Fillon cikli i dëgjimeve buxhetore për KAB-in 2019-2021

0

 

Të enjten në Gjilan, në organizim të Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF) është mbajtur dëgjimi i parë publik për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB), ku janë paraqitur orientimet buxhetore për tri vitet e ardhshme, proces ky që do të zhvillohet edhe nëpër lokalitete, për t`i marrë kërkesat e qytetarëve.

Avdyl Aliu, anëtar i KPF dhe i Kuvendit Komunal, në cilësinë e drejtuesit të dëgjimit publik, ka thënë se KAB-i është mekanizëm fillestar buxhetor, ku projektohen mundësitë për zhvillim dhe pastaj orientohet sipas prioriteteve, të cilat përcaktohen bashkërisht me qytetarët.

Ai ka paralajmëruar një cikël të gjerë të dëgjimeve publike, nëpër lokalitete, gjatë muajit gusht, përpara se buxheti të dërgohet në Kuvend Komunal për miratim, që pritet të bëhet në shtator.

Përndryshe, Zijadin Maliqi, drejtor për Buxhet, pasi ka sqaruar formulën sipas së cilës, Ministria e Financave përcakton buxhetin e një komune, meqë kjo procedurë ende është e centralizuar, ka thënë se buxheti do të ketë një rritje të lehtë nga viti në vit.

Kështu, sipas projeksionit fillestar, buxheti i vitit 2019 do të jetë 25.508.785 euro, në vitin në 2010 do të rritet në 26.370.281 euro, ndërsa në vitin 2011 do të jetë 27.292.488 euro, ka thënë Maliqi.

Të hyrat vetanake, sipas Maliqit, do të rriten nga 4.4 milionë në vitin 2019, në 4.6 milionë në vitin 2010, përkatësisht në 4.7 milionë në vitin 2011.

Shpenzimet kanë tendencë rritje, si rezultat i rritjes së shpenzimeve kapitale, ndërkaq subvencionet do të kenë rënie. Maliqi ka thënë se pretendimet janë që subvencionet të zvogëlohen gradualisht në dobi të shpenzimeve kapitale.

Pjesëmarrësit në dëgjim publik, i kanë paraqitur vërejtjet dhe mendimet e tyre për KAB-in 2019 dhe vlerësimet e hershme 2019-2021, duke kërkuar që investimet të bazohen në prioritete kryesore, siç janë arsimi, shëndetësia e bujqësia, ndërkohë që janë shprehur të pakënaqur me zvogëlimin e subvencioneve.

Shaban Terziu e Shadije Rexhepi nga shoqëria civile, kanë thënë se subvencionet nuk duhet të zvogëlohen, derisa nevojat dhe kërkesat janë në rritje.

Nevzad Isufi (VV) ka thënë se buxheti duhet të ndahet sipas prioriteteve, ndërsa sipas tij, kjo nuk vërehet se është respektuar te KAB-i, sepse projeksioni buxhetor nuk korrespondon me nevojat.

Riza Abdyli (PDK) ka thënë se ndarja e buxhetit nuk është e drejtë, duke kërkuar që krahas arsimit dhe shëndetësisë, prioritet t`i jepet edhe bujqësisë, e cila në këtë regjion përbën një resurs të rëndësishëm zhvillimor.

Ndërkaq sa u përket investimeve kapitale, rritjen e planifikuar prej 23 për qind, Abdyli e ka vlerësuar të pamjaftueshme në krahasim me nevojat për zhvillim.

Kurse Ibish Ibishi (AAK) ka pasur vërejtje te mjetet e planifikuara për shëndetësi prej 13 për qind të buxhetit, duke thënë se kjo shumë është e pamjaftueshme për një sektor që përballet me shumë vështirësi./Gjilani.INFO/

PËRGJIGJU