Vërtetë ka shumë nevojë!

0

 MIMOZAShkruan: Mimoza SHKODRA

 

Po e nisë me një fjalë siç e thotë një grua e mençur, Gloria Steneim: “Problemi kryesor që kanë burrat e gratë sot, nuk është të mësojnë, por të ç’ mësojnë çfarë dinë gabim”. Dhjetori i çdo viti, si muaj i solidaritetit është edhe muaji i luftës kundër dhunës ndaj gruas dhe për çudinë më të madhe nuk shihet asnjë lajm apo shkrim në median tonë për hallet e përditshme të gruas, dhe dhunën që e përjeton ajo sot. Si i rritë fëmijët ajo, si i ndrydhë duart para fëmijëve të saj, duke mos patur se çka të ju ofroj në tavolinë. Apo vetëm duhet të vuaj, apo edhe më keq se kaq, të vritet, në mënyrë që ne të kuptojmë për veprimet kriminale që bëhen ndaj saj?! -E dhimbshme përfundimisht…! – E tmerrshme dhe shumë rrëqethëse rrjedha me histori vrasjesh ndaj gruas, si ajo e Donjeta Pajazitit, e Diana Kastratit apo e Zejnepe Bytyqit, ku nuk mjafton aspak vetëm të tregojmë ndjenjë dhembjeje, por të luftohet e luftohet deri në fund dhe të çrrënjoset kjo dukuri që i prek vajzat dhe gratë tona. Historitë ndaj grave të trajtuara mizorisht, janë bë si në rrënojat e Romes së lashtë, që sa më shumë të gërmosh aq më shumë shtresa do të gjesh,por e dhimbshme që ne nuk e kemi mjaftueshëm as dëshirën, as kurajon për të gërmuar. Kështu po jeton një pjesë e shoqërisë tonë, me gënjeshtra, krime, të pavërteta, e paragjykime, shtresë pas shtrese, traumë pas traume, ku secili sipas mundësisë e ”lustron” me një shtresë të hollë betonike të të nëndheshme, dhe i ecim sipër rehat e lehtë, siç jemi mësuar të ecim ne në sipërfaqe. Ajo që më çuditë pafund është kjo histori e përsëritur dhe ripërsëritur e kësaj shoqërie me mijëra halle, dhe që nuk harron asnjë ditë e t’i konsideroj si objekte dhe jo si qenie njerëzore, prandaj sot vriten në rrugë, male, e besa edhe në shtëpitë e tyre, çka edhe ndahen nga fëmijët me dhunë, duke u masakruar me format me të ndyra. Disa marrin guximin të rrëfehen, e shume të tjera nuk flasin dot, sepse nuk duan që të kujtohen për histori dhune! Jo se nuk e kanë kurajon, por, sepse, ju vjen turp që në vdekje a jetë të quhen të ç’merituara, apo edhe më keq që pa meritueshëm mbrojnë “nderin” e burrit të dhunshëm. Nuk kam ndërmend t’i lutem askujt për t’i trajtuar ngjarjet dhe lajmet me historitë e grave si njerëz, e jo objekte, sepse ky është muaji i luftës kundër dhunës ndaj grave dhe solidaritet në përgjithësi, por le ta gjykojë secili vetë, si burra e gra që krijojnë dhe riprodhojnë njerëz, si baballarë të vajzave apo djemve dhe jo si qenie superiore. Në dorë e ka gjithkush vetën të mendojë, po deshi ta ndryshojë. E sotmja është një thirrje që nuk bërtet fort, por që dëgjohet mirë nëse duam ta dëgjojmë. Asnjëherë nuk mundemi të bëjmë aq sa duhet gjithmonë, por do të duhej të bënim më shumë. Duhet të bëjmë mirë, jo vetëm për të tjerët, por sepse kjo na bën mirë edhe neve vetë. Të thërrasim të mbrohet gruaja, të ndihmohet ajo. -Vërtetë ka aq shumë nevojë./Gjilani.INFO/

PËRGJIGJU