Osmani: Sakrifica e familjes Jashari qëndron në themelet e lirisë sonë

0

 

Presidentja e Republikës bën homazhe në Prekaz.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Kompleksin Memorial në Prekaz.   Ajo ka thënë se nderimi më i madh që mund t’u bëjnë heronjve është puna e ndershme për qytetarët e vendit. Vizitën në Prekaz, Osmani e ka bërë në ditën e saj të parë të punës si presidente.

Në Prekaz, kryetarja e shtetit ka thënë se familja Jashari është shndërruar në simbolikën më të madhe të trimërisë, sakrificës dhe vetëmohimit.

“Sakrifica e familjes Jashari qëndron në themelet e lirisë sonë dhe si e tillë duhet jo vetëm të kujtohet por ta përcjellim brez pas brezi, të mësohet nga gjeneratat e reja nga fëmijët tanë, por edhe nga fëmijët e fëmijëve tanë në mënyrë që të gjithë ta kuptojmë që ishte pikërisht këtu ku u pagua çmimi më i lartë për lirinë të cilën e gëzojmë sot. Prandaj edhe kujtimi i tyre është shndërruar në përjetësi, është shndërruar në udhërrëfyesin dhe dritën më të rëndësishme në hapat që ne i bëjmë përpara për ta shtyrë Kosovën tonë, shtetin tonë të dashur drejt sukseseve. Nderimi më i madh që ne do të mund të ja bëjmë te gjithë heronjve, te gjithë atyre që ranë për vendin tonë do të jetë në qoftë se punojmë mirë, punojmë drejt dhe punojmë ndershëm për qytetarët tanë, për të gjithë ne që i mbijetuam tmerrit dhe gjenocidit të shkaktuar nga shteti serb”, tha Osmani.

Në Prekaz, Osmani është pritur nga kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.

“Uroj që të ketë unitet në mes të gjithë spektrit politik, të gjithë liderëve që vendi jonë te ecë në rrugë të drejtë përpara”, ka thënë Jashari.

Derisa Osmani ka bërë homazhe, disa vizitorë në Kompleksin Memorial në Prekaz e duartrokitën dhe shkrepën fotografi me presidenten e re të vendit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here