Nuk paska! (skicë)

180

 

fema   Shkroi: Femi HALIMI

Para se të vinte aksioni i armëve, rreth dy vjet më parë, partia mbajti mbledhjet e veta në çdo vend. Të gjithë ishin të pajtimit që të përkrahej ky aksion me të gjitha forcat. Këtë aksion po e bënte pushtetit popullor për të mirën e shqiptarëve këtu dhe se njëherë e përgjithmonë duhej të pastrohej secili nga njolla e akuzës së rëndë. Sekretarët e partisë në çdo vend këtë e theksonin buzagaz me të mirë dhe me butësi. Shqiptarët ishin të vëllazëruar me kombet tjera të jugosllavisë dhe të gjithë ia donin të mirën kombësisë shqiptare në Kosovë dhe se asgjë të keqe nuk kishte në këtë aksion. Pse ishte vetëm ndaj shqiptarëve, kjo sqarohej me shumë arsye se po bëhej për shkak të mbetjeve të shumta të armëve në popullsi dhe për shkak të vrasjeve të shumta që po ndodhnin para syve të pushtetit në hakmarrje nga tradita e kanunit. Këtë thoshnin sekretarët nuk duhej lënë më të ndodhte para syve të tyre dhe që kombësia shqiptare të dëmtohej rëndë pa mundur të ndihmohej nga pushteti popullor. Ishte një rast në gjykatën vendore, kur pushteti kishte vrarë shtatë e kishte arrestuar tridhjetë pjesëmarrës në hakmarrjet e ngatrresat e rënda të përgjakshme mes vete siç ishte aktakuza, dhe se me këtë rastet e këtilla ishin ndalur me plot sukses dhe me këtë gjithë lëvdata i bëhej pushtetit të ri popullor. Në praninë e disa ndërkombëtarëve në procesin gjyqësor, përfaqësuesi ligjor vendor informoi të huajtë për rastin dhe për procesin gjyqësor, me çka të huajtë u mahnitën me profesionalizmin e lartë dhe drejtësinë ligjore që po zbatonte shteti i ri jugosllav ndaj një kombësie pjesë të përgjegjësisë. Por në këtë proces, një njeri në arsimim e sipër doli publikisht para të huajve dhe tregoi procesin ndryshe ngasa ishte raporti i pushtetit para opinionit dhe të huajve, duke dhënë do tjera fakte rrëqethëse. Ky njeri pastaj u arrestua dhe u dënua me burg të rëndë njëzet vjet, me akuzë për tentim të bashkimit të Kosovës Shqipërisë. Edhe këtë rast gjithë sekretarët e paraqisnin në mbledhjet shembull se si duhej të ndahej e hiqej nga masa fara e keqe.Më kujtohet një fjalim i Rankoviqit i cili tha se deri tash në procese hetuesie e gjyqesh janë trajtuar mbi tre milionë armiq të vendit, më së shumti prej të cilëve kishin qenë shqiptarë, e që megjithkëtë nuk e prishi fare imazhin shumë të mirë të Jugosllavisë para botës për shtet të drejtësisë e paqës. Duhej ndihmuar shqiptarët apo jo dhe a duhej të pranoheshin në mesin e kombeve jugosllave apo të zhdukeshin siç ishin kërkesat tjera, vendosën Tito dhe partia, -por që kjo të jetë kështu fuqishëm duhej ndihmuar shqiptarët vetë për çështjen këtë. Ju thonin ata duhet vetëm të dëgjoni partinë e pushtetin dhe do të bëhet gjithmonë vetëmse më e mira dhe kurrë nuk do të ndodhë e keqja. Nëse pushteti popullor ndjek dikend, ju duhet ta ndihmoni pushtetin, thonin ata të pushtetit. Kështu ka qenë!… Po fjala ishte tek aksioni i armëve, që vinte pas Rezolutës së Informbyrosë, aksionit të mbledhjes së ushqimit, e së fundit të Ekzodit. Para gjithë këtyre aksioneve të përgjakshme, pushteti vendor përgatiste popullatën shqiptare për të luftuar dukurinë e shëmtuar të cilën e kërkonte pushteti. Të gjithë ato aksione pastaj ishin bërë për të gjithë shqiptarët, përveç disave që ishin vetë në pushtet. Kështu edhe para aksionit të armëve, flitej se do të mblidheshin armët dhe do të ndalohej tradita e keqe e gjakmarrjes përgjithmonë. Flitej se ky aksion nuk kishte të bënte fare me shqiptarët kombësi e barabartë me kombet e tjera të vendit, porse kishte të bënte me persona të caktuar, të njohur nga pushteti, e të cilët nuk ishin ndjekur nga pushteti vendor për shkak të lidhjeve të forta farefisnore të shqiptarëve mes vete. Kështu me këtë përfundim, do të binte në lojë edhe ndokush nga vetë anëtarët e partisë dhe të pushtetit. Kjo donte të thoshte se ndjekja që po vinte nuk kishte një kufi që të dihej saktë se kujtë do ti binte. Gjatë asaj kohe përderisa popullata po përgatitej me masat e aksionit, nisën të vinin lajme të frikshme nga anë të ndryshme, për vrasje të fshehta të njerëzve të mirë, të traditës, e me autoritet. Me kohë sa afrohej aksioni, nisën të vriteshin edhe vetë anëtarët e partisë dhe pushtetit. Kështu u vranë shumë anëtarë të Komiteteve, shumë sekretarë, dhe shumë zëvendësdrejtorë. Zëvendësdrejtorët ishin shumë shqiptarë, në ndarjen e pushtetit në parim nacional nga partia e pushteti popullor. Me kohë u muar vesh se vrasësit ishin shqiptarë dhe për më keq shumica e tyre nuk merreshin fare nga pushteti. Një sekretar nga Gjakova kishte folë në besim se këto vrasje po i bënte shërbimi i sigurimit të shtetit nga Qendra, jashtë suazave politike të përditshme dhe jashtë konceptit politik që mbulonte Kosovën. Ata që vritnin ishin shumë me kohë, dhe këtë po e bënin për hakmarrje që ishte për shkak të ngritjes në pushtetin popullor. Vrasja kishte qenë gjithmonë biznes politik më i preferuari. Ndërkaq Partia njësoj si gjithmonë në mbledhjet e veta të rregullta përkrahte popullatën vendore, e ndihmonte, e këshillonte, si dhe u ndante shpesh ushqime nga kooperativa!…Gjithmonë paska qenë një dorë njerëzish vendorë që kanë gjetur vetenë në çdo pushtet sundimi të të huajve. Edhe në atë pushtet popullor jugosllav ishte një dorë që jetuan një jetë përrallore! Shqiptarë ishin edhe ata dhe të një mesi e gjaku, e fisi, porqë jetuan jetë me të gjitha të mirat, dhe kjo përmendet edhe tash! Ishin në shërbim të pushtetit me të gjitha mënyrat dhe pse ishin shqiptarë nuk patën kurrë asnjë pasojë! Punë e mençme apo jo, edhe tash vështirë të gjykohet nga njerëzit. Po përmendi vetëm çastet kur kishte nisur Aksioni i Armëve!…Kur kishte ndërruar në çast sjellja, njerëzia, njoftësia, miqësia, fqinjësia!…Tregonte baba se kur kishte shkuar atë mëngjes të ftoftë në punë në Zhegër, para zyrës së vendit e kishte pritë Bora kryeshefi dhe ia kishte kërkuar nga larg pushkën. Vëlla i kishte thënë babës gjithmonë ky Bora, por kur erdhi aksioni!…Pastaj Aksioni përfshiu të gjithë. Nuk la pa prekë as ata sugarët e pushtetit, as anëtarët e pushtetit, as të njofshmit, as të ligjshmit, as fqinjët. Babën e kishte shpëtuar komandiri i milicisë Januz Haliti, pasi kishin qenë kumbarë. Po krejt në rregull kjo puna e pushtetit dhe ligjit, por në thelb gjithë ajo që tha Partia për këtë aksion, nuk doli. Doli një furi e tmerrshme ndaj të gjithë shqiptarëve, me përpjekje për ti zhbirë të gjithë, pa dallim. Për të satën herë u përsërit e njëjta lojë e kobshme ndaj shqiptarëve, që përfundonte gjithmonë me gjak. Në ndërkohë një delegacion i kombinuar ndërkombëtar kishte hyrë në teritorin jugosllav dhe ishte ndalur në kufi të Kosovës në Merdarë. Pushteti popullor nuk i kishte lënë të hynin në Kosovë për shkak të rrezikut nga shqiptarët e egjër që po luftonin pushtetin popullor siç u thoshnin milicia popullore. Dikur i kishin lejuar që me tren të udhëtonin për Prishtinë. Pas pak kishin krisë armët në të dyanët e hekurudhës dhe milicia kishte dhënë urdhër të binin të gjithë në patos të trenit. Kështu, krismat kishin vazhduar, e udhëtarët kishin qëndruar në patos shtrirë deri në Kaqanik. Aty në Kaqanik milicia kishte thirrë të ngriteshin sepse kishte kaluar rreziku, sepse kishin dalë nga Kosova. Ndërkombëtarët të indinjuar tepër me shqiptarët kishin përhapë këtë anembanë botës lumturinë e kombeve e kombësive në bashkësinë e re jugosllave, porse edhe lajmin e keq për shqiptarët e egjër të cilët i kishin gjuajtur me armë e nuk i kishin lënë të ndaleshin kund tejmëtej Kosovës. Qindra të vrarë, mijëra të vdekur në tortura, mijëra të xhymtuar përjetë, mijëra të zhdukur, dhe qindra mijëra të shpërngulur. E gjithë kjo për të qenë të lumtur në bashkësinë e re të popujve. Gjithë këto shifra mandej u ndërruan dhe u përdorën për punë tjera. U tha e u shkrua se këto shifra janë të kombeve jugosllave që kanë pësuar prej shqiptarëve. Një gjerman tha atëbotë se këta shqiptarët qenkan një komb i çuditshëm! Në një pushtet absolut sllav e komunist, shqiptarët le më se nuk nënshtrohen por u bëjnë edhe dëme kaq të mëdha kombeve të bashkësisë dhe se për këtë pushteti popullor nuk ka çka u bën…
…Pastaj!?!…Kaloi aksioni i armëve, erdhi Plenumi i Katërtë i Brioneve ku Tito dënoi Rankoviqin dhe e hoqi nga skena politike përgjithmonë, me çka u kthy besimi dhe vëllazërim –bashkimi i kombeve të vendit me shqiptarët. U ndal ndekja e madhe dhe u ulën gjakrat, u falën të gjitha krimet dhe u hoq njolla e mbamendja për të kaluarën, me kusht si thonin që mos të përsëritej më kurrë!?!…Kjo kështu shkoi me rropatje deri në fund të viteve të nëntëdhjetë. Pastaj u kthy sërish me rropamë me Millosheviqin. Pastaj u hoq me Luftën e fundit –me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve…- Tash të shohim si do të kthehet prapë?! Që do të kthehet –sigurisht se po! Është çështja vetëmse si do të jetë kjo e reja!?!…Mbase një kombinim jugosllavo –ndërkombëtar!? –Topi se luan!…Por tash kush nuk e pranon këtë sepse nuk besojnë. Vetëmse edhe atëherë askush nuk e besonte pos pak kujtë e që ata të paktët humbnin natën a përfundonin në burgje.
-Menduam,… -por nuk!…/Gjilani.INFO/

 

PËRGJIGJU