Viti: Diskutimet për planifikim e buxhetit komunal 2022-2024 kanë vazhduar me komunitetin pakicë, personelin arsimor dhe shëndetësor

0

 

Në takime të veçanta janë zhvilluar diskutimet publike për planifikimin e buxhetit komunal për vitet 2022-2024, edhe atë me komunitetin pakicë, me personelin arsimor, si dhe me personelin mjekësor, për tu njoftuar më hollësisht me nevojat dhe kërkesat e tyre.

Fillimisht zv. kryetari i komunës Hasan Aliu, ka bërë të ditur se Institucionet komunale në vazhdimësi janë përpjekur që në diskutimet e kaluara publike rreth planifikimit të buxhetit, të përfshijnë kërkesat dhe nevojat që dalin nga këto takime, duke theksuar se edhe në diskutimet e sivjetme, do të bëjnë përpjekje maksimale që të jenë pranë këtyre kërkesave që vijnë nga qytetarët, por edhe kategorive të ndryshme të shoqërisë.

Kurse duke folur rreth buxhetit, drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Ibrahim Rama, ka njoftuar se krahasuar me buxhetin e këtij viti buxheti komunal i Vitisë për vitin 2022 do të jetë më i madh për 578.809€ ose 4.63%.

Sipas tij buxheti komunal për vitin 2022 do të ndahen sipas kësaj kategorie ekonomike: paga dhe mëditje 7.618.308€, mallra dhe shërbime 2.092.704€, shpenzime komunale 320.000€, subvencione dhe transfere 360.000€ dhe shpenzimet kapitale 2.678.486€ kurse buxhetit total për vitin 2022 parashihet të jetë 13.069.495€.

Në takimin me banorët e fshatit Binqë, që u mbajt të premten pasdite, si prioritet ata paraqiten nevojën për ujë të pijshëm, ndërkohë që po ashtu uji i pijes u konsiderua si shumë i domosdoshëm për nxënësit e shkollës “Mladen Markoviq”.

Gjithashtu kërkesë tjetër që doli nga ky takim, ishte për angazhimin e dy punëtorëve me kontratë, që do të merreshin kryesisht me pastrimin e ambientit publik. Diskutimet publike rreth planifikimit të buxhetit, kanë vazhduar të hënën paradite me personelin arsimor të komunës së Vitisë.

Drejtuesit e të dyja shkollave të mesme, Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës”, si dhe ai i Shkollës Teknike Profesionale “Jonuz Zejnullahu”, kërkuan që të vazhdohet me përkushtimin për investime si deri më tani në fushën e arsimit, për të zhvilluar një arsim cilësor, që të rezultojë me ngritjen profesionale të nxënësve.

Në takimin me personelin arsimor të shkollave, u parashtruan edhe një varg pyetjesh të tjera, për të cilat u përgjigj drejtori Ibrahim Rama. Kurse në takimin me personelin shëndetsor, u paraqitën kërkesat si ajo e rregullimit të një ashensori në QKMF në Viti për mundësinë e ofrimit të shërbimit sa më të mirë sidomos për të moshuarit.

Po ashtu, u kërkua që të shqyrtohet mundësia për rritjen e buxhetit për shërbime e mallra.

Të theksojmë se Diskutimet Publike për planifikimin e buxhetit komunal për periudhën 2022-2024, organizohen nga Kuvendi Komunal, në bashkëpunim me Drejtorinë për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim./GJILANI INFO/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here