Fshati që në çdo kohë dha trima e heronj

0
Sakrifica e lufta kundër pushtuesve në Prekazin e Skenderajt, kishte vite që kishte nisur. Armiqtë kishin shënjestruar lagjen Jasharaj që në vitin 1991. Forcat policore serbe me shumë autoblinda e automjete shkuan në Prekaz për ta rrethuar e kapur Adem Jasharin.

Rezistencë kishin bërë tre vëllezërit, Rifati, Ademi e Hamza, që atë vit plagosën tre policë serbë.

Që nga ajo kohë cak i pushtuesit serb ishte Ademi e familja e Shaban Jasharit.

Historia u përsërit edhe vite më vonë.

Në vitin 1998, atë vit më herët se kurrë, flladi pranveror rrëshqiti maleve drenicare. Luftëtarët e lirisë shpalosën gjokset përballë mizorisë shfrenuese serbe. Në zyrat e Beogradit thureshin intriga makabre nga gjeneralët satrapë. Në hartat e tyre Prekazi i poshtëm i rrethuar me laps të kuq. Jasharajt u zhdukën në rrënjë!, urdhëronin preras.

Kështu përshkruante Rilindja luftën që u bë në Skenderaj, fillimisht për sulmin e parë në janar.

“Forcat e armatosura të njësive speciale e paramilitare serbe, në orën 5:32 minuta, për mbi gjysmë ore sulmuan me mortaja dore, bomba, mitraloz e mjete të tjera shtëpinë e Shaban Jasharit. Në mesnatë në këtë fshat ishte ndërprerë rryma elektrike dhe kjo ishte një shenjë e keqe. Sulmi u bë përnjëherë nga të gjitha anët, në mënyrë që të sillnin huti dhe t’i zënë të gjallë trimat. Ky ishte edhe një test për të provuar fuqinë mbrojtëse të këtyre luftëtarëve. Ishte muaji i ramazanit dhe ky sulm u bë menjëherë pas ngrënies së syfyrit, kur të gjithë ishin të zgjuar”.

Pak muaj më vone diçka tjetër ndjellakeqe po përgatitej.

Për ditë me rresht në kompleksin e fabrikës së municionit e gjuetisë Trepça forcat serbe bartnin pandërprerë municione e armë e shpesh vëreheshin edhe automjete të njësisë speciale të policisë si dhe policë të maskuar e të ngjyrosur.

Nga frika të gjithë flinin me rroba veshur.

“Me mijëra forca policore e militare serbe rrethuan lagjen e Jasharajve, Skenderajn e deri në Polac e Tërnafc. Masakra e Likoshanit e Qerezit ishte e freskët, andaj edhe frika ishte e madhe. Disa me t’i parë këto forca morrën arratinë. Nga çdo anë filluan krismat e automatikëve, mitralozave, topave ndërkaq nga fabrika e municionit pandërprerë bombardoheshin shtëpitë e Jasharajve, veçmas ajo e Shabanit. Dëgjohej se luftë po zhvillohej edhe në lagjen e Kodrajve e të Lushtakëve të atij fshati”.

Atëherë askush nuk dinte për pasojat, sepse askush nuk lejohej të dilte nga shtëpitë.

Kështu për 3 ditë me radhë, gra, pleq e fëmijë nuk mundën të ju mbijetonin plumbave të armikut.

“Dëgjohej zhurmë e bolduzherëve, të cilët rrafshonin shtëpitë dhe bënin pastrimin e terrenit për t’i mbuluar gjurmët e krimit. Ende askush nuk dinte asgjë për pasojat në njerëz. Ditën e pestë, rreth orës 10 për herë të parë pas katër ditësh njerëzit dolën nga shtëpitë e tyre. Rrugët dukeshin të shkreta, kishte vetëm policë të armatosur”.

Që nga ajo ditë, lagja e Jasharajve ka ngelur pa jetë dhe aty më nuk frymon jetë njeriu, kështu përfundonte shkrimi i Rilindjes, për Prekazin, fshatin që në çdo kohë dha trima e heronj.

 

PËRGJIGJU