Shkroi Arben Kurteshi
18 mijë, 120 mijë, 200 mijë, ishin premtimet për vende të reja pune nëpër fushata zgjedhore, premtimet që shpesh janë mungesë e realitetit. A e kemi refuzuar realitetin, duke pranuar atë çfarë na është premtuar deri sot nga individë të zgjedhur me votën tonë?
Nëse vazhdojmë të pranojmë premtimet, në fakt, nëse vazhdojmë të besojmë individëve me vite dhe dekada në rastin tonë, se ato premtimet janë të arritshme, edhe pse në fakt janë “iluzione”, duke mohuar me dëshirën tonë realitetin, atëherë vetë ne i nënshtrohemi imagjinatës së individeve, ose më mirë të themi fikcionit!
Është koha të jemi realistë dhe të kërkojmë llogari nga ata që udhëhoqën dhe udhëheqin vendin. Kushdo nga ne që e minimizon gjendjen, kushtet dhe botën reale, prej asajë ashtu siç është, vetëm se ka filluar të krijojë një botë tjetër alternative imagjinare!
Ngritja lart e njerëzve, udhëheqësve në nivel mbinjerëzor, që përvetësojnë atë se, ajo apo ai vëtë është zëri i të gjithëve, dhe që tjerët nuk duan as ta kuptojnë realitetin por vetëm të besojnë në aftësi të kultit të krijuar; është rreziku më i madh që mund ti kanoset një shoqërie, dhe që mund ta çoj atë shoqëri drejt një diktature të madhe.
Kur udhëheqësit ngriten në nivel „profeti“ apo „zoti“ çdo mendim tjerër, që nuk është në përputhshmëri me mendimin e udhëheqësit pra „zotit“ duket aq i vogël, aq qesharak apo edhe aq i devijueshëm dhe i rrezikshëm saqë legjitimohet gati nga të gjithë për izolim dhe luftimin e çfarëdo mendimi tjetër!
Ngritjen e udhëheqësve në nivel „zoti“, kanë përjetuar shumë popuj dhe disa ende përjetojnë!
Prandaj, kujdes me krijimin e kulteve mbinjerëzore. Jemi individë me mendje dhe mendësi të lirë, dhe duhet të ruajmë këtë liri.