Presion mbi opozitën

0

 
409x32253325Presion_mbi_opozitenPrishtinë, 11 mars 2013 – Baronesha Catherine Ashton, përveç takimeve me zyrtarë institucionalë, të enjten do të takohet edhe me përfaqësues të opozitës, Isa Mustafën dhe Ramush Haradinajn. Por jo edhe me Albin Kurtin. Burimet thonë se Shefja e diplomacisë europiane synon ta bindë opozitën që të pranojë zgjidhjet e ofruara për Veriun.

E bindi të parin e Qeverisë, por për të realizuar planin e saj për “zgjidhjen historike” të problemit Kosovë-Serbi, Baroneshës Catherine Ashton i duhet ta bindë edhe lidershipin opozitar në Kosovë.

E, për t’u siguruar se gjithçka po i shkon sipas planit, Shefja për politikë të jashtme e BE-së ka marrë mundin të vijë edhe personalisht në Kosovë.

Burime të Express thonë se të enjten ajo do të takojë edhe liderët opozitarë në tentim që t’i shtyjë ta pranojnë zgjidhjen e ofruar nga Brukseli për Veriun e Kosovës.

“Krejt marrëveshjet që merren në Bruksel duhet të ratifikohen në Kuvend, andaj edhe opozita duhet të bindet që të pranojë zgjidhjen e Brukselit ashtu siç e pranoi edhe Kryeministri Thaçi”, ka thënë një zyrtar i përfshirë në dialogun Kosovë- Serbi.

Ardhjen e saj Baronesha e ka paralajmëruar qysh të premten përmes një deklarate të lëshuar nga zyra e saj.

Aty thuhet se Ashton do të vijë në Kosovë që të konsultohet me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, krejt kjo në emër të lehtësimit të dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e raporteve ndërshtetërore.

Zëdhënësja e Baroneshës, Maya Kocijancic, edhe të dielën ka konfirmuar vizitën e shefes së saj në Kosovë, ndërsa bëri të ditur se Ashton do të takojë edhe Presidenten Atifete Jahjaga.

“Përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme europiane, Ashton do të zhvillojë bisedime në Prishtinë më 14 mars. Ajo do të takohet me Kryeministrin Thaçi, udhëheqësit e partive si dhe Presidenten Jahjaga. Këto takime mbahen në kuadër të konsultimeve brenda dialogut të lehtësuar nga BE, për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Kocijancic për Express.

Ndërkohe edhe autoritete kosovare e kanë konfirmuar vizitën e Ashton.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi në një deklaratë për Express tha se shefja europiane do të takohet me Kryeministrin si dhe përfaqësues të opozitës.

Por nuk tha se e sheh këtë vizitë si presion mbi Prishtinën, pak para takimit të radhës me Serbinë më 20 mars. Për më tepër Kuçi tha se vizita e Ashton është respekt për Kosovën.

“Sa na përket neve është krejt normale të takohet me çdo përfaqësues të partive politike që përfaqëson qytetarët. Është respekt që i bëhet vendit tonë dhe zhvillim pozitiv në raport BE- Kosovë dhe ato të dialogut”, ka thënë Kuçi.

Tashmë dihet se zgjidhja për Veriun e ofruar nga Brukseli zyrtar parasheh themelimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Për çka verbalisht janë pajtuar edhe palët në dialog, por pa nënshkruar marrëveshje për shkak të mospajtimeve për kompetencat që duhet t’i ketë ai organ.

Përfaqësuesit e opozitës në Parlamentin kosovar ndërkaq bënë të qartë se nuk e pranojnë asnjë lloj presioni kur bëhet fjalë për sovranitetin dhe territorin e Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se këtë do t’ia bëjnë të qartë edhe Baroneshës Ashton nëse takohen me të.

“Ne mbesim pro qëndrimit që ai asociacion në asnjë mënyrë nuk mund të ketë kurrfarë kompetencash ekzekutive e aq më pak legjislative, andaj Baronesha e nderuar e kryen domethënë punë e saj, obligimin e saj që e ka marrë, mirëpo në një mënyrë është dashur edhe të informojë se çka realisht është duke ndodhur në këto bisedime”, tha Beqiri për Express.

Pothuajse njëjtë mendojnë edhe në AAK-në e Ramush Haradinajt.

Zëdhënësi i kësaj partie, Ernest Luma, ka konfirmuar për Express takimin mes liderit të tyre dhe Catherine Ashton, ndërsa tha se në rast se do të kenë presione për të pranuar diçka jashtë Kushtetutës së Kosovës do ta bëjnë këtë të ditur.

“Në momentin kur shohim presion, ne do të themi se është presion. Por, deri më tani mund të bëhet fjalë vetëm për bashkëpunim dhe mbështetje. Në fund të fundit, askush nuk ka të drejtë të veprojë jashtë mandatit për këto bisedime”, ka thënë Lumaj.

Të bindur që vizita e shefes së jashtme të BE-së ka të bëjë kryekëput me shtimin e trysnisë ndaj Prishtinës, pak para nënshkrimit të marrëveshjes për Veriun me Serbinë, janë në subjektin politik të Albin Kurtit.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi, i tha gazetës se nuk kanë asnjë kërkesë për takim eventual me Baroneshën.

Sipas tij, Ashton do të kërkojë që të pranohet koncesioni i radhës si rezultat i negociatave me Serbinë e që sipas VV-së është formimi i një etniteti serb brenda Kosovës.

“Me ingerenca legjislative, ekzekutive dhe të sigurisë, brenda territorit të Kosovës”, ka thënë Vraniqi.

Sipas tij, në këtë formë do të legjitimohej gjendja në veri dhe strukturat serbe që veprojnë atje.

“Ka mbetur veç t’i vihet emri. Vizita e baroneshës në këtë rast është që të arrihet pajtueshmëri për këtë koncesion, jo aq nga Qeveria edhe nga Kryeministri, sepse ata tashmë e kanë pranuar, por nga spektri i gjerë shoqëror e politik dhe nga opinioni publik në Kosovë”, shtoi zëdhënësi i VV-së.

Verbalisht pala kosovare dhe ajo serbe në takimin e fundit në Bruksel janë pajtuar për themelimin e Asociacionit të komunave serbe dhe shpërbërje e strukturave ilegale serbe të sigurisë në Veri.

Ka mbetur që dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic. të vendosin edhe për kompetencat e organit që i jep të drejtën e vetëqeverisjes lokale komunave serbe në Kosovë.

Për krejt këto pritet të nënshkruhet një marrëveshje me 20 mars, e cila po shihet si ndër më të vështirat deri më tani.

Thaçi ka deklaruar se nuk pranon kompetenca ekzekutive për asociacionin e komunave, ndërsa ka mohuar me çdo kusht krijimin e “Republika Srpska” brenda Kosovës, njësoj sikurse në Bosnjë. Por, skeptikë ndaj kësaj deklarate janë shfaqur përfaqësues opozitarë.

Ndryshe me arritjen e normalizimit të raporteve me Kosovën, shtetit serb i sigurohet data e anëtarësimit në BE. Përderisa Kosovës në mënyrë deklarative i është dhënë garanci për integrimet europiane, përfshirë edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare siç është OKB-ja.

PËRGJIGJU