Faza e re e dialogut, e komplikuar dhe shumë e vështirë

0

 

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomati Lisen Bashkurti, ka thënë se procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në një fazë të re, e cila synon të krijojë një marrëveshje që do t’i hapte rrugë gradualisht normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Ai ka thënë se kjo fazë duket të jetë e gjatë, e komplikuar dhe shumë e vështirë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Bashkurti ka theksuar se propozimi për korrigjimin e kufirit Kosovë – Serbi është ideja më e komplikuar teorikisht dhe më e vështira për t’u realizuar praktikisht.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës duhet ta bëjnë punën e tyre në procesin e dialogut duke demonstruar legjitimitet, transparencë, përgjegjshmëri, gjithëpërfshirje dhe, tek pastaj, të kërkohen partnerë ndërkombëtarë mbështetës si ShBA-ja, BE-ja apo shtetet individuale.

“Epoka e re”: Z. Bashkurti, Kosova dhe Serbia janë në fazën e fundit të dialogut. Si e shihni këtë proces?
Bashkurti: Dialogu në vetvete është një proces i pafund. I tillë është edhe dialogu midis Kosovës dhe Serbisë. Përcaktimi si ‘faza e fundit e dialogut’ nuk më është dukur asnjëherë racional. Teorikisht është e pasaktë, ndërkohë që praktikisht është shumë i nxituar. Ajo që mund të themi është fakti se dialogu Kosovë – Serbi ka hyrë në një fazë të re, e cila synon të krijojë një marrëveshje kuadër të gjerë që do t’i hapte rrugë gradualisht normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Kjo fazë e re duket të jetë e gjatë, e komplikuar dhe shumë e vështirë. Janë shumë variabla që ndikojnë për këtë. Variablat brenda Kosovës, brenda Serbisë, brenda Ballkanit, brenda BE-së, variablat gjeopolitike euroaziatike dhe variablat ndërkombëtare. Siç shihet, jemi në një fazë ku lypet të konsiderohen faktorë, aktorë dhe dukuri të shumta, dinamike dhe mjaft të paparashikueshme. Për këtë arsye përcaktimet ‘faza e fundit e dialogut’ apo ‘faza e normalizimit’ të marrëdhënieve janë shumë të diskutueshme që më shumë reflektojnë qëndrime subjektive plot keqkuptime sesa reflektojnë realitetet aktuale dhe perspektivë.

“Epoka e re”: Qeveria e Kosovës ka formuar një ekip negociator që ende nuk ka marrë të dritën e gjelbër nga Kuvendi. A do të duhej një ekip i tillë?
Bashkurti: Në proceset negociuese kanë rëndësi disa elemente: Së pari, është përpilimi i strategjisë së negocimit. Strategjia e negocimit ka të bëjë me tërësinë e politikave, me anën e të cilave synohet të arrihet qëllimi kryesor i negocimit dhe objektivat kryesore. Në strategji përfshihen edhe prioritetet themelore të renditura për nga shkalla e rëndësisë. Prioritetet shoqërohen me skenarët përkatës që përmbajnë pritshmëritë me avantazhet dhe disavantazhet, me përfitimet dhe humbjet, me shkallën e garancisë dhe të rrezikshmërisë. Dokumenti strategjik i negocimit përcakton edhe vijat e kuqe përtej të cilave nuk negociohet, vijat konkorduese të cilat janë tit-for-tat për tërheqje dhe lëshime si dhe vijat fleksibile, të cilat janë në çdo rrethanë pjesë e mundshme kompromisi. Dokumenti strategjik i negocimit përgatitet nga tërësia e institucioneve kushtetuese të Kosovës të ngarkuar për politikëbërje dhe vendimmarrje në politikën e jashtme. Asnjë individ dhe asnjë institucion i veçantë nuk mund ta anashkalojë këtë dokument strategjik negocimi, të përpiluar dhe miratuar në mënyrë gjithëpërfshirëse ndërinstitucionale.
Së dyti, pas përpilimit të këtij dokumenti strategjik negociues gjithëpërfshirës ndërinstitucional kalohet në miratimin e ekipit negociator dhe udhëheqësit të tij. Ekipi negociator është institucion ad-hoc i krijuar enkas për realizimin e dokumentit strategjik negociues. Ky ekip nevojitet të jetë atdhetar që jep garanci, të jetë gjithëpërfshirës që shpreh angazhim e kontribut, të jetë me integritet të lartë që krijon besim, të jetë me kulturë e profesionalitet që ushqen shpresë, të jetë me përvojë që ofron modele suksesi. Kosova ka mjaft burime të tilla, por kjo nuk do thotë se s’mund të angazhohen edhe ekspertë jashtë Kosovës.
Së treti, ekipi negociator ka shumë punë përgatitore për të bërë. Ai është hartuesi i taktikave të negocimit në proces e sipër. Ekipi ndan rolet e anëtarëve në përputhje me taktikën e negocimit. Përcakton gjuhën verbale të negocimit. Gjithashtu, përcakton gjuhë trupore dhe gjestikulare. Ekipi përpilon taktikat e komunikimit me grupe të ndryshme ekspertësh, me faktorët jashtë negociatorë, me opinionin publik dhe median. Është ky ekip që hap pas hapi ofron raporte të detajuara mbi ecurinë e procesit të negocimit në përputhje me dokumentin strategjik negociues.
Së katërti, në krye të ekipit negociator vihet një personalitet me vlera, besim, kulturë dhe aftësi të njohura në fushën diplomatike në përgjithësi dhe të negociatave në veçanti. Kredibiliteti politik, profesionaliteti diplomatik dhe respekti ndërkombëtar janë trinomi i vlerave të kërkuara për liderin e ekipit negociator.

“Epoka e re”: Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj disa herë po bëjnë thirrje që në këtë fazë të fundit të dialogut të përfshihet edhe ShBA-ja. A do të duhej që ShBA-ja të ketë rol të drejtpërdrejtë në këtë dialog, jo nga prapa?
Bashkurti: Presidenti, Qeveria dhe të gjitha institucionet kushtetuese politikëbërëse dhe vendimmarrëse të politikës së jashtme të Kosovës lypset ta bëjnë punën e tyre paraprake, përgatitjet respektive, të demonstrojnë legjitimitet, transparencë, përgjegjshmëri dhe gjithëpërfshirje. Mbas kësaj mund të kërkohen partnerë ndërkombëtarë mbështetës, duke përfshirë ShBA-në, BE-në apo shtetet individuale të veçanta. Këta mbeten faktorë të huaj, ndërmjetësues, lehtësues apo mbështetës. Baza ngelen institucionet sovrane dhe legjitime kushtetuese të Republikës së Kosovës. Pra, dokumenti strategjik negociues, ekipi negociator, lideri i këtij ekipi janë pjesë e detyrave dhe përgjegjësive të Kosovës. Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe lypset të demonstrojë gatishmëri, aftësi dhe kompetenca për të hyrë në marrëdhënie ndërkombëtare, duke përfshirë edhe proceset negociuese ndërkombëtare. Gatishmëria, aftësia dhe kompetencat për të hyrë në marrëdhënie ndërkombëtare, duke përfshirë edhe proceset negociuese përbëjnë, në tërësinë e tyre, një prej katër parimeve të së drejtës ndërkombëtare për shtetin si subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare. Kosova duhet ta zbatojë këtë parim detyrues për shtetin. Asnjë faktor ndërkombëtar, sado partner strategjik që të jetë, nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë këtë detyrim ndërkombëtar të vet Republikës së Kosovës. Transferimi i këtij detyrimi shtetëror të Kosovës te faktorë të tjerë ndërkombëtarë, qoftë edhe partnerë strategjikë, do të ishte sa i pamundur aq sa edhe tregues i paaftësisë së Republikës së Kosovës për t’i përmbushur të drejtat dhe detyrimet e shtetit në marrëdhënie ndërkombëtare. Për Kosovën kjo është një sfidë e madhe. Është sfidë institucionale politikëbërëse dhe vendimmarrëse, sfidë lidershipi politik, sfidë kapacitetesh diplomatike dhe ekspertize.

“Epoka e re”: Z. Thaçi kohët e fundit po flet për korrigjim të kufirit me Serbinë. Ju si e keni parë këtë ide, e cila në Kosovë po kundërshtohet edhe nga një pjesë e pozitës dhe opozita?
Bashkurti: Nuk është kurrfarë ideje, as origjinale, as e re. Është një ide e vjetër sa vetë shteti. Është ideja më e komplikuar teorikisht dhe më e vështira për t’u realizuar praktikisht. Së pari, territori dhe territorialiteti nuk janë definicione gjeografike, por gjeopolitike. Në shkencat politike thuhet se ‘territori është hapësira ose mjedisi ku popujt lindin dhe zhvillojnë identitetet e veta etnokulturore dhe zhvillojnë statuset e tyre ekonomiko-sociale’. Për konsekuencë çdo lëvizje, korrigjim apo shkëmbim territori përmban ndryshim të subjektivitetit politik të popullit që jeton në atë hapësirë.
Së dyti, ndryshimi i subjektivitetit politik të popullsive kërkon të konsiderohen demokratikisht të gjitha grupet, komunitetet, fiset, familjet, individët; kërkon të merren parasysh mjedisi jetues, etnokulturor, resurset ekonomike, rrethanat biznesore dhe çdo element identitar dhe statutor. Jashtë këtyre faktorëve çdo lëvizje e identitetit politik të popullsive nga komunitetet deri te çdo individ do të ishte jodemokratike, do të ishte lëvizje me forcë, shpërngulje e detyrueshme dhe si të tilla të papranueshme nga parimet universale të të drejtave të njeriut.
Së treti, ndryshimet e territorialitet, bashkë me të edhe i subjektivitetit politik të popullsive respektive, nuk mund të bëhet pa marrë parasysh përvojat historike dhe realitetet etnokulturore dhe gjeopolitike të rrethit fqinjësor të drejtpërdrejtë dhe të rajonit specifik, në rastin e dhënë të Ballkanit. Territori dhe popullsitë janë ‘sisteme kapilare’ me ndikime dhe efekte të pashmangshme ndërmjet tyre. Në këtë proces dihet vetëm fillimi. Fundi është i paparashikueshëm. Ajo që dihet janë vetëm përvojat historike që na japin mësime ogurzeza sidomos në Ballkan.
Së katërti, shkëmbi i territoreve dhe i subjektivitetit politik të popullsive mund të ndodhë vetëm në shtetet shumë demokratike funksionale dhe që njohin e respektojnë njëri-tjetrin, vetëm në rajone krejtësisht të stabilizuara, demokratike dhe me prosperitet të lartë ekonomik e social si dhe vetëm me mbështetje dhe garanci të fuqishme dhe legjitime ndërkombëtare. Në rastin e dhënë nuk ekziston situatë e tillë as në nivelet dypalëshe shtetërore, as në mjediset rajonale dhe as në garancitë mbështetëse ndërkombëtare.
Së pesti, faza e fundit e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi kërkohet ta synojë heqjen e kufijve ose minimalizimin e tyre; heqjen e doganave ose zbutjen e tyre; liberalizimin e lëvizjes së njerëzve dhe kontrollin e integruar të kufirit; respektimin e plotë të të drejtave të komuniteteve pakicë dhe mbi parime tërësisht reciproke; njohjen dhe pranimin reciprokisht të të vërtetave historike dhe të realiteteve aktuale midis dy shteteve. Njohja e të vërtetave prodhon respekt, respekti prodhon mirëkuptim, mirëkuptimi krijon pajtim, pajtimi krijon miqësi dhe kjo e fundit i jep fund të kaluarës, i hapë rrugë paqes, bashkëpunimit dhe prosperitetit për dy popujt dhe vendet dhe shënon vlerë të shtuar për politikën e fqinjësisë së mirë dhe për paqen e stabilitetin rajonal.

“Epoka e re”: Sa janë gjasat që këtë vit Kosova të pranohet në Interpol?
Bashkurti: Kjo ngelet për t’u parë. Diplomacia e Kosovës po tregohet e plogësht dhe e paaftë. Ajo është në krizë, sepse është mbërthyer në grackën bilaterale të lojës serbe dhe ka harruar ta vijojë agjendën e gjerë ndërkombëtare. Rënia në grackën e diplomacisë bilaterale serbe dhe lënia pas dore e agjendës së gjerë ndërkombëtare të shtetit të Kosovës po e vetizolon Kosovën, po tkurrë njohjet ndërkombëtare të saj dhe po ngadalëson integrimin, qoftë edhe në organizata të veçanta. Me zhvillimet në kohët e fundit gjasat për integrim në Interpol janë të zbehta.

PËRGJIGJU