Mosmiratimi i platformës nuk e rrezikon vazhdimin e dialogut

0

 

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka thënë të mërkurën se platforma shtetërore për dialog mund do të rikthehet në Kuvend sapo të arrihet konsensusi.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ajo ka theksuar se kjo platformë do të mund të plotësohet dhe të ndryshohet varësisht se si e shohin të nevojshme deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Opozita duhet të ofrojë alternativë. Duhet të bisedohet dhe të arrihet një konsensus për dialogun dhe udhëheqjen e tij. Askush nuk është kundër që edhe partitë opozitare të jenë pjesë e dialogut, nëse ato janë të gatshme të kontribuojnë në këtë proces. Nuk dua të hyj në akuza dhe kundërakuza. Nuk pati konsensus, prandaj qeveria tërhoqi platformën deri në një momentum më të favorshëm”, ka deklaruar Kadrijaj.

Megjithatë, ajo ka thënë se mosmiratimi i platformës nuk e rrezikon vazhdimin e procesit të dialogut. Sipas Kadrijajt, edhe pa miratimin e kësaj platforme bisedimet do të zhvillohen në nivelin e lartë.

“Jo, nuk e rrezikon. Edhe pa miratimin e platformës në Kuvend bisedimet do të zhvillohen në nivelin e lartë. Me këtë platformë është synuar që Kuvendit t’i jepet mandat për t’i dhënë një vulë procesit të dialogut. Platforma ka qenë në vazhdën e rritjes së transparencës së dialogut. Një prej pikave të kësaj platforme është se asnjë marrëveshje nuk duhet nënshkruar para se e njëjta të debatohet dhe miratohet në Kuvend. Do të ishte mirë ta kishim pavarësinë e plotë dhe mos të ishim të detyruar të negociojmë, por duke dashur që Kosova të ecë përpara drejt Bashkimit Evropian, të kemi liberalizim të vizave, si dhe të kemi ulëse në OKB, natyrisht se duhet të vazhdohet procesi i dialogut, por duhet të arrihet edhe konsensusi për këtë çështje. Me apo pa arritjen e konsensusit dialogu Kosovë – Serbi duhet të përfundojë me njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve. Nëse Serbia dëshiron ta ndjekë rrugën evropiane duhet ta pranojë patjetër pavarësinë e Kosovës”, është shprehur ajo.

Kadrijaj ka folur edhe për themelimin e asociacionit të komunave serbe duke thënë se i njëjti do të themelohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Epoka e re”: Znj. Kadrijaj, në mungesë të konsensusit Qeveria e Kosovës ka tërhequr nga shqyrtimi platformën për procesin e dialogut. Çfarë do të ndodhë tash e tutje me këtë platformë?
Kadrijaj: Platforma shtetërore për dialogun me Serbinë e hartuar nga Qeveria e Kosovës ka për synim arritjen e konsensusit politik për procesin e dialogut. Platforma ka përfshirë pikat se si duhet të përfundojë faza finale e dialogut me Serbinë dhe se dialogu duhet të përfundojë me njohjen reciproke në mes të dy shteteve. Fillimisht kjo platformë është trajtuar në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme dhe aty është parë tendenca për kundërshtimin e saj. Platforma është dokument sikurse projektligjet dhe ka pasur mundësi që të shqyrtohet dhe debatohet në seancën plenare, pastaj grupet parlamentare t’i japin qëndrimet dhe propozimet e tyre. Duke pasur parasysh deklarimet e grupeve parlamentare të cilat kanë hezituar për të pasur një unitet për këtë çështje, Qeveria ka tërhequr platformën nga Kuvendi deri në arritjen e një konsensusi se si duhet të organizohet faza e fundit e dialogut me Serbinë.

 “Epoka e re”: Sa ka gjasa që të arrihet ky konsensus? Prisni që LDK-ja të ndryshojë qëndrim
Kadrijaj: Nuk dua t’i komentoj qëndrimet e LDK-së apo të subjekteve të tjera politike. Do të punohet për t’u arritur konsensusi. Partitë politike po organizojnë tryeza për tema nacionale dhe natyrisht se edhe dialogu është një prej këtyre temave. Por, mbetet të shihet në ditët në vijim se si do ta ketë përfundimin kjo çështje.

 “Epoka e re”: Opozita ka kundërshtuar platformën me arsyetimin se përmbajtja e saj ka qenë e dobët dhe se presidenti nuk duhet të jetë bartës i procesit. Qëllimisht opozita dëshiron ta pengojë këtë proces?
Kadrijaj: Opozita duhet të ofrojë alternativë. Duhet të bisedohet dhe të arrihet një konsensus për dialogun dhe udhëheqjen e tij. Askush nuk është kundër që edhe partitë opozitare të jenë pjesë e dialogut, nëse ato janë të gatshme që të kontribuojnë në këtë proces. Nuk dua të hyj në akuza dhe kundërakuza. Nuk pati konsensus, prandaj Qeveria tërhoqi platformën deri në një momentum më të favorshëm.

“Epoka e re”: A mund të rikthehet platforma në Kuvend?
Kadrijaj: Platforma mund do të rikthehet në Kuvend sapo të arrihet konsensusi politik. Platforma pastaj do të mund të plotësohet dhe të ndryshohet varësisht se si e shohin të nevojshme deputetët e Kuvendit të Kosovës.

 “Epoka e re”: Mosmiratimi i kësaj platforme, e rrezikon vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi
Kadrijaj: Nuk e rrezikon. Edhe pa miratimin e platformës në Kuvend bisedimet do të zhvillohen në nivelin e lartë. Me këtë platformë është synuar që Kuvendit t’i jepet mandat për t’i dhënë një vulë procesit të dialogut. Platforma ka qenë në vazhdën e rritjes së transparencës së dialogut. Një prej pikave të kësaj platforme është se asnjë marrëveshje nuk duhet nënshkruar para se e njëjta të debatohet dhe miratohet në Kuvend. Do të ishte mirë që ta kishim pavarësinë e plotë dhe mos të ishim të detyruar të negociojmë, por duke dashur që Kosova të ecë përpara drejt Bashkimit Evropian, të kemi liberalizim të vizave, si dhe të kemi ulëse në OKB, natyrisht se duhet të vazhdohet procesi i dialogut, por duhet të arrihet edhe konsensusi për këtë çështje. Me apo pa arritjen e konsensusit dialogu Kosovë – Serbi duhet të përfundojë me njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve. Nëse Serbia dëshiron ta ndjekë rrugën evropiane duhet ta pranojë patjetër pavarësinë e Kosovës.

 “Epoka e re”: Si mund të prisni njohje nga Serbia e cila nuk është në gjendje t’i zbatojë as marrëveshjet për gjëra të thjeshta?
Kadrijaj: Kosova duhet të jetë më aktive në këtë proces, duke i bërë të qartë bashkësisë ndërkombëtare se po u përmbahet të gjitha marrëveshjeve, kurse Serbia nuk po i zbaton. Përmes Amerikës dhe Gjermanisë, të cilat janë kyçur në këtë proces, duhet t’i bëhet presion Serbisë për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura. Ne duhet të përfaqësohemi si shtet në procesin e bisedimeve.

“Epoka e re”: Znj. Kadrijaj, çfarë është duke ndodhur me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe? Do të themelohet apo jo ky asociacion?
Kadrijaj: Siç e dini, sa kemi qenë në opozitë e kemi kundërshtuar marrëveshjen për asociacionin të cilën e kemi dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Prandaj tani, nëse do të formohet asociacioni, do të jetë konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Epoka e re”: A po i përmbush pritjet e AAK-së koalicioni qeverisës?
Kadrijaj: Qeveria ka sjellë një dinamizëm të shtuar. Kryeministri Haradinaj ka guximin për t’u përballur me çështje të mëdha dhe deri më tani ka marrë vendime të rëndësishme që e prekin qytetarin e Kosovës, kurse opozita e ka për detyrë ta bëjë punën e vet, duke mos i njohur rezultatet si dhe duke pretenduar t’i zbehë ato.

Shqipe HETEMI

PËRGJIGJU