Asociacioni i Komunave Serbe të jetë i njëjtë me asociacionin tonë

0

 

Zëvendëskryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), njëherësh kryetar i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka thënë të premten se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se Asociacioni i Komunave Serbe duhet të jetë i njëjtë me AKK-në. “Asociacione mund të themelohen sa të duan në Republikën e Kosovës, por vetëm duhet të bazohen në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi. Ndonëse kjo është çështje e nivelit qendror, megjithatë nuk besoj se do të ndodhë një gjë e tillë, pra që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të ketë kompetenca dhe të dallojë nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Nuk besoj se do të ketë dallime në mes të asociacioneve”, ka deklaruar ai, duke shtuar se themelimi i këtij Asociacioni është i panevojshëm. “Faktikisht nuk është i nevojshëm, por Kushtetuta lejon që një grup i komunave të kenë një asociacion. Edhe në Shqipëri janë dy asociacione të komunave, mirëpo kompetencat i kanë të njëjta dhe të barabarta”, ka theksuar Gashi.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të ketë bashkëpunim në mes të dy asociacioneve. Gashi është shprehur i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit në mes të nivelit lokal dhe atij qendror duke thënë se një gjë e tillë duhet të vazhdojë edhe më tutje dhe të gjitha projektet e arsyeshme duhet të implementohen.

Kurse sa i përket moszbatimit të Ligjit për Obiliqin, ai ka thënë se vonesat në këtë drejtim janë shkaktuar për shkak të taksës për eksploatimin e thëngjillit. Gashi ka bërë me dije se tashmë kjo çështje është paraparë në kornizën buxhetore dhe, sipas tij, nga janari i vitit të ardhshëm ky ligj do të fillojë të implementohet.

“Nuk presim pengesa. Sepse çështja e tantiemës tanimë është ndarë me kornizën buxhetore dhe kjo nënkupton se kemi filluar planifikimin e buxhetit për vitin 2019 duke përfshirë edhe hyrjet që do të jenë nga tantiema e eksploatimit të thëngjillit. Prandaj nga janari presim zbatimin e Ligjit për Obiliqin sepse kemi marrë konfirmimin nga Ministria e Financave që ligji do të buxhetohet në vlerën që e përmenda”, është shprehur ai.

“Epoka e re”: Z. Gashi, edhe më tutje nuk ka implementim të Ligjit për Obiliqin. Pse kjo vonesë?
Gashi: Tashmë kemi marrë konfirmimin se Ligji për Obiliqin do të buxhetohet nga janari i vitit të ardhshëm. Tantiema (taksa për eksploatimin e thëngjillit) fillon të paguhet nga janari i vitit 2019 dhe Obiliqi do t’i përfitojë edhe 4 milionë e 975 mijë euro dhe kjo pritet të ndryshojë varësisht nga eksploatimi i thëngjillit. Përveç Ministrisë së Financave, shpresojmë se edhe ministritë e tjera ta fillojnë realizimin e përgjegjësive që ua jep Ligji për Obiliqin.

 “Epoka e re”: Që do të thotë se më nuk do të ketë pengesa, por që nga janari i vitit të ardhshëm do të nisë zbatimi i Ligjit për Obiliqin?
Gashi: Nuk presim pengesa. Sepse çështja e tantiemës tanimë është ndarë me kornizën buxhetore dhe kjo nënkupton se kemi filluar planifikimin e buxhetit për vitin 2019 duke përfshirë edhe hyrjet që do të jenë nga tantiema e eksploatimit të thëngjillit. Prandaj, nga janari presim zbatimin e Ligjit për Obiliqin sepse kemi marrë konfirmimin nga Ministria e Financave që ligji do të buxhetohet në vlerën që e përmenda.

“Epoka e re”: Në mungesë të zbatimit të këtij ligji, cilat janë humbjet që po i shkaktohen komunës dhe qytetarëve të saj?
Gashi: Realisht në mungesë të zbatimit të Ligjit për Obiliqin nuk mund të zhvillohen projektet e parapara. Megjithatë, si duket, pritjes i ka ardhur fundi dhe nga janari i vitit të ardhshëm do ta fillojmë zbatimin e ligjit.

 “Epoka e re”: Duke qenë në pozitën e zëvendëskryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), keni arritur t’i evidentoni dhe trajtoni problemet me të cilat ballafaqohen komunat në përgjithësi?
Gashi: Komunat në Kosovë ballafaqohen me sfida të shumta. Megjithatë, po bëhet e pamundur që shqetësimet e komunave të bartën nëpër ministri përkatëse.

 “Epoka e re”: Z. Gashi, ka bashkëpunim të duhur ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror?
Gashi: Vendimet që janë marrë deri më tani nga Qeveria Haradinaj tregojnë për nivelin e bashkëpunimit në mes të nivelit qendror dhe komunave. Të gjitha projektet që janë të arsyeshme duhet të implementohen nga ministritë e linjave përkatëse. Është fat i mirë që tani kemi koordinatorin Besnik Tahiri si dhe kemi pasur rastin që disa herë të takohemi me kryeministrin Haradinaj dhe me kryetarët e komunave bashkërisht në mënyrë që të trajtojmë tema të cilat janë të ndjeshme dhe të domosdoshme për komunat. Kjo ka arritur një rezultat jashtëzakonisht të mirë, nuk po e them këtë se i përkas Aleancës, por sepse me të vërtetë kemi mundësi t’i shprehim shqetësimet e komunave para kryeministrit dhe ta marrim mbështetjen e duhur.

“Epoka e re”: Cilat mbesin shqetësimet kryesore në këtë drejtim?
Gashi: Komunat janë fronti i parë që përballen me shqetësimet e qytetarëve varësisht prej komunave. Pothuajse në tërësi problematikat janë të njëjta dhe tani për tani shqetësimi më i madh është mirëmbajtja e investimeve kapitale. Pra, investimet kapitale janë duke u zhvilluar nëpër të gjitha komunat, mirëpo problem mbetet planifikimi i mirëmbajtjes së tyre duke i llogaritur edhe mallrat e shërbimet që duhet patjetër të diskutohet në këtë drejtim në nivelin qendror, konkretisht në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal që të bëhet një zgjidhje, sepse shumë projekte në shumë komuna janë realizuar, por ato kërkojnë edhe mirëmbajtje.

“Epoka e re”: Si e shihni themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe?
Gashi: Asociacione mund të themelohen sa të duan në Republikën e Kosovës, por vetëm duhet të bazohen në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi.

“Epoka e re”: Pra, Asociacioni nuk duhet të ketë assesi kompetenca ekzekutive?
Gashi: Absolutisht jo. Duhet të jetë i barabartë me Asociacionin tonë dhe asociacionet e tjera në rajon.

“Epoka e re”: Po nëse do të ketë kompetenca?
Gashi: Ndonëse kjo është çështje e nivelit qendror, megjithatë nuk besoj se do të ndodhë një gjë e tillë, pra që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, të ketë kompetenca dhe të dallojë nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Nuk besoj se do të ketë dallime në mes të asociacioneve.

“Epoka e re”: Është i nevojshëm krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe?
Gashi: Faktikisht nuk është i nevojshëm, por Kushtetuta lejon që një grup i komunave të kenë një asociacion. Edhe në Shqipëri janë dy asociacione të komunave, mirëpo kompetencat i kanë të njëjta dhe të barabarta.

 “Epoka e re”: Në rast se do të themelohet ky asociacion a do të bashkëpunoni me të?
Gashi: Unë besoj se do të ketë bashkëpunim. Pse mos të ketë bashkëpunim? Mirëpo kompetencat duhet t’i kenë të njëjta edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Shqipe HETEMI

PËRGJIGJU