Qeveria të sillet në përputhje të kërkesave të administratës Biden

0

 

Politologu Belul Beqaj ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të sillet në përputhje të kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka paralajmëruar se mosrespektimi i kërkesave amerikane mund ta fusë Kosovën në aventurë me pasoja të paparashikueshme.

Beqaj ka deklaruar se nuk pret që Kosova dhe Serbia të arrijnë ndonjë marrëveshje të shpejtë në procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga BE-ja

Muhamet KOCI

Politologu Belul Beqaj ka ftuar Qeverinë e Kosovës t’i respektojë kërkesat e administratës amerikane. Ai ka bërë me dije se çdo alternativë tjetër mund të ketë pasoja të mëdha për Republikën e Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka shprehur skepticizëm për suksesin e dialogut Kosovë – Serbi. “Qeveria duhet të sillet konform kërkesave të administratës Biden. Çdo alternativë tjetër mund ta fusë Kosovën në aventurë me pasoja të paparashikueshme”, ka thënë Beqaj.

Ai ka deklaruar se nuk pret që Kosova dhe Serbia të arrijnë ndonjë marrëveshje të shpejtë në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Jo, nuk pres, por më duket se nuk është racionale të mbetemi në defansivë diplomatike për shkak të ambicieve joreale. Nuk mund të diskutojmë për statusin e marrëdhënieve pa e njohur Serbia statusin e shtetit të pavarur të Kosovës, apo jo?!”, është shprehur ai.

Beqaj ka vlerësuar se veprimet e deritanishme janë hap prapa zgjidhjes së dialogut me Serbinë.

“Në fakt, deklarimet publike të deritanishme vetëm sa po e ushqejnë politikën serbe që po e përdor dialogun për konsum të brendshëm në Serbi dhe për ta vazhduar mbështetjen ndërkombëtare regjimi i Aleksandër Vuçiqit! Pra, mungon qasja realiste që do ta implementonte marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si obligim i trashëguar, duke i përfillur vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese, ngaqë alternativat janë më të këqija: status quo-ja, rikthim në këmbime territoriale dhe kthim të strukturave paralele që nënkupton konfliktin potencial”, ka thënë ai.

Në këtë intervistë, Beqaj ka folur edhe për 100-ditëshin e parë të qeverisë Kurti. Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe qeveria ka marrë disa iniciativa të cilat mund të bëhen vendime inkurajuese.

“Nismat për vetting, Ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Ligji për sigurime shëndetësore, demonopolizimi i homologimit, kontraktimi i vaksinave, shkarkimi i bordeve, janë indikacione të cilat mund të bëhen vendime inkurajuese nëse përfillet perfomanca dhe nëse përzgjedhja e kuadrove të reja bëhet duke respektuar ligjin, konkursin, konkurrencën dhe meritokracinë”, ka deklaruar Beqaj.

“Epoka e re”: Z. Beqaj, qeveria Kurti ka mbushur 100 ditë të punës. Cili është vlerësimi juaj për këtë periudhë të qeverisjes?
Beqaj: Qeveria Kurti ka trashëguar probleme dhe pengesa të shtresuara ndër vite të cilat nuk mund t’i zgjidhë gjatë një mandati, ndërsa zgjidhja e tyre brenda 100 dite është e pamundur edhe sikur të kishte shkop magjik! Por nismat për vetting, Ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Ligji për sigurime shëndetësore, demonopolizimi i homologimit, kontraktimi i vaksinave, shkarkimi i bordeve, janë indikacione të cilat mund të bëhen vendime inkurajuese nëse përfillet perfomanca dhe nëse përzgjedhja e kuadrove të reja bëhet duke respektuar ligjin, konkursin, konkurrencën dhe meritokracinë!

 “Epoka e re”: Në bazë të asaj që është parë deri më tani, besoni se kjo qeveri do të mund t’u përmbahet premtimeve që ka bërë?
Beqaj: Nuk e vlerësoj këtë qeveri se sa do t’u përmbahet premtimeve. Pavarësisht se situata nuk po ndryshon shumë, politikëbërësit po. Kjo qeveri mund të ketë parim edhe ndërrimin e parimeve për shkak të kontekstit të ri të rrethanave të brendshme dhe ndërkombëtare, por ajo do të vlerësohet në saje të rezultateve që presin qytetarët. Por nëse i ndërron parimet dhe nuk sjell rezultate, atëherë ajo duhet të analizojë veten se në cilin drejtim po shkon dhe çfarë epilogu do të ketë.

 “Epoka e re”: Krahas pandemisë, një nga sfidat kryesore me të cilat po përballet kjo qeveri është edhe dialogu me Serbinë. Si e keni parë qasjen e kryeministrit Kurti në raport me dialogun e Brukselit?
Beqaj: Veprimet e deritanishme janë hap prapa zgjidhjes së dialogut me Serbinë. Në fakt, deklarimet publike të deritanishme vetëm sa po e ushqejnë politikën serbe që po e përdor dialogun për konsum të brendshëm në Serbi dhe për ta vazhduar mbështetjen ndërkombëtare regjimi i Aleksandër Vuçiqit?! Pra, mungon qasja realiste që do ta implementonte marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si obligim i trashëguar, duke i përfillur vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese, ngaqë alternativat janë më të këqija: status quo-ja, rikthim në këmbime territoriale dhe kthim të strukturave paralele që nënkupton konfliktin potencial?!

 “Epoka e re”: Takimi i dytë në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq pritet të mbahet në fund të këtij muaji. Nga qëndrimet e të dy udhëheqjeve mund të pritet ndonjë marrëveshje e shpejtë në mes të dy vendeve?
Beqaj: Jo, nuk pres, por më duket se nuk është racionale të mbetemi në defansivë diplomatike për shkak të ambicieve joreale. Nuk mund të diskutojmë për statusin e marrëdhënieve pa e njohur Serbia statusin e shtetit të pavarur të Kosovës, apo jo?!

“Epoka e re”: Shtetet e Bashkuara ia kanë dorëzuar Qeverisë së Kosovës studimin e fizibilitetit për liqenin e Ujmanit, ndërsa qeveria ende është duke e analizuar këtë dokument. Si duhet të sillet qeveria në raport me këtë dokument dhe marrëveshjen e Uashingtonit në përgjithësi?
Beqaj: Qeveria duhet të sillet konform kërkesave të administratës Biden. Çdo alternativë tjetër mund ta fusë Kosovën në aventurë me pasoja të paparashikueshme!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here