Hoti: Falja e borxheve publike po ecën ngadalë dhe me shumë sfida

0

ekoMinistria e Financave sot mbajti takimin me Institucionet publike për zbatimin e Ligjit për faljen e borxheve publike, të organizuar nga Ministria e Financave.

Në këtë takim u diskutua për procesin e faljes së borxheve, ecurinë dhe sfidat me të cilat ballafaqohen institucionet e zbatimit të Ligjit për faljen e borxheve publike.

Ligji për Faljen e Borxheve Publike ka hyrë në fuqi më 02 Shtator 2015, me anë të të cilit përcaktohen kriteret dhe procedurat për faljen e borxheve publike për personat fizik dhe juridik. Sipas këtij ligji, do të falet borxhi publik duke përfshirë ndëshkimet, gjobat, interesin si dhe çdo obligim tjetër që rrjedh nga mos pagesa me kohë e kryegjësë së borxhit, sipas gjendjes me datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, që kanë qenë obligim për pagesë i personave ndaj Institucioneve Shtetërore në emër të obligimeve tatimore, doganore dhe tatimit në pronë, si dhe të gjitha obligimeve tjera financiare ndaj Ndërmarrjeve Publike që ofrojnë shërbime publike, në emër të shërbimeve të ofruara, për qytetarët në Republikën e Kosovës deri më datë 31 dhjetor 2008.

Me këtë rast, ministri Avdullah Hoti tha se “Sipas vlerësimeve të institucioneve përgjegjëse, shuma e borxhit që do të falet vlerësohet të jetë rreth 680 milionë euro prej të cilave 148 milionë borxh ndaj ATK-së, rreth 6 milionë ndaj Doganës së Kosovës, rreth 57 milionë borxh ndaj tatimit në pronë dhe rreth 465 milionë borxh ndaj ndërmarrjeve publike”.

Ai bëri të ditur se “Lidhur me procesin e implementimit të këtij ligji unë kam formuar Komisionin Koordinues për Faljen e Borxheve i cili përbëhet nga zyrtarë të të gjitha institucioneve / ndërmarrjeve publike nga të cilat varet edhe ecuria e zbatimit të këtij ligji. Nga ky Komision unë jam informuar për ecurinë e deri tanishme të zbatimit të këtij ligji, proces ky i cili për këta dy muaj për fat jo të mirë po ecën ngadalë dhe me shumë sfida”.

Në këtë takim u bë e ditur se shumica e institucioneve publike deri më tani kanë publikuar listat e borxhlinjve dhe kanë filluar me implementimin e Ligjit për faljen e borxheve publike.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin ministri i Financave Avdullah Hoti, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave Sazan Ibrahimi, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, përfaqësuesit e Komisionit koordinues për faljen e borxheve publike, përfaqësuesit e Komunave, përfaqësuesit e Ndërmarrjeve Publike, si dhe palë të tjera të interesit. /KI/

PËRGJIGJU