Kërkesa e Luginës për bashkim me Kosovën duhet të merret seriozisht

0

 

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti, ka bërë me dije se partia më e madhe e koalicionit qeverisës do të jetë kujdestare e integritetit të shtetit të Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve.

Ai ka deklaruar se kjo parti nuk ka ndonjë qëndrim konkret rreth idesë së presidenti Hashim Thaçi për korrigjimin e kufirit me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Pajaziti ka thënë se PDK-ja mbetet e vendosur për zgjidhjen me dialog të të gjitha çështjeve të mbetura.

“Ne nuk është se kemi trajtuar ndonjë propozim a ide konkrete deri më tash, por PDK-ja mbetet si deri më tash, faktori kyç në procese, duke qenë e vendosur për ruajtjen e vlerave të kombit dhe shtetit tonë, pra duke u kujdesur për forcimin e këtyre vlerave të theksuara në Kushtetutën tonë. Ju sigurojmë se do të jemi kujdestarët e ruajtjes së integritetit të vendit tonë dhe të drejtave të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka thënë Pajaziti.

Ai ka treguar se ideja për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën është e shqiptarëve të saj dhe jo e ndonjë subjekti apo lideri politik të Kosovës.

“Së pari, duhet ta kemi të qartë se ideja e bashkimit të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën nuk është ide e ndonjë partie politike apo lideri në Kosovë. Kërkesa për bashkim me Kosovën ka qenë ide e shqiptarëve që jetojnë atje, madje ata këtë ide e kanë jetësuar me një referendum më herët. Pra, buron nga e drejta legjitime e shqiptarëve atje dhe, si e tillë, duhet të merret shumë seriozisht”, është shprehur ai, duke shtuar se vullneti i shqiptarëve të Luginës çdoherë ka ekzistuar për t’iu bashkuar Kosovës.

“Se është ky momenti i duhur për të folur për këtë çështje apo jo këtë nuk mund edhe ta parashohim ne me saktësi. Mendoj se në cilido prej momenteve të jetë apo jo si moment i duhur, vullneti i qytetarëve të asaj pjese është për bashkim me Kosovën dhe ai duhet të shfaqet pa ngurrim sepse, siç e dimë, shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës janë të privuar nga shumë të drejta dhe liri elementare. Po ashtu, në periudhat e rënda të historisë sonë kanë ndodhur ndryshime kufijsh në dëm të shqiptarëve. Pra, njerëzit andej e kanë një kujtesë kombëtare historike që i shtyn t’i kërkojnë të drejtat e tyre. Prandaj edhe si rezultat i kësaj rrjedhe historike edhe të një shtypje të vazhdueshme, atje kemi braktisje të trojeve nga gjeneratat e reja”, ka thënë Pajaziti.

“Epoka e re”: Z. Pajaziti, së fundi tërë skena politike është përfshirë në debatin rreth propozimit të presidentit Hashim Thaçi që në dialog me Serbinë do ta paraqesë kërkesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën. Cili është qëndrimi i PDK-së rreth kësaj çështje?
Pajaziti: Ne nuk është se kemi pasur ndonjë kërkesë eksplicite apo diçka konkrete që të marrim ndonjë qëndrim si parti. PDK-ja ka qenë dhe mbetet e vendosur që duhet të vazhdohet dialogu me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe gjetjen e një zgjidhje më afatgjatë. Si parti, jo vetëm se kemi qenë këmbëngulës që ky proces të ecë përpara, por edhe jemi përfshirë në të gjitha etapat e këtij procesi, duke qenë pjesë e rëndësishme e dialogut. Pra, kemi qenë dhe jemi të përcaktuar që me dialog të zgjidhen të gjitha kontestet që kemi me fqinjët.

“Epoka e re”: Por rreth idesë konkrete të presidentit Thaçi, cili është vlerësimi juaj?
Pajaziti: Së pari, duhet ta kemi të qartë se ideja e bashkimit të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën nuk është ide e ndonjë partie politike apo lideri në Kosovë. Kërkesa për bashkim me Kosovën ka qenë ide e shqiptarëve që jetojnë atje, madje ata këtë ide e kanë jetësuar me një referendum më herët. Pra, buron nga e drejta legjitime e shqiptarëve atje dhe, si e tillë, duhet të merret shumë seriozisht.

“Epoka e re”: Meqenëse Kosova dhe Serbia po hyjnë në fazën finale të dialogut, a është ky momenti i duhur për ta hapur këtë çështje?
Pajaziti: Se është ky momenti i duhur për të folur për këtë çështje apo jo këtë nuk mund edhe ta parashohim me saktësi. Mendoj se në cilido prej momenteve të jetë apo jo si moment i duhur, vullneti i qytetarëve të asaj pjese është për bashkim me Kosovën duhet të shfaqet pa ngurrim sepse, siç e dimë, shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës janë të privuar nga shumë të drejta dhe liri elementare. Po ashtu, në periudhat e rënda të historisë sonë kanë ndodhur ndryshime kufijsh në dëm të shqiptarëve. Pra njerëzit andej e kanë një kujtesë kombëtare historike që i shtyn t’i kërkojnë të drejtat e tyre. Prandaj edhe si rezultat i kësaj rrjedhe historike edhe të një shtypje të vazhdueshme, atje kemi braktisje të trojeve nga gjeneratat e reja.

“Epoka e re”: Mendoni se institucionet e Kosovës e kanë për obligim të merren me kërkesën e shqiptarëve të Luginës?
Pajaziti: Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është një proces i gjatë, i cili ka filluar mbi bazën e një pajtimi me partnerët tanë ndërkombëtarë pas luftës dhe natyrisht se ky proces duhet të vazhdojë me këtë partneritet duke i marrë parasysh gjithmonë kërkesat legjitime të shqiptarëve. Në rastin tonë nëse po flitet për një zgjidhje afatgjatë dhe nëse ka një vullnet të dyanshëm do të ishte mirë të gjendet një zgjidhjeje në tavolinën e dialogut. Kjo do të sillte një paqe afatgjatë për Ballkanin dhe do të krijohej me të vërtetë një ambient i sigurt për gjeneratat që vijnë. E kaluara e Ballkanit nuk është edhe aq shumë shpresëdhënëse që çështjet e kufijve të zgjidhen në kohë paqeje apo me marrëveshje. Mirëpo ne nuk bënë t’i humbim shpresat. Po e përsëris se është e rëndësishme që i gjithë ky proces duhet të përcillet me partneritet të ngushtë me mekanizmat që po e mbështesin dhe po e ndërmjetësojnë këtë proces. Gjithashtu, do të duhej që këto tema të mos përdoreshin për kalkulime politike elektorale qysh po ndodh ditët e fundit.

“Epoka e re”: Pra ende nuk mund të themi nëse PDK-ja e përkrah apo jo idenë e presidentit për korrigjim të kufirit me Serbinë?
Pajaziti: E thashë edhe më herët se PDK-ja mbetet e vendosur për zgjidhjen me dialog të të gjitha çështjeve të mbetura edhe si kushte për t’u avancuar në procesin e integrimit në BE. Ne nuk është se kemi trajtuar ndonjë propozim a ide konkrete deri më tash, por PDK-ja mbetet si edhe deri më tash, faktori kyç në procese, duke qenë e vendosur në ruajtjen e vlerave të kombit dhe shtetit tonë, pra duke u kujdesur për forcimin e këtyre vlerave të theksuara në Kushtetutën tonë. Ju sigurojmë se do të jemi kujdestarët e ruajtjes së integritetit të vendit tonë dhe të drejtave të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Epoka e re”: Idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë e kanë kundërshtuar partnerët e koalicionit qeverisës derisa opozita ka shprehur mendime të ndryshme. Mendoni se do të duhej të gjendet një konsensus mes subjekteve politike për këtë çështje?
Pajaziti: Personalisht mendoj se ka një lojë fjalësh me termat që po përdoren. Edhe për demarkacionin me Malin e Zi në fund patën një farë pajtimi me një pjesë të atyre që e kishin kundërshtuar këtë proces të cilët thanë se pajtohemi, por do ta bëjmë një farë korrigjimi të kufirit. Pra, kjo puna e korrigjimit të kufirit më shumë ka të bëjë me justifikimin e veprimeve politike sesa me diçka që në praktikë mund të ndodhë. Të njëjtit tash janë kundër korrigjimit të kufirit me Serbinë. Mendoj se qëndrimet politike duhet të mos jenë të ngutshme. I takon koalicionit qeverisës që të ketë një koordinim të plotë në mes të gjitha partive politike të koalicionit, por edhe të opozitës. Pra, duhet të kemi një konsensus sepse kjo është çështja më serioze me të cilën po përballemi prej shpalljes së pavarësisë. Duhet të jemi të kujdesshëm në këtë drejtim dhe nuk duhet askush të kalkulojë politikisht ngushtë me temat e tilla.

“Epoka e re”: Në opinion ekziston droja se pas këtyre ideve mund të fshihet ndarja e Kosovës apo ndonjë status special për veriun e vendit. I shihni të mundshme këto opsione?
Pajaziti: Nuk jam i prirë t’u besoj këtyre teorive konspirative. Frika e tillë vjen natyrshëm nëse e kujtojmë të kaluarën tonë me Serbinë. Pikërisht kjo frikë duhet të na mbajë neve të bashkuar në kuptimin e koordinimit politik. Në rastin tonë, Serbia është e interesuar të nxjerrë sa më shumë të drejta për serbët që jetojnë në Kosovë, ndërsa ne duhet të synojmë t’i trajtojmë të drejtat e gjithë qytetarëve në Kosovë, po ashtu edhe të drejtat e gjithë shqiptarëve që jetojnë edhe andej kufirit. Kjo është diçka e logjikshme që ne duhet të kujdesemi. Pra, ky është një rast i mirë që përmes dialogut të shikojmë t’i zgjidhim të gjitha problemet që ne i kemi. Besoj se i kemi marrë mësimet e nevojshme nga krejt çfarë kemi kaluar dhe t’i bëjmë veprimet e duhura për vendin tonë.

Muhamet KOCI

PËRGJIGJU