Kosova e Shqipëria, bashkëpunim në fushën e rinisë

0

kult

Zëvendëskryeministri Kujtim Shala, njëherësh Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka pritur në takim Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, Erion Veliajn, me të cilin diskutuan për thellim të bashkëpunimit në fushën e rinisë, përmes shkëmbimit të përvojave të ndërsjella dhe për hartimin e një kalendari të përbashkët edhe në fushën e rinisë.

Zëvendëskryeministri Shala e vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes Kosovës dhe Shqipërisë në të gjitha fushat, me theks edhe në atë të rinisë. Ai theksoi bashkëpunimin edhe në fushën e Kulturës ku së bashku me ministren Mirela Kumbaro – Furxhi kanë nënshkruar Kalendarin e përbashkët të aktiviteteve kulturore që do të organizojnë Kosova e Shqipëria gjatë vitit 2015.

Shala e informoi ministrin Veliaj për mbështetjen që jep MKRS-ja për fushën e rinisë, përmes dhënies së granteve dhe formave të tjera të përkrahjes direkte dhe për organizimin strukturor të rinisë në Kosovë.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri u shpreh se është i gatshëm që këtë përvojë të përbashkët ta avancojë më tutje duke bashkëpunuar në projekte e aktivitete konkrete dhe se është dakord për një shtim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në fushën e rinisë.

Nga ana tjetër, ministri Veliaj, e çmoi bashkëpunimin në fushën e kulturës, sidomos Kalendarin e përbashkët të aktiviteteve dhe theksoi se është e rëndësishme dhe me interes që një i tillë të hartohet edhe në fushën e rinisë, duke potencuar shkëmbimin e përvojave, me qëllim të edukimit dhe punësimit të të rinjve.

Të dy ministrat u dakorduan në parim për shtim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në fushën e rinisë dhe për krijimin e dy grupeve punuese për hartimin e një Kalendari të përbashkët për fushën e rinisë. /KI/

 

PËRGJIGJU