe të autorëve tjerë perëndimorë, për Kosovën. Kam zbuluar se, ashtu siç ndodhë zakonisht në konfliktet etnike, e vërteta nuk qëndron asnjëherë vetëm në njërën anë. Dominimi në Kosovë ka ndryshuar disa herë dhe dhuna e elementit dominuesit etnik ka sjellë edhe më shumë dhunë, gjë që zakonisht ka goditur etnikumin tjetër i cili më parë ka humbur dominimin”.

Qëllimi i tij, siç thotë, është “që të kontribuojë që auditori në Serbi të kuptojë më mirë çështjen e Kosovës dhe të ndriçojë disa aspekte më pak të njohura të historisë së këtij problemi”.

Në fillim të shekullit XX, Vilajeti i Kosovës ishte njësi administrative e Perandorisë Osmane, territori i të cilës ishte shumë më i madh seç është sot Republika e Kosovës, të cilën Serbia akoma “e sheh” si territor të saj, shkruan Pavlica. Realisht, Vilajeti i Kosovës nuk ka qenë kurrë pjesë e Serbisë. Ai territor, si njësi e organizuar administrative nën Perandorinë Osmane, përfshinte gjithë Kosovën, Sanxhakun, Luginën e Preshevës dhe Maqedoninë Perëndimore. Kryeqendër ishte Shkupi. Shumicën e popullatës e përbenin shqiptarët. Serbë kishte më shumë në pjesën veriore të Vilajetit që shtrihej deri në Rashkën e sotme në Serbi, ndërsa kah jugu i kësaj njësie administrative serbët ishin pakicë e parëndësishme.

Pavlica, në një studim të shkurtër me të dhëna nga dokumentet autentike dhe nga shtypi i huaj i kohës, thekson se në gjendje më të rëndë ekonomike e politike, në Vilajetin e Kosovës, ishin pakicat etnike të krishtera. Në studimin e tij vëren se diplomacia e Mbretërisë serbe i shfrytëzonte rastet e dhunës ndaj serbëve, në mënyrë që shqiptarët para botës t’i prezantojë si njerëz të egër të cilët Serbia duhet t’i nënshtrojë me pushtetin e saj. Në Serbi shqiptarët filluan t’i shohin si uzurpatorë të tokës serbe, duke harruar se serbët në mënyrë masive ishin larguar nga Kosova gjatë “ikjes së madhe” pas pushtimit osman. Në studimin e tij ai thekson se Serbia fliste për “të drejtën e saj historike” mbi Kosovën dhe se, sipas diplomacisë së saj, Kosova në Mesjetë paskësh qenë në përbërje të shtetit të Rashkës,

Nga viti 1904, qeveria serbe nisi të dërgonte njësi çetnike në Kosovë. Për shkak të krimeve që kryenin këto njësite mbi shqiptarë, pësonin edhe serbët vendas. Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kundërshtuan disa herë dërgimin e tyre ngase jo vetëm që nuk po e shtojnë sigurinë, por edhe po e shtyjnë popullin në dhunë më të madhe. Aksioni i çetnikëve serbë hasi në kundërshtim të fortë edhe të Austro-Hungarisë e cila këtë veprim e konsideronte si politikë serbomadhe

Pavlica shton se në fillim të shekullit XX, Kosova u bë epiqendër e Rilindje kombëtare shqiptare dhe e luftës për çlirim. Nga viti 1905 e deri në vitin 1912, shqiptarët bën kryengritje të vazhdueshme me qellim që të fitojnë autonomi kulturore, ekonomike e politike. Të gjitha këto kryengritje osmanët i shuan me gjak. Në vitin 1908 ndodhi revolucioni xhonturk të cilin shqiptarët e përkrahen në fillim, meqë Porta e Lartë u premtoi autonomi, zvogëlim të taksave dhe përmirësimin e kushteve të jetës. Posa e përforcuan pushtetin, xhonturqit centralizuan çdo gjë dhe veç gjuha turke ishte e lejuar të përdoret në administratë. Kjo shkaktoi protesta, pakënaqësi dhe kryengritje të shqiptarëve në Vilajetin e Kosovës

Në vitin 1909, konfliktet e para të armatosura shpërthyen në rrethinën e Gjakovës. Kryengritja e shqiptarëve me përmasa më të gjera filloi në pranverë të vitit 1910. Këtë kryengritje e përkrahu edhe Organizata Revolucionare e Maqedonisë që luftonte për autonomi të maqedonasve. Duke i parë këto zhvillime, pushteti xhonturk dërgoi ekspedita ndëshkuese nga Shkupi. Për tri ditë rresht, më 11-13 maj 1910, kryengritja e shqiptarëve u shua me zjarrin e armëve. Me këtë rast u vranë me qindra gra, fëmijë e pleq shqiptarë. Në vitin 1911, shqiptarët vazhduan kryengritjen në Kosovë dhe në atë që sot është Shqipëria veriore. Kërkesë themelore ishte njohja e kombit shqiptar dhe pranimi i autonomisë ekonomike, administrative, kulturore e ushtarake. Edhe kjo kryengritje u shua me gjak, në gusht 1911.

Kryengritësit shqiptarë edhe më tutje kërkuan vendosjen e autonomisë, tërheqjen e zyrtarëve të administratës osmane dhe përdorimin e gjuhës shqipe. Në vazhdim, ata pushtuan shumë qytete, si Gjakovën, Mitrovicën, Vushtrrinë e Prishtinën dhe për pak kohë morën nën kontroll gjithë Kosovën dhe Shqipërinë veriore, përfshirë edhe Shkupin. Në fillim të vitit 1912, shqiptarët filluan kryengritjen e përgjithshme në rajonet e Drenicës, të Pejës, të Gjakovës dhe të Shqipërisë veriore. Udhëheqës të kësaj kryengritjeje ishin Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri dhe të tjerë. Pas kësaj kryengritjeje të suksesshme të shqiptarëve, qeveria xhonturke dha dorëheqje. Pasi kryengritësit shqiptar arritën deri në Selanik, shkruan Pavlica, qeveria e re osmane u detyrua t’ua plotësonte të gjitha kërkesat e kryengritësve. Porta e Lartë, më 18 gusht 1912, e pranoi autonominë e Shqipërisë që përfshinte katër vilajete: Vilajetin e Shkodrës, të Kosovës, të Janinës dhe të Manastirit.

Shtetet fqinje këto zhvillime i panë si krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, pasi në territorin e këtyre vilajeteve kishte edhe pakica që nuk ishin shqiptarë. Sipas shteteve fqinje, kjo rrezikonte interesat e tyre nacionale, por realisht ato kishin pretendime territoriale. Kështu, hynë në luftë kinse kundër Perandorisë Osmane. Që në fillim të luftës, më 10 tetor 1912, krerët shqiptarë u tubuan në Shkup. Aty vendosën që në luftën që po afrohej, shqiptarët të mbrojnë territoret që i konsideronin të tyre, duke luftuar në anën e osmanëve. Ushtria serbo-malaziase, në tetor 1912 depërtoi thellë në territorin e Kosovës. Te Podujeva pati luftë të madhe. Por, afro 15 mijë ushtarë vullnetarë shqiptarë, nën komandën e Isa Boletinit, nuk ia dolën t’i kundërvihen Armatës së Tretë të ushtrisë serbe e cila pushtoi edhe Prizrenin dhe pjesën më të madhe të Shqipërisë, deri në bregdet.

Pas përfundimit të luftërave, territori i Vilajetit të Kosovës u aneksua nga Serbia dhe Mali i Zi, fakt të cilin historiografia serbe e paraqet si çlirim nga Perandoria Osmane, ndërsa pala shqiptare e konsideron okupim. Sipas terminologjisë se shkencave politike, termini aneksim është adekuat për këtë rast meqë bashkimi i këtyre territoreve u bë kundër vullnetit të përfaqësuesve të popullit shumicë shqiptar, pa asnjë lloj referendumi.

Krimet serbe mbi popullatën shumicë shqiptarë, gjatë pushtimit, i vërtetoi edhe një Komision i posaçëm ndërkombëtar. Në raportin e Komisionit Ndërkombëtar për Luftërat Ballkanike thuhet se Ushtria serbe shumë fshatra shqiptare i shndërroi në krematorë. Popullata e pafajshme u masakrua në mënyrë masive nga ushtria serbe e cila vazhdon edhe më tutje çdo lloj dhune me qellim të spastrimit etnik.

Pas pushtimit, serbët flisnin për hakmarrjen e madhe për Kosovën, nga viti 1389 kundër turqve, por kjo dhunë u derdh mbi shqiptarë. Sipas raporteve të shtypit evropian të kohës, më së shumti pësoi popullata shqiptare e Prishtinës, Ferizajt, Gjakovës, Prizrenit e Drenicës. Për këtë, opozitari serb, Dimitrije Tucoviq, shkruante se kjo është përpjekje e qëllimshme e pushtetit serb për asgjësimin e një kombi të tërë dhe se kjo vepër kriminale nuk mund të kalojë pa ndëshkim. Ai kundërshtoi ekspansionin territorial serb dhe angazhohej që tokat shqiptare, si shtet i barabartë me Serbinë, të hyjnë në një konfederatë të ardhshme ballkanike. Por, me këtë armiqësi të paparë ndaj popullit shqiptar, ishte e pamundur të arrihet ndonjë paqe. Si rezultat të dytë negativ të kësaj politike serbe ai e konsideron vendosjen dhe përforcimin e ndikimit politik të dy fuqive më të interesuara në Ballkanin perëndimor, të Italisë dhe Austro-Hungarisë, gjë që u pa me fillimin e Luftës së Parë Botërore.

Marrëdhëniet e këqija me Shqipërinë i kushtuan shtrenjtë Serbisë. Më 1914, me mijëra ushtarë serbë, në kolona kilometrike gjatë tërheqjes për në Selanik e Korfuz, humben jetën gjatë kalimit nëpër Shqipërinë veriore, gjë të cilën e quajnë si “golgota shqiptare”. Mirëpo, për shkak të një rezultati të pazakonshëm final të Luftës së Parë Botërore, Serbia u gjend në anën e fituesve dhe me këtë rast iu pranua jo vetëm zgjerimi territorial, por edhe e drejta për krijimin e një shteti të madh jugosllav. De fakto, Serbia fitoi territor më shumë seç kishte ëndërruar ndonjëherë. Serbisë iu dhurua komplet territori i Bosnjës, Vojvodinës, Maqedonisë dhe i tërë Vilajeti i Kosovës. Mali i Zi humbi edhe autonominë që kishte pasur deri atëherë. Ndërsa, me shtetin e ri të formuar sllav me emrin Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, Serbia kishte ndikimin kryesor edhe ndaj kroatëve e sllovenëve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here