Veseli: Kushdo që ka krijuar pasuri të paligjshme, do t’i konfiskohet

0

 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se kanë iniciuar ndryshimet e ligjit për konfiskimin e pasurisë për të dërguar mesazh që kushdo që ka ngrit pasuri në mënyrë të paligjshme, do t’i konfiskohet.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë, ka thënë se krimi nuk duhet të ketë petk për askënd.

“Kush është i inkriminuar le ta paguan çmimin, nuk ka nevojë as Vetëvendosje me pësuar për një individë, as PDK-ja për një individë dhe as LDK-ja për një individë, asnjë parti. Sistemi i drejtësisë është duke pësuar reforma dhe në të njëjtën kohë askush nuk na ka imponuar, ne e kemi iniciuar këtë për të dërguar mesazh që kushdo që ka ngrit pasuri, po le të jetë 20 vjet, le të jetë 50 vjet, do t’i merret“, ka thënë ai.

Veseli ka paralajmëruar edhe iniciativa tjera. “Do të shkojmë do ta bëjmë këtë, kemi pas raste, ka njerëz që rrinë në social  dhe për një vit veç kur ta shohim bëhet milionerë, veç thotë unë nuk kam kërkuar jam milioner. Hajde ta bëjmë deklarimin e pasurisë të çdo qytetari të Kosovës siç bëhet në vendet perëndimore“, ka thënë ai.

Veseli u ndal edhe te Vetingu, duke thënë se nga vjeshta shkojmë edhe te Vetingu.

“Në të njëjtën kohë hajde shkojmë edhe te Vetingu, shkojmë gradualisht nga vjeshta shkojmë edhe te Vetingu, në një farë forme e ndërtojmë një situatë e cila nuk është vetëm një status teknik në Bashkimin Evropian, por ka të bëjë me cilësinë e jetës tonë dhe fëmijëve tonë, atë çka i lëmë trashëgimi, t’i ndalim manipulimet, t’i ndalim keqpërdorimet dhe ti sanksionojmë kush ka faj, nuk kemi nevojë t’ia bëjmë, me sha, me fy njëri- tjetrin  nga nervozizmi, shkojmë gradualisht, ligji është mbi të gjitha“, tha Veseli.

Ai shtoi se leximi i dytë është më datë 2 gusht dhe çdokush që ka propozime t’i jap, por i ftojë të gjithë deputetët që të bashkohen për t’i dërguar në burg të gjithë fajtorët.

PËRGJIGJU