Mustafa: Jo shkëmbim territoresh, por vetëm bashkim të Luginës me Kosovën

0
Presidenti i Partisë Demokratike Shqiptare (DPA), Ragmi Mustafa, ka thënë sot se bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën është “zgjidhja më e mirë” për normalizim të përhershëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Për agjencinë serbe “Beta”, Mustafa ka thënë se ky do të jetë një prej propozimeve i cili kah fundi i gushtit apo në fillim të shtatorit do të jetë në rend dite gjatë dialogut mes dy vendeve në Bruksel.

“Është normale që kemi kërkuar t’i takojmë Kosovës por nuk bëhet fjalë për shkëmbim territoresh por për një demarkim të ri të kufirit gjatë së cilit Kosova dhe Serbia, përmes marrëveshjes së re që do të jetë e përhershme, në mënyrën më të mirë do të zgjidhin problemet e veta dhe do të vazhdojnë kah integrimet evropiane. Kur dy shtete fqinje flasin për demarkim të kufirit, normalisht se edhe njëra edhe tjetra kujdesen pakicat e tyre”, ka thënë Mustafa.

Duke folur për një deklaratë me të cilën këshilltarët shqiptarë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja dhanë “pëlqim zyrtar për presidentin, kryeministrin dhe ekipin negociator të Kosovës për të përfaqësuar të drejtat e tyre gjatë negociatave me Beogradin në Bruksel”, Mustafa tha se përfaqësuesit politikë shqiptarë nga këto komuna diskutuan një muaj e gjysmë më parë edhe me liderët politikë në Shqipëri.

“Shqiptarët nga këto tri komuna nuk presin më që të drejtat e tyre të përmirësohen në kuadër të Serbisë sepse asnjë nga marrëveshjet e kaluara nuk është zbatuar. Kur parlamenti i Republikës më 2013 miratoi Deklaratën me shtatë pika të kërkesave të shqiptarëve, presidenti dhe kryeministri i atëhershëm i Serbisë vlerësuan se ishin kërkesa krejtësisht reale, të cilat do të trajtohen nga çdo ministri e linjës, mirëpo asnjë ministri nuk ka nisur asgjë”, ka thënë Mustafa.

Duke shtuar se shqiptarët nga jugu i Serbisë “presin tash e 20 vjet që të zgjidhen të drejtat e tyre elementare gjë e cila nuk ka ndodhur”, Mustafa ka vlerësuar se kërkesa që Lugina e Preshevës t’i takojë Kosovë “ka legjitimitetin e referendumit i cili në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë u mbajt më 1 dhe 2 mars të vitit 1992 e në të cilin shqiptarët votuan në favor të bashkimit me Kosovën”.

PËRGJIGJU