Thaçi: Pa marrëveshje Kosova dhe Serbia do të humbin shumë

0

 

Presidenti Hashim Thaçi ka pranuar se bisedimet e sotme me palën serbe në Bruksel ishin të vështira, por tha se arritja e marrëveshjes përfundimtare për normalizim të plotë të raporteve Kosovë-Serbi është në interes të dyja palëve, në të kundërtën rrezikojnë të mbeten të izoluara, pasi BE-ja nuk do t’i pranojë Kosovën dhe Serbinë në radhët e saj me problemet ekzistuese.

Ai këto komente i bëri pas takimit me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini.

Presidenti Thaçi tha se në takim është diskutuar për arritjen e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes përfundimtare që do të jenë të pranueshme për Kosovën dhe Serbinë.

“Ishte një takim i vështirë, jo i lehtë, por me tone pozitive për të shikuar kah e ardhmja për interesin e të dyja vendeve. Jemi dakorduar që procesi të merr një dinamikë dhe të intensifikohet në javët e ardhshme. Gjithashtu kemi arritur në konkludim se arritja e marrëveshjes përfundimtare për normalizim të plotë të raporteve Kosovë-Serbi është në interes të dyja palëve dhe rajonit, pra arritjen e një marrëveshje fituese për të dy palët. Pra, kjo zgjidhje është marrëveshja e standardeve dhe kritereve evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, tha ai.

Thaçi ka pranuar se nuk është e lehtë të shkohet drejt zgjidhjes përfundimtare të një problemi të theksuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por shpreson se do të ketë një marrëveshje pasi nëse humbet kjo do të paguajnë çmim të dyja vendet.

“E di se me marrëveshje mund të fitojnë shumë të dyja palët, por edhe nëse nuk arrijmë marrëveshje ne do të humbim shumë, sepse do të mbetemi vende të izoluara, pasi BE-ja as Kosovën dhe Serbinë nuk do ta pranojë me problemet që kanë, por vetëm me tejkalimin e këtyre problemeve”, është shprehur ai.

Thaçi u shpreh se pala kosovare do të mbetet e përgjegjshme në procesin e dialogut me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Gjithashtu nuk duhet të mbetemi peng i miteve të së kaluarës, por të jetojmë në realitetin aktual dhe vizionit për të ardhmen e dy vendeve. Sot edhe në Kosovë dhe Serbi nuk është patriotizëm të vajtohet e kaluara, por thjesht patriotizëm është arritja e marrëveshjes së paqes dhe pajtimit”, është shprehur presidenti Thaçi.

PËRGJIGJU