Maliqi: Nëse Kosova tregohet konstruktive në dialog, pesha e kompromiseve do t’i bjerë Serbisë

0

 

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka shprehur skepticizëm për mundësinë e arritjes së marrëveshjes finale Kosovë – Serbi.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se Serbia nuk është e gatshme ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Sipas tij, nëse kryeministri Albin Kurti ka menduar se mund të hapë tema të reja në këtë proces, e ka pasur gabim.

Ai ka thënë se Kurti duhet të kthehet te temat e papërfunduara, siç është asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Maliqi ka vlerësuar se nëse Kosova do të jetë konstruktive në dialogun e Brukselit, pesha më e madhe e kompromiseve do t’i binte Serbisë.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, të martën ka ndodhur takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi. Si e keni parë këtë takim?
Maliqi: Dialogu Kosovë – Serbi prej vitesh është në krizë, nuk prodhon asnjë rezultat për të qenë. Nga vitet 2013 dhe 2015 dialogu vendnumëronte dhe bllokohej, gjë që shteri mundësitë e formulës “dialog teknik” për zgjidhjen e pjesshme të problemeve për ta lehtësuar normalizimin e raporteve mes dy vendeve, sepse për zbatimin e plotë të tyre, nevojitej arritja e marrëveshjes politike. Çështja më delikate mbeti asociacioni i komunave me shumicë serbe, të cilën në parim e pranoi pala shqiptare, por si organ këshillëdhënës, dhe jo me ingerenca të pushtetit autonom, çfarë kërkonin serbët. Në ndërkohë, nga viti 2015 ndodhi dobësimi dhe lodhja e BE-së si lehtësuese e dialogut, sepse mbeti pa ofertë dhe mundësi të ndikimit jo vetëm sa i përket kënaqjes së ambicieve të papajtueshme të dyja palëve, por s’gjente dot as ndonjë ofertë kompromisi. Duke e parë qorrsokakun, lehtësuesit e BE-së, përmes disa projekteve të instituteve gjeostrategjike dhe një shtytjeje të lobistëve pro-serbë në Austri, tentuan që orientimin e dialogut ta kthejnë në një binar “alternativ” të ndarjes etnike në mes të shqiptarëve dhe serbëve, përmes korrigjimit të kufirit të Kosovës me Serbinë duke ndjekur parimin e shtrirjes etnike. Si zgjidhje “pragmatike” u pa këmbimi i territoreve: disa komuna në veri të Kosovës të banuara me shumicë dërrmuese serbe do t’i merrte Serbia, kurse disa komuna të Jugut të Serbisë, me popullsi dërrmuese shqiptare, do t’i takonin Republikës së Kosovës. Si marrëveshje dypalëshe, kjo edhe ka mundur të realizohej, por menjëherë dolën argumentet se ky do të ishte termet katastrofal për rajonin, që do të rrezikonte dhe zhbënte të paktën dy shtete të Ballkanit Perëndimor, Bosnjën dha Maqedoninë Veriore! Por dështimi i këtij plani, para dy vjetësh, nuk solli asgjë të re, pos përpjekjeve që dialogu të kthehet në binarët e procesit që pati filluar në vitin 2011. Kësaj here premtohej se dialogu duhet të jetë i afatizuar dhe jo i hapur, i rikoordinuar nga BE-ja dhe ShBA-ja, por pa garanci të qarta se me çfarë do të motivohen ose sanksionohen palët që po e dialogojnë marrëveshjen e normalizimit të plotë të marrëdhënieve, me pritje që ato të përfundojnë me njohje të ndërsjellë mes dy shteteve.

“Epoka e re”: Pas takimit kryeministri Kurti i bëri publike propozimet që i kishte prezantuar në takim. Cili është vlerësimi juaj për këto propozime?

Maliqi: Kryeministri i Kosovës ka qenë shumë hezitues që të futet menjëherë në dialog, kundër të cilit ka qenë gjatë tërë karrierës së tij të politikanit, edhe në opozitë, edhe si kryeministër, duke deklaruar se nuk e ka prioritet në agjendën e tij. Mirëpo, presionet e faktorëve ndërkombëtarë e detyruan që ta ndryshojë mendjen, e pranoi takimin me presidentin serb, por për herën e parë bëri përpjekje që dialogun ta rikonfigurojë dhe ndryshojë, në mënyrë që mos të jetë vazhdim i procesit të Brukselit, që e konsideronte të dështuar. Mirëpo, të katër pikat e planit të tij nuk u pranuan mirë as nga faktorët ndërkombëtarë e as nga Serbia, sikundër që edhe media dhe analistët neutralë i komentuan si shfaqje e arrogancës dhe mendjemadhësisë së kryeministrit, të cilit i duhej kjo shfaqje për të mbetur në vijat e premtimeve të tij elektorale.

“Epoka e re”: Kryeministri Kurti, i cili gjatë gjithë karrierës së tij politike i ka kundërshtuar bisedimet me Serbinë, për herë të parë po udhëheq Kosovën në këto bisedime. Pritni ndonjë ndryshim të qasjes së Kosovës në këtë proces?
Maliqi: Kryeministri po ndryshon për çdo ditë. Nuk është më as hija e radikalit të dikurshëm, por i duhet kohë që të përshtatet, dhe kohë pas kohe kombinon zotimet e vjetra me ato të reja që iu detyrohet obligimeve ndërkombëtare që i ka marrë Kosova sa iu përket marrëveshjeve që i ka ratifikuar Kuvendi i Kosovës. Besoj se ai e ka kuptuar se tash e tutje duhet t’u kthehet sjelljeve më pragmatiste, sepse u pa se u qortua zëshëm nga ambasadori amerikan dhe britanik, për paraqitjen e parë në Bruksel, kur e kujtuan se historia dhe dialogu nuk fillojnë me qeverinë Kurti, por se dialogu është vazhdimësi e një procesi që tashmë ka pasur rezultate dhe duhet të rrumbullakohet në një afat të caktuar. Nëse Kurti ka menduar se mund të hapë tema dhe qasje të reja, e ka pasur gabim, duhet të kthehet te temat e papërfunduara, çfarë është asociacioni i komunave me shumicë serbe, duke e vendosur në binarë të pranueshëm për të dyja palët.

“Epoka e re”: Në takimin e së martës u panë qëndrimet e kundërta të palëve. Sa janë gjasat që në fund të këtij procesi të kemi një marrëveshje përfundimtare?
Maliqi: Deklarimet e derisotme të palëve nuk japin shpresa për ndonjë përparim të shpejtë dhe substancial. Unë jam ende skeptik për mundësinë e arritjes të marrëveshjes finale në formën e njohjes së ndërsjellë. Serbia nuk është e gatshme ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por në këtë fazë ndoshta do të pajtohej që si kompensim për jetësimin e asociacionit të komunave serb (në kuadrin e kornizave të Kushtetutës së Kosovës), të pranojë heshturazi realitetin e Republikës së Kosovës, nëse BE-ja do t’i binte pesë anëtarët që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë këtë, dhe kështu do të hapej edhe për Kosovën rruga për integrimin në strukturat euroatlantike dhe, njëkohësisht, që Kosova edhe pa njohjen formale të Serbisë, të jetë e barabartë në krijimin e tregut të përbashkët të Ballkanit Perëndimor, që kryeministri Kurti tashmë e ka pranuar si një mundësi zhvillimore. Modalitetet e kompromiseve që avancojnë pozitën e Kosovës mund të jenë të shumta, ata duhet të negociohen, por nëse Kosova do të jetë konstruktive në dialog, pesha më e madhe e kompromiseve do të duhej t’i binte Serbisë, si në Rambuje, ose në negociata të Vjenës, dhe jo që Kosova të jetë bllokuese e procesit, sepse status kuoja aktuale i shkon në favor Serbisë, dhe jo Kosovës.

“Epoka e re”: Në anën tjetër, opozita që deri vitin e kaluar e ka udhëhequr këtë proces, po refuzon të marrë pjesë në dialog. Cili duhet të jetë qëndrimi i partive opozitare ndaj këtij procesi?
Maliqi: Opozita e ka gabim, nuk duhet ta imitojë Vetëvendosjen duke kundërshtuar politikat transformuese të Kryeministrit Kurti. Fakti se Kurti tani po pranon dialogun, afirmon aspektet pozitive të dialogut në të kaluarën që e kanë mundësuar rrumbullaksimin e tërësisë territoriale të Kosovës, pasi që Marrëveshja e Brukselit mundësoi vendosjen e pikave doganore të Kosovës në Veri, nxiti integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e Kosovës etj. Kuptohet se këto procese u manipuluan nga Beogradi duke krijuar Listën Serbe që i shërben Beogradit për t’i kontrolluar proceset politike në Kosovë, por kur një herë e pa kthim fuqizohet shtetësia e Kosovës, dhe kur Kosovës i hapën rrugët për integrime të papengura në BE dhe NATO, do të kemi një fazë më të avancuar të integrimit të serbëve në veri të Kosovës. Nëse ka dyshime në zhvillimet pozitive në këtë drejtim, si edhe më herët, nuk do të duhej të ishin shqiptarët ata që pengojnë këto procese, por t’i lëmë Beogradit ta demonstrojë fytyrën e vërtetë të politikave të tyre retrograde.

(Muhamet KOCI)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here