Besoj se partitë do të arrijnë konsensus për fazën finale të dialogut

0

 

Drejtori ekzekutiv i Grupit për Hulumtim të Politikave në Ballkan, Naim Rashiti, është shprehur i bindur se Kosova do të arrijë një konsensus nacional për fazën finale të dialogut me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka treguar se konsensusi do të jetë që Kuvendi i Kosovës do ta miratojë platformën për bisedime dhe ekipin negociator, të cilit do t’i prijë presidenti Hashim Thaçi. Rashiti ka bërë me dije se në këtë proces Kosova duhet të jetë kreative në pozicionet e saj karshi kërkesave të Serbisë. Sipas tij, Kosova në këtë proces të dialogut me Serbinë nuk duhet të marrë pozicion defansiv, sepse në këto negociata nuk po shkon për ta negociuar pavarësinë e saj.

“Epoka e re”: Z. Rashiti, subjektet politike deri më tani kanë mbajtur disa tryeza politike për të arritur një konsensus nacional për temat e mëdha, por deri më tani nuk ka ndonjë rezultat. Cili është vlerësimi juaj për këtë iniciativë?

Rashiti: Pas një periudhe të tensioneve të mëdha mes subjekteve politike dhe moskomunikimit, tani jemi në një periudhë ku partitë politike lirshëm komunikojnë me njëra-tjetrën dhe ulen e bashkëbisedojnë për të gjitha temat. E mira e këtyre muajve të fundit është se flitet për tema të mëdha ndaras prej proceseve të brendshme. Tani është kuptuar që temat e mëdha më nuk zgjidhen nga Qeveria. Besoj se tryezat e organizuar nga vetë partitë politike, nga shoqëria civile dhe nga ne që i kemi organizuar më herët mes subjekteve politike dhe nënkryetarëve të partive kanë çuar drejt një procesi i cili përcakton strukturën apo funksionimin e një ekipi negociator me mandat nga Kuvendi për ta përmbyllur nëse është e mundur dialogun me Serbinë. Besoj se kjo do të ndodhë në javët dhe muajt në vijim. Në fazat e mëvonshme besoj se do të ketë nevojë për një konsensus ose bashkërendim edhe në disa tema të tjera. Përveç formimit të ushtrisë do të kërkohet konsensus edhe në reformat e thella që do të duhet të bëhen në lidhje me proceset integruese

“Epoka e re”: Si më urgjente po shihet arritja e një konsensusi nacional për fazën finale të dialogut me Serbinë. Meqenëse ju edhe më herët keni ndërmjetësuar mes subjekteve politike dhe i njihini nga afër ato, besoni se kanë vullnet politik partitë të arrijnë një konsensus për këtë çështje?


Rashiti: Është vështirë të mendohet që subjektet politike parlamentare të mbesim jashtë procesit politik në lidhje me dialogun me Serbinë. Po ashtu, është vështirë edhe dikush të mendojë se pa një masë kritike të Kuvendit të Kosovës të bëjë një proces të dialogut me Serbinë, i cili për mua do të jetë shumë kompleks dhe shumë i vështirë. Mendoj se të gjitha subjektet politike e kuptojnë rëndësinë e pjesëmarrjes dhe rëndësinë e procesit të dialogut me Serbinë. Jam i bindur se shumica apo të gjitha partitë do të jenë pjesë e këtij procesi në një mënyrë apo në një tjetër. Nëse të gjitha subjektet politike nuk do të jenë në ekipin negociator, atëherë ato do të jenë pjesë e mekanizmave të tjerë, qoftë në komisione apo grupe parlamentare për mbikëqyrjen dhe ruajtjen e konsensusit që do të funksionojnë në Kuvend. Po ashtu, ka një konsensus që për këtë proces të shkojë përmes Kuvendit. Besoj se subjektet parlamentare do të veprojnë në atë mënyrë që Kuvendit të Kosovës t’ia japin një fuqi të caktuar për të krijuar ekipin negociator që ta udhëheqë dialogun me Serbinë.

“Epoka e re”: Në publik duket se palët janë shumë larg arritjes së këtij konsensusi. Presidenti Thaçi disa herë ka ftuar opozitën të jetë pjesë e këtij procesi derisa opozita dhe një parti nga koalicioni qeverisës e kanë refuzuar këtë ftesë?


Rashiti: Nuk besoj se janë dallimet me apo pa opozitë, apo kush do të jetë bartës i procesit të dialogut. Dallimet janë se si të krijohet struktura e procesit të dialogut nga ana e Kosovës dhe parimet e këtij procesi. Pra, se si do të shkojë rrjedha e përgatitjes së këtij procesi tutje. Besoj se partitë politike mund të arrijnë konsensus që emërimi i ekipit negociator dhe platforma të ecin në mënyrë paralele. Tani për tani kemi një lloj debati për rolin e presidentit dhe opozitës. Duhet ta shohim një qasje më proaktive të Qeverisë në këtë proces, në veçanti të PDK-së si partia më e madhe në pushtet dhe të subjekteve të tjera se si ta formësojmë ekipin negociator. Me këtë ekip negociator që do ta emërojë Kuvendi i Kosovës presidenti atëherë do të punojë. Ka ide të ndryshme se si do të duket ky ekip apo çfarë niveli të përfaqësimit do të këtë. Unë dyshoj se subjektet politike ende nuk janë duke e kuptuar kompleksitetin e këtij procesi. Në këtë proces do të ketë nevojë për shumë procese për faktin se do të jetë kompleks. Nëse e lexoni mirë marrëveshjen Greqi – Maqedoni, shihen se sa çështje janë shtjelluar në një traktat paqeje. Besoj se edhe traktati i paqes Kosovë – Serbi në fund do t’i elaburojë në detaje të gjitha pikat e rregullimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Dhe këtu Kosovës do t’i duhet ekspertiza për çështje në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, për traktatet ndërkombëtare, për çështje integruese evropiane, kushtetutshmëri etj. Pra, do të duhej një grup i madh i njerëzve të punojnë në këtë proces. Sa më shumë që vonohemi do të bëhet më vështirë për ta kompletuar gjithë strukturën e këtij mekanizmi negociator. Takimet mes palëve nuk janë vetëm ato që shihen në televizione, në nivel presidentësh. Mendoj se në një fazë do të ketë takime disaditore mes Kosovës dhe Serbisë. Pastaj në momentin e përpilimit të marrëveshjes përfundimtare do të ketë shumë punë. Konsensusi do të jetë në dy nivele. Së pari në nivelin institucional, që përfshinë konsultat me liderët politikë dhe rolin e subjekteve parlamentare, qoftë përmes pjesëmarrjes direkte në ekip negociator, qoftë përmes mbështetjes, monitorimit apo këshillimit nga Kuvendi. Së dyti, Qeveria mund të marrë një rol të madh në procesin negociator duke deleguar një përfaqësues për ta koordinuar gjithë ekipin negociator, bartës i të cilit besoj se do të jetë presidenti.

“Epoka e re”: Ju parashikoni se ekipin negociator, së bashku me platformën për dialog, do ta miratojë Kuvendi, kurse delegacionin do ta udhëheqë presidenti Thaçi?


Rashiti: Besoj se kështu diçka do të jetë. Varësisht formulës apo nivelit të përfaqësimit në ekip negociator, se a do të jenë liderët apo nënkryetarët e partive. Megjithatë, kështu diçka do të jetë.

“Epoka e re”: Në bazë të kësaj, ju jeni të bindur se më në fund do të ketë konsensus kombëtar për këtë fazë të dialogut?


Rashiti: Nuk besoj se do të mund të shkojmë larg në dialog pa një konsensus apo bashkërendim të shumicës së partive parlamentare.

“Epoka e re”: Parashikimet janë se kjo fazë e procesit nuk do të jetë e lehtë për Kosovën. Nga këndvështrimi juaj, sa sfiduese do të jetë kjo për Kosovën?


Rashiti: Konkluzat e Këshillit të BE-së kësaj here e bënë të qartë se Serbia nuk mund të avancojë pa një marrëveshje me Kosovën. Kështu që, Serbia pret që në qershor të vitit 2019 të marrë dritën jeshile për ta vazhduar procesin. Pas zgjedhjeve në BE, Kuvendi dhe komisioni i BE-së do të kenë strukturë tjetër. Pra, ky është afati minimal për Serbinë. Ndërsa Kosovës i kërkohet të jetë gati ta finalizojë një marrëveshje me Serbinë, e cila në rastin ideal do të arrihej në dhjetor apo në fillim të vitit të ardhshëm, kurse në rastin më të largët pretendohet të arrihet deri në qershor të vitit të ardhshëm. Duhet të sqarohet se ky proces nuk është për ta rinegociuar pavarësinë apo kufijtë shtetërorë të Kosovës, por është proces për t’i rregulluar marrëdhëniet Kosovë – Serbi dhe për t’i rregulluar të drejtat e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare për të dyja vendet, për Serbinë në BE, kurse për Kosovën së paku në OKB e BE, ndërsa NATO-ja besoj se do të vijë vetvetiu. Pritjet e Serbisë dhe Kosovës në këtë proces janë ende larg njëra-tjetrës. Nuk është procesi i përafruar siç ishte ai në mes të Greqisë dhe Maqedonisë. Mendoj se në këtë proces do të ketë surpriza të mëdha nga Serbia, me kërkesa të ndryshme, qoftë për rregullim e brendshëm, qoftë për çështjen e kufijve apo për gjëra të tjera.

Mendoj se qëndrimet e subjekteve politike nuk janë larg se çka duan nga ky proces, por ende nuk janë të formësuara. Ajo që duhet të bëjë Kosova tash është që përmes një konsensusi të brendshëm të krijohet vigjilenca në proces se çfarë mund të përfitohet nga ky proces, e çka jo.

Qëllimi dihet. E drejta e anëtarësimit të Kosovës në OKB përmes një traktati me Serbinë. Kjo tani kërkohet edhe nga miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, pastaj është çështje tjetër se si do të implemetohet kjo për shkak të Rusisë. Kosova nuk duhet të frikësohet nga ky proces. Në fakt, Kosova në këtë proces duhet të bëhet kreative, të gjej ide dhe mënyra se si të arrihet deri të qëllimi i këtij procesi. Megjithatë kryesorja është krijimi i një mekanizmi konsistent të konsensusit. Pra, një mekanizëm konsistent, ku konsultat janë të përhershme, sepse dialogu do të ketë surpriza dhe vështirësi të mëdha. Ne nuk mund të krijojmë kriza sa herë që ka vështirësi në dialog. Ne duhet të krijojmë mekanizma që i japin zgjidhje dhe lehtësojnë dialogun sa herë që ka kriza në dialog. Prandaj në këtë proces duhet të kërkohet zgjidhje që kënaqin Kosovën, sepse trakti kërkon marrëveshje të dyanshme, e cila do të jetë e pranueshëm për të dyja palët. Kjo do të jetë vështirësia më e madhe. Historikisht shqiptarët dhe serbët nuk kanë pasur marrëveshje të pranueshme prej dy palëve. Sikurse procesi edhe marrëveshjet përfundimtare do të jenë goxha të komplikuar, sikurse ndodhi edhe në rastin Greqi – Maqedoni.

“Epoka e re”: Sërish do të ketë kompromise në këtë proces, që do të shkojnë përtej pakos së Ahtisarit? 

 Rashiti: Nuk shqetësohem për kompromise të ndryshme, sepse jeta politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare evulojnë. Kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen. Unë shqetësohem nga mungesa e kreativitetit të Kosovës në këtë proces, e cila do ta vendoste Kosovën në pozicion defansiv. Kosova nuk është në këto negociata për ta humbur pavarësinë. Kështu që, në këtë proces Kosova duhet të jetë kreative me opsionet për zgjidhjen finale të raporteve me Serbinë. Nga Serbia mund të ketë kërkesa për autonomi të serbëve, për status special, për ndarje, si dhe do të ketë kërkesa edhe për sovranitet pa ulëse në OKB. Pra, Kosova duhet të dalë në këtë proces me propozime për pozicionet e veta, të cilat do të jenë përgjigje ndaj ofertave të Serbisë. Nuk mund të thuash në proces vetëm jo, por duhet të ofrosh diçka kreative, me çka Kosova duhet t’i bindë miqtë ndërkombëtarë. Kompromisi është se si do të duket paketa përfundimtare dhe jo se cila palë po bën kompromis. Gjatë këtyre viteve të dialogut në Bruksel, procesi ka pasur kritika, për faktin se është folur vetëm për serbët në Kosovë dhe asgjë nuk është folur për definimin e raporteve shtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa tash dialogu do të jetë për definimin e raporteve Kosovë – Serbi.

“Epoka e re”: Si mund të jetë kreative Kosova në këtë proces?


Rashiti: Ka disa mënyra që Kosova mund të jetë kreative. Për shembull, pakoja e Ahtisarit ka bërë një balancë të të drejtave të serbëve në nivel lokal dhe atë qendror. Meqenëse kanë garanci të fuqishme në nivel qendror, duke përfshirë vendet e rezervuara dhe veton në parlament, atëherë është vështirë të flitet në këtë kontekst për autonomi më të madhe në nivel lokal. Këto dy çështje në një nivel të caktuar mund të negociohen. Nëse ka kërkesa prej Serbisë që të rinegociohet njëra prej këtyre çështjeve, atëherë do të prishej balanca. Pastaj duhet t’u përgjigjemi me argumente kërkesave jolegjitime për nivelin e autonomisë apo statusin special për serbët në veri. Pra, kam frikë se Kosova po ngujohet në defansivë, derisa nuk besoj se ka arsye të jetë në defansivë.

“Epoka e re”: Moszbatimi i marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do ta vështirësojë marrëveshjen finale?


Rashiti: Palët kanë nënshkruar marrëveshjen në vitin 2013 dhe janë të obliguar të punojnë në zbatimin e saj. Unë e shoh të pamundur zbatimin e marrëveshjes në pikun e negociatave më të vështira të mundshme. Politikisht Kosova po dëshiron që asociacionin ta shesë si pjesë të marrëveshjes finale, ndërsa Serbia nuk dëshiron zbatimin e kësaj marrëveshje, sepse për marrëveshjen finale shpreson një asociacion krejt tjetër. Ky është ndoshta një dështim i pjesshëm i Kosovës që ka lejuar që asociacioni të mbetet pjesë e negociatave finale, por edhe i BE-së që ka lejuar të mos ndodhë zbatimi i marrëveshjes. Po të kishim zbatim të plotë të marrëveshjeve të deritashme, pozicioni i Serbisë në këto negociata do të ishte më i dobët. Çështjet e moszbatimit të marrëveshje do të jenë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, të cilat do ta vështirësojnë atë. Këtu do të përfshihen ndoshta edhe rinegocimi i marrëveshje që janë bërë deri më tani. Gjithashtu, do të ketë edhe insistime për këtë çështje. Për shembull, me rastin e kërkesave për status special të serbëve në veri, apo autonomi, do të përfshihen energjetika dhe telekomi si pjesë të marrëveshjes. Këtu është ajo nevoja e kreativitetit të Kosovës që duhet të kemi përgjigje për çdo gjë. Në këtë drejtim duhet të kemi një llokim buxhetor dhe politik të institucioneve që të kërkohet edhe mbështetje ndërkombëtare për këtë proces. Ne duhet të lobojmë tek shtetet anëtare të BE-së edhe për dialog me Serbinë, jo vetëm për liberalizim të vizave.

Muhamet KOCI

PËRGJIGJU