Trump beson se do të ketë sukses takimi me Kim Jong Un

0

 

Vetëm disa orë pasi tre amerikanë të mbajtur në Korenë e Veriut shkelën në tokën amerikane, presidenti Donald Trump dha lajme të tjera, duke konfirmuar datën dhe vendndodhjen e takimit të muajit të ardhshëm

Pas disa javësh spekulimesh, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të takohet me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un më 12 qershor në Singapor.

Ndërsa zyrtarët e administratës shprehën optimizëm përpara takimit historik, ekspertë të tjerë bënë thirrje për kujdes.

I pyetur nga gazetarët rreth takimit historik, presidenti ishte optimist. “Mendoj se do të jetë një sukses i madh”, tha ai.

Por disa nga kritikët e presidentit ishin më skeptikë. Në Senat, udhëheqësit demokratë kritikuan lavdërimet e presidentit për udhëheqësin e Koresë së Veriut.

“Është shumë shqetësuese të dëgjosh Donald Trumpin të thotë se Kim Jong Un i ka trajtuar amerikanët shkëlqyeshëm. Kim Jong Un është një diktator, që ka arrestuar arbitrarisht qytetarë amerikanë, iu ka grabitur atyre lirinë, dhe nuk i ka lejuar të shkojnë në shtëpi tek familjet e tyre”, tha senatori Chuck Schumer.

Pas bisedimeve të muajit të kaluar mes udhëheqësve të Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut, disa thanë se zgjedhja e Singaporit për takimin e muajit të ardhshëm është logjike.

“Singapori njihet për këto lloj takimesh. Është vendi më i zhvilluar në Azinë Juglindore dhe ka siguri të lartë”, thotë Patrick Cronin, me qendrën New American Security.

Ekspertët thonë se koha e bisedimeve midis Trumpit dhe Kimit reflekton një atmosferë më pozitive për dialog.

PËRGJIGJU