Inspekcioni duhet të i ‘’surprizojë’’ furrat dhe pronarët e tyre

0
Fikri Mehmeti
Të jetosh në një vend ku pjesa dërmuese e qytetarëve nuk qëndrojnë mirë ekonomikisht, dhe pa pasur arsye konkrete të vendosësh ngritjen e çmimit të bukës, është e papranueshme dhe joserioze.

Në vend të ngritjes së çmimeve të bukës, do të duhej të ishte fryma humane dhe qytetare, e jo të mundohet të përfitoht në kurriz të qytetarëve. Se nuk kanë arsye për të ngritur çmimin e bukës, ishte edhe deklarata e njërit prej prodhuesve të bukës i cili tha se nuk ekziston një arsye konkrete, prandaj ai nuk kishte vendosur të bashkëngjitet me prodhuesit tjerë në këtë rast.

Është e vërtetë se nuk kanë arsye serioze, e cila do të ndikonte në shpenzime më të mëdha për biznesin. Nuk ka ngritje të çmimit të energjisë, të lëndëve djegëse, e as të miellit. Dhe me të drejtë qytetarët të shqetësuar pyesin se cila qenka arsye reale e ngritjes së çmimit të bukës? Nëse nuk paskemi ngritje të shpenzimeve, përse duhet të ketë ngritje të përfitimeve? Dhe pse duhet të ndodhë kjo vetëm në qytetin e Gjilanit.

Prodhuesve të bukës duhet të u parashtrohet pyetje se: a kemi edhe ngritje të cilësisë së bukës të cilën e konsumojnë qytetarët? A duhet të kontrollohen furrat për vlerën e proteinave të miellit që e përdorin për prodhimin e bukës, dhe atë që e përdorin për ëmbëlsira? A manipulojnë furrat duke mbajtur miell me vlerë proteine 8 % kinse përgatisin ëmbëlsira me të , e miellin me vlerë proteine mbi 12 % e mbajnë për t’u arsyetuar përpara inspekcionit. Sa aditiv përdoret për prodhimin e bukës, dhe sa janë duke kryer obligimet ndaj shtetit.

Dikush në mënyrë të pandergjegjshme po mundohet të përfitoje nga qytetarët të cilët çdo ditë po largohen nga ky vend, dhe nuk po e bëjnë këtë nga luksi i tepruar, por nga pakënaqësia dhe gjendja e dobët ekonomike në të cilën jetojnë. Një kontrollë e mirëfillt ‘’surprizë’’, pa pasur mundësinë të njoftohen se ‘’po vijnë inspekcioni, bëhuni gati’’, do të befasonte jo vetëm pronarët e furrave, por edhe qytetarët se çka konsumojnë, dhe kujt po i rritet vlera, e jo cilësia.

Si biznismenë të cilët keni përfituar shumë nga këta qytetarë, dhe njëherit si qytetarë të këtij qytetit, bëhuni më të ndërgjegjshëm, reflektoni dhe mos mendoni se ky popull i ka milionat dhe mund të paguaj çdo çmim që ju e vendosni./Gjilani.INFO/

/Fikri Mehmeti – Alternativa dega në Gjilan/

PËRGJIGJU