Gjilan: Kuvendi ndahet te komisionet e ndërmarrjeve publike

0

 

Kuvendi Komunal i Gjilanit, nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ka mbajtur të mërkurën seancën e radhës, ku ka shqyrtuar raportin financiar për periudhën janar-shtator 2018, raportin 9-mujor të punës për ndërmarrjet publike “Tregu”, Stacioni i Autobusëve dhe “Ecohigjiena”, vendimin për emërimin e anëtarëve të Komisionit Komunal të Aksionarëve në ndërmarrjet publike lokale “Tregu” dhe Stacioni i Autobusëve, raportin për përfundimin e vitit shkollor 2017/2018 si dhe fillimin e vitit shkollor 2018/2019, raportin e komisionit për mbikëqyrjen e dezinfektimit, dezinsektimit dhe derratizimit, kërkesën për kompensimin e Komisionit për ndarjen e bursave për studentë të dalluar, vendimin për ndarjen e një lokacioni për deponi të mbeturinave inerte, iniciativën për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për këshillat lokale si dhe raportin për riorganizimin e rrugës “Marie Shllaku”.

Opozita kundërshtoi futjen në rend dite të tri pikave të fundit, ndonëse tha se në parim nuk është kundër, me arsyetim se materialet nuk ishin dërguar me kohë dhe nuk kanë mundur t`i analizojnë, por kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini, pasi e shpjegoi rëndësinë e këtyre çështjeve, tha se këto pika do t`i vendos në fund të rendit të ditës, për t`iu dhënë mundësi këshilltarëve që të njihen me këto kërkesa, që janë me interes për qytetarët, prandaj nuk është mirë të shtyhen.

Sa i përket raportit financiar, drejtori Zijadin Maliqi, ka thënë se Gjilani është ndër komunat më të mira për transparencë financiare, duke shtuar se buxheti i planifikuar për vitin 2018, me mjetet nga grandi, mjetet vetanake të vitit 2018, mjetet e bartura nga viti 2017, donacionet dhe participimet e qytetarëve, arrin në 26.658.063 euro.

Në planin e të hyrave vetanake, Maliqi ka thënë se trendi prej mbi 65 për qind, sa ishte në fund të shtatorit, në tetor ka arritur në 80 për qind dhe është shprehur optimist se deri në fund të vitit mund të realizohet tërësisht.

Kurse sa i përket shpenzimeve, ai ka thënë se parametrat janë ashtu siç paraqitën në raport, duke sqaruar se edhe subvencionet, sivjet janë më të mëdha se asnjëherë më parë, brenda mundësive buxhetore të Komunës, meqë këto mjete ndahen nga të hyrat vetanake.

Pozita e ka lavdëruar raportin, ndërkaq opozita është shprehur kritike sa i përket realizmit të planit të të hyrave si dhe transparencës në shpenzime.

Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se raporti është një pasqyrim i drejtë dhe i saktë i lëvizjeve buxhetore në këtë periudhë dhe i ka dhënë përkrahje, sikurse edhe këshilltarët tjerë të pozitës, Fitim Guda, Burim Berisha dhe të tjerë.

Kurse Nevzad Isufi (LVV) ka thënë se raporti financiar ka vetëm shifra, ndërsa i mungon pjesa sqaruese dhe krahasuese si dhe ka lëshime materiale e gabime teknike, derisa Riza Abdyli (PDK) ka theksuar se realizimi i të hyrave ka ngecje në krahasim me planifikimin për afër 1.5 milion, ndërsa shpenzimet janë rritur.

Shefik Surdulli (PDK) ka thënë se dështimi në realizimin e planit, është pasojë e planifikimit jo profesional të të hyrave, ndërsa ka pasur vërejtje te ndarja e subvencioneve për kulturë, rini dhe sport. Vërejtje kanë pasur edhe Arijeta Rexhepi (LVV) e cila ka thënë se raporti dëshmon se paraja publike nuk po menaxhohet si duhet.

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës, ka thënë se ndarja e subvencioneve bazohet në një rregullore të qeverisë së kaluar qendrore, e cila, sipas tij, është e gabueshme dhe duhet të ndryshohet. “Jemi të vetëdijshëm se subvencionet mund të mos i plotësojnë nevojat e të gjitha klubeve sportive, por duhet pasur parasysh se ndarje e mjeteve bazohet në mundësitë buxhetore të Komunës”, ka thënë ai.

Përndryshe, nënkryetari Ismajli është përgjigjur edhe në pyetjet e këshilltarëve komunalë, kryesisht të opozitës, rreth disa investimeve dhe projekteve, duke thënë se punimet janë duke vazhduar sipas dinamikës, me ndonjë përjashtim te ndonjë projekt i financuar nga Ministria e Infrastrukturës, ku ka vonesa në lëshimin e mjeteve, ndërsa atje ku ka ngecje me fajin e operatorëve, do të shikohet mundësia për shkëputjen e kontratës me punë kryesin.

Në rastin e Shtëpisë së Kulturës në Përlepnicë, që ka filluar vite më herët, të cilin i ngriti si çështje të pazgjidhur Bujar Nevzati (PDK), nënkryetari Ismajli ka thënë se sipas të gjitha gjasave, atje gjithçka duhet të niset nga fillimi, vitin e ardhshëm.

Në pyetjet dhe interesimet tjera të këshilltarëve komunalë, përgjigje kanë dhënë edhe drejtorët Naser Korça (Shërbime Publike), Nazim Gagica (Arsim), Sadudin Berisha (Kadastër), Bekim Bajrami (Urbanizëm) dhe Nevzad Rushiti (Inspekcion).

Emërimi i anëtarëve të Komisionit Komunal të Aksionarëve në tri ndërmarrje lokale publike ka qenë pika ku dy partitë kryesore opozitare, kanë reaguar zëshëm, nëpërmjet Nevzad Isufit (LVV) e Riza Abdylit (PDK), të cilët kanë thënë se nuk janë konsultuar paraprakisht rreth propozimeve të bëra nga Avdyl Aliu (LDK), duke i cilësuar ato partiake, për çka e kanë braktisur vazhdimin e seancës.

Kuvendi ka proceduar tutje, duke emëruar te ndërmarrja Driton Nuhiun e Shadije Rexhepin Tregu), përkatësisht Artan Musliun e Albulena Asallanin (Stacioni i Autobusëve), ndërkaq e ka shtyrë për seancën tjetër emërimin në ndërmarrjen “Ecohigjiena”, pjesa publike.

Festa Shabani, këshilltare e pavarur, ka thënë se braktisja e seancës nuk është zgjidhje, sepse qytetarët na kanë votuar për të kryer punë në Kuvend Komunal.

Ndërkaq, një raport rreth përfundimit të vitit të kaluar shkollor si dhe fillimit të vitit të ri shkollor e ka paraqitur drejtori Nazim Gagica, i cili ka thënë se Drejtoria e Arsimit i ka realizuar të gjitha punët dhe detyrat e planifikuara sipas dinamikës së paraparë në planin e veprimit.

Raporti ka marrë vlerësim pozitiv nga Teuta Syliqi (LDK) e Arta Nuhiu (AAK), ndërkohë që Festa Shabani ka pasur vërejtje rreth procedurave të konkursit në arsim, duke thënë se kandidatët duhet të njoftoh edhe në formë elektronike, sepse njoftimi përmes tabelave të shpalljeve nuk është i mjaftueshëm.

Sa i përket kërkesës për deponi të materialeve inerte, sipas propozimit të Drejtorisë së Urbanizmit, të cilin e ka arsyetuar drejtori Bekim Bajrami, Kuvendi ka vendosur që ky lokacion të jetë në Kmetoc./GJILANI.INFO/

PËRGJIGJU