Nga defansiva të kalohet në ofensivë diplomatike për dialogun

0

 

Politologu Besim Beqaj ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës nga defansiva duhet të kalojë në ofensivë diplomatike në raport me dialogun me Serbinë.

Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti në takim me përfaqësuesit e BE-së dhe të ShBA-së duhet të promovojë superioritetin e argumenteve në dialog karshi Serbisë.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Beqaj ka thënë se Kurti nuk e ka asnjë justifikim për t’iu shmangur vazhdimit të dialogut.

“Zotëri Kurtin asnjë arsyetim për shmangie nga vazhdimi i dialogut nuk e justifikon. Kosova duhet të kooperojë dhe koordinojë takimet brenda dhe jashtë për të kaluar nga defansiva e trashëguar në ofensivë diplomatike duke promovuar superioritetin e argumenteve në dialog karshi Serbisë. Besoj se ky takim është vetëm identifikues rreth pozicioneve të dialoguesve, pra nuk pres veprime konkrete, por vetëm diagnostifikim të pozicioneve dhe synimeve”, ka thënë Beqaj.

Sipas tij, Kurti duhet të jetë i hapur me partnerët ndërkombëtarë dhe duhet t’i pranojë obligimet e mëparshme të procesit të dialogut.

“Z. Kurti duhet të jetë i hapur para zyrtarëve evropianë për gatishmërinë e qeverisë për ta implementuar obligimin e trashëguar nga pushtetet e mëparshme, pavarësisht se LV-ja e ka kundërshtuar formimin e AKS-së. Qeveria Kurti duhet të angazhohet për vazhdimin e dialogut për aq sa ka gatishmëri të palëve për të shkuar në drejtim të njohjes reciproke. Nëse palët ngulin këmbë vetëm për ‘normalizim’ dhe ‘ndërmjetësim dhe lehtësim’ të vazhdimit të dialogut, ai duhet të sillet konform rrethanave”, është shprehur Beqaj.

Beqaj ka kritikuar Kurtin për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë.

Ai ka bërë me dije se ky veprim i Kurtit do të përdoret nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës. “Së pari, kjo do të përdoret si shkas nga politikanët e Serbisë dhe Rusisë që t’i akuzojnë shqiptarët për idenë e bashkimit kombëtar, ndërsa Serbia synon bashkimin e Republikës serbe dhe veriut të Kosovës në Serbinë e Madhe. Pra, Serbia shfrytëzon votimin si shkas për t’i akuzuar shqiptarët për tendencën e ‘bashkimit kombëtar’, ndërsa në anën tjetër presidenti serb merr ‘meritat’ për bashkimin e serbëve në një shtet, gjoja se si pasojë e veprimit të shqiptarëve”, ka deklaruar Beqaj.

“Epoka e re”: Z. Beqaj, po bëhet një muaj që qeveria Kurti ka marrë detyrën, por ende nuk e ka paraqitur planin qeverisës. Cili është vlerësimi juaj për punën e deritashme të kësaj qeverie?
Beqaj: Vonesën mund ta arsyetojë vetëm plani efektiv, efecientë që e ka diagnostifikuar gjendjen reale, prioritetet dhe mundësitë e implantimit në përputhje me kapacitetet reale. Përndryshe, vonesa është fakt i paanashkalueshëm që flet për faktin se qytetarët kanë votuar më shumë kundër ish-pushteteve sesa për LV-në e cila nuk e ka sjellë planin qeveritar deri sot, ndonëse është dashur ta kishte para zgjedhjeve! Prandaj, vonesën e planit qeveritar mund ta arsyetojë vetëm një plan gjithëpërfshirës me kapacitete të qarta me prioritete dhe implementuese.

“Epoka e re”: Kritikat kryesore ndaj qeverisë kanë të bëjnë me mossigurimin e ndonjë vaksine kundër Covidit. A ka mundur të bëjë më shumë në këtë drejtim qeveria?
Beqaj: Besoj se të gjitha qeveritë e deritanishme në kohën e pandemisë kanë qenë të interesuara për të siguruar vaksina kundër Covidit, por nuk kanë pasur sukses për shkaqe të ndryshme. Problemi kryesor qëndron në faktin se qeveria Hoti dhe Kurti, në vend se të veprojnë në mënyrë të bashkuar për sigurimin e vaksinave, veprimet i kanë ndërmarrë ndaras dhe në dëme të njëra-tjetrës, prandaj kanë vonuar sigurimin e vaksinave për qytetarët që po i ndiejnë pasojat e këtij politizimi.

“Epoka e re”: Kryeministri Kurti është kritikuar edhe për pjesëmarrjen e tij në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë. Si e keni parë këtë veprim të tij?
Beqaj: Mendoj se pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë nuk ishte veprim i duhur për disa arsye. Do t’i veçoja dy. Së pari, kjo do të përdoret si shkak nga politikanët e Serbisë dhe Rusisë që t’i akuzojnë shqiptarët për idenë e bashkimit kombëtar, ndërsa Serbia synon bashkimin e Republikës Serbe dhe veriut të Kosovës në Serbinë e Madhe. Pra, Serbia shfrytëzon votimin si shkak për t’i akuzuar shqiptarët për tendencën e “bashkimit kombëtar”, ndërsa në anën tjetër presidenti serb merr “meritat” për bashkimin e serbëve në një shtet, gjoja se si pasojë e veprimit të shqiptarëve?! Së dyti, pjesëmarrja e kryeministrit në zgjedhje fuqizon mendimet e disa kritikeve se Albin Kurti pretendon për t’u shndërruar si lider gjithëkombëtar para se të dëshmohet lider i shtetit të Kosovës, për të cilën i ka marrë votat.

“Epoka e re”: Në muajin tjetër pritet të fillojë dialogu Kosovë – Serbi. Pritni të ndryshojë diçka në këtë proces?
Beqaj: Zotëri Kurtin asnjë arsyetim për shmangie nga vazhdimi i dialogut nuk e justifikon. Kosova duhet të kooperojë dhe koordinojë takimet brenda dhe jashtë për të kaluar nga defansiva e trashëguar në ofensivë diplomatike duke promovuar superioritetin e argumenteve në dialog karshi Serbisë. Besoj se ky takim është vetëm identifikues rreth pozicioneve të dialoguesve, pra nuk pres veprime konkrete, por vetëm diagnostifikim të pozicioneve dhe synimeve.

“Epoka e re”: Çfarë hapash duhet të ndërmarrë Kosova që të jetë e përgatitur në këtë proces?
Beqaj: Kurti duhet të jetë i hapur para zyrtarëve evropianë për gatishmërinë e qeverisë për ta implementuar obligimin e trashëguar nga pushtetet e mëparshme, pavarësisht se LV-ja e ka kundërshtuar formimin e AKS-së. Qeveria Kurti duhet të angazhohet për vazhdimin e dialogut për aq sa ka gatishmëri të palëve për të shkuar në drejtim të njohjes reciproke. Nëse palët ngulin këmbë vetëm për “normalizim” dhe “ndërmjetësim dhe lehtësim” të vazhdimit të dialogut, ai duhet të sillet konform rrethanave!

(Muhamet Koci)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here