Kurti: Arkivi në Serbi të hapet një orë e më parë

0

 

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se Kosova nuk ka se çfarë të fsheh për të kaluarën e saj, sidomos duke qenë nën administrimin ndërkombëtar me misionet e UNMIK-ut dhe EULEX-it e me Tribunalin e Hagës, prandaj shton se tashmë është radha e Serbisë që të hap arkivat.

Kurti në një prononcim për media pas hapjes së edicionit të 7-të të Shkollës Diplomatike, tha se nuk ka vend më transparent se Kosova për të kaluarën, ndërsa kërkoi nga Serbia që të ndihmojë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Ai theksoi se duhet të zbardhet e vërteta për gjenocidin në Bosnjë dhe në Kosovë në mënyrë që të dihen, edhe urdhërdhënësit, edhe ekzekutuesit.

“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë, të cilat i përfshijnë edhe ato gjatë luftës dhe të gjitha dëshmitë dhe materialet që janë të UÇK-së. Ne jemi shumë të hapur e transparent, mirëpo neve na duhet që ta zbardhim fatin e të pagjeturve, i kemi edhe 1630 dhe për këtë duhet t’i hapim arkivat në Beograd, sepse vrasjet në Kosovë, varrosjet e atyre të vrarëve në masakra, pastaj varrosjet në Serbi e zhvarrosjet prej andej nuk janë bërë nga qytetarët serbë por janë bërë nga shteti i Serbisë në mënyrë të organizuar dhe të gjitha këto duhet të hapen një orë e më parë. […] Nga viti 1999 e këtej ne kemi qenë nën administrim ndërkombëtar, kemi pasur UNMIK-un, kemi pasur EULEX-in, kemi pasur Tribunalin e Hagës, pra vend më transparent e më të hapur jo vetëm për arkiva se Kosova nuk ka, ajo që tash realisht duhet të hapet është Serbia. Gjenocidi në Bosnjë dhe në Kosovë kërkojnë që të zbardhet e vërteta, që të dihen edhe urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit dhe para së gjithash të merret vesh fati i atyre që na mungojnë”, tha ai.

Kurti tha se duhet të thuhet e vërteta dhe të synohet e drejta pa paramenduar përmasën e gatishmërisë së Serbisë.

Kreu i ekzekutivit tha se duhet ta mbrojmë interesin e vendit dhe duhet t’i dalim zot njerëzve që kanë humbur e vuajtur shumë.

“Pikënisja ime si kryeministër dhe e qeverisë sonë, nuk është imagjinata jonë mbi gatishmërinë e Serbisë, por mbrojtja e interesit të vendit tonë dhe vullneti ynë i pa epur për të drejtën tonë dhe drejtësinë. Në çdo forum ndërkombëtar ne duhet të kemi kryefjalë hapjen e arkivave atje, meqenëse ne kemi dukurinë që pasi lirohen nga Tribunali i Hagës kriminelët e luftës, ata bëhen profesorë në Akademinë ushtarake. Është tejet e rëndësishme që ne ta themi të vërteten dhe ta synojmë të drejtën pa e paramenduar gatishmërinë, apo përmasën e gatishmërisë eventuale të Serbisë. Ne duhet ta mbrojmë interesin tonë dhe duhet t’ dalim zot njerëzve tanë që kanë humbur e vuajtur shumë “, shtoi Kurti.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here