Fiskalizimi për zejtarët dhe bizneset e vogla pritet të jetë më i lirë

0

 

ekoPrishtinë, 28 janar 2014 – Zejtarët dhe bizneset e vogla në Kosovë do të pajisen me arka fiskale me çmim rreth 50 për qind më të ultë se deri më tani. Kjo do të mundësohet falë një marrëveshjeje të bashkëpunimit që u nënshkrua sot nga drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës, Operatorëve të fiskalizimit dhe Shoqatës së Zejtarëve dhe bizneseve të vogla.

Procesi i fiskalizimit të rreth 20 mijë zejtarëve dhe bizneseve të vogla, pritet të jetë më i lirë sesa ka qenë për bizneset tjera në Kosovë. Falë një marrëveshjeje të mirëkuptimit, arkat fiskale për këto kategori do të kushtojnë rreth 290 euro, nga rreth 600 sa kanë kushtuar deri tani.

Kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, tha se marrëveshja pritet të ndikojë në përkrahjen dhe zhvillimin e komunitetit të biznesit. Sipas tij procesi i fiskalizimit do të përshpejtohet dhe kjo do të sjellë efekte, qoftë për konkurrencë të drejtë në treg, por edhe për buxhetin e Kosovës.

“Por do të jetë edhe një sinjal i përmirësimit të ambientit biznesor në Kosovë dhe përmirësim të imazhit dhe rritje të tërheqshmërisë për investitorë në Kosovë”, tha ai.

Kryetari i shoqatës së zejtarëve, Afrim Tejeci, vlerësoi se kjo marrëveshje do të jetë shumë e rëndësishme për këtë kategori të bizneseve, pasi çmimet kanë qenë shumë të larta deri tani.

“Një marrëveshje që favorizon bizneset e vogla dhe zejtare, që çmimi i arkave të reja do të ketë një kosto shumë më të lirë që favorizon bizneset e vogla dhe zejtare”, tha ai.

Megjithëkëtë, zejtarët ankohen se procesi i mirëmbajtjes së arkave fiskale mbetet i shtrenjtë, dhe për këtë kanë kërkuar nga Ministria e Financave që t’i lirojë nga tatimet vjetore që paguajnë ndaj Administratës Tatimore. /rtk/

PËRGJIGJU