Një tufë lule në mes të Parisit

0

 

Fehmi Ajvazi

Idetë dhe veprimet për ta kthyer shoqërinë njerëzore në një “fshat global” ku s’dihet kush han dhe as kush paguan, e shtyjnë botën drejt rreziqeve të ndryshme dhe e dobësojnë paqen globale. Në kontekst, organizimi i shënimit të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore nga Forumi për Paqe i Parisit nën patronatin e drejtpërdrejtë të presidentit Emmanuel Macron, më 11 nëntor, është gjest i çmuar i kujdesit për paqen globale.  

Njerëzimi (me gjasë), asnjëherë në historinë e tij nuk ka prekur sfera kaq të larta zhvilluese në fusha të ndryshme. Kjo, e bënë atë krenarë në  identitetin e tij fizik dhe shpirtërorë. Por kundrejt arritjeve fantastike njerëzore, madje sublime, lindin dhe përhapen edhe sferat e së keqes. Fenomeni i së keqes (Kanti), nuk është i panjohur, veçse, ndryshe nga natyra e tij e djeshme, sot ky fenomen është duke marrë përmasa të frikshme, në rastet e caktuara përmasa të pakontrollueshme. Pse? Dimensioni i së keqes, konvencionalizmi i tij i djeshëm, sot falë mundësive të mëdha tekniko – industriale po evoluon si një antipod tejet i rrezikshëm i së mirës. Ja një shembull adekuat: Ju, sot mund ta krijoni (në një qoshe të botës) një grup të përbërë nga djelmosha inteligjent që e zotërojnë teknologjinë informative dhe pastaj, ta terrorizoni me lehtësi komode një kompani bankare, një departament sekret, një arkiv strategjik ushtarak, me një fjalë një shtet!

Fenomenet e sotshme me natyrë destruktive, vijnë nga horizonte delikate-konspirative dhe veçohen për nga përmbajtja, mjetet që përdoren, pasojat etj. Ato, yshten nga projektues të interesave të shumëfishta. Koncepti i tyre, rëndom përbëhet nga shtjella e rrezikshme e shkaktimit të kaosit! Disa goditje të këtilla, tashmë i kemi përjetuar të gjithë: ta zëmë, ”11 shtatorin” e New Yorkut ose përdorimin e helmeve kimike kundër civilëve në Homs!

Natyrshëm, çdo e keqe është penguese dhe me pasoja. Po, a duhet heshtur dhe qëndruar në rolin e spektatorit kundrejt fenomenit të së keqes?

Konditat e gjendjes aktuale në botë, sot vijnë duke u acaruar me tendenca të përhapjes së pakontrolluar në masë. Luftërat, kërcënimet luftënxitëse, ngrohja globale, terrorizmi, diversionet kibernetike, fundamentalizmat racorë dhe fetar si dhe modelet e tjera  destruktive,  s’kanë qenë dhe as nuk janë vetëm “narracione” për  romane apo projeksione filmike por, janë shumë më tepër se kaq. Në kontest, shtrohet pyetja: A  jemi sot më të varfër se dje në raport me “produktet” e paqes, apo jemi më të pasur…?

Në mileniumin e ri, nuk ka një “betejë” që buron nga bota e të ftohtit, dhe nuk ka as “një këpucë” hrushoviane që e dridh selinë e OKB-së. Me një fjalë, nuk ka një qendër të madhe (adresë) të lokalizuar kundrejt së cilës, ne mund t’i drejtojmë mburojat tona për t’u mbrojtur. Nuk ka po ashtu, as edhe një lëvizje të tmerrshme të lançuesve bërthamorë si në rastin e Kubës (1962). Në fakt, nga burojnë gjithë sfidat që e kërcënojnë paqen globale ?

Prosperiteti ofensivë në përmasa botërore i zhvillimit material, faktikisht ka arritur një shkallë tejet të lartë. Dhe kjo është një gjë e mirë, cilësore! Megjithatë, bota nuk mund të jetë në pakufi imune ndaj disa kërcënimeve që e trazojnë seriozisht koekzistencën e saj. Disa fenomene që tashmë  kanë ndodhur, janë shfaqur si të frikshme: fenomeni “Bin Laden”, “ISSI”, “Hakerimi kibernetik”, “Letrat-bombë”, “Fundamentalizmi islamik”, “Incidentet individuale me armë” etj. Herë pas here janë shfaqur edhe kërcënime luftënxitëse me objektiva bërthamorë (Koreja e Veriut), veprimet e dhunshme gjenocidale (lufta civile në Siri), ndërhyrjet ushtarake (rasti i Krimesë, i Ukrainës etj.). Ndërsa, janë rritur edhe krizat ekonomike, çështjet e ambientalizmit, problemet e migrimit, të korrupsionit, të trafikimit me qenie njerëzore etj.

Kësisoj, batica e “detit” e përbërë nga fenomene negative, e rrezikon paqen globale. Prandaj, si t’i sfidojmë këto bëma…?

Kundrejt fenomeneve të frikshme, arritjet e derisotshme njerëzore nuk na bëjnë të jemi krenarë pafundësisht! Historia jonë globale, vuan lajthitjet dhe politikat agresive që vijnë nga dimensioni i së keqes.  Natyrisht, në këtë koment nuk kam për qëllim të fokusohem tek historia, mirëpo ajo mbetet edhe më tutje “mësuese e jetës” (sentencë latine). Rikthimi te baza e saj, herë pas here, nuk na bënë aspak dëm, përkundrazi. Pse? Mjafton t’i përmendim “dy luftërat botërore” të zhvilluara përgjatë shekullit  XX-të, dhe fundin tejet tragjik të tyre! Prandaj, duhet të jemi koshient për të kuptuar se e kaluara jonë njerëzore nuk është një narracion letrarë-fantastik ose një skenar filmi por, është një histori e kapitujve të vërtetë, të prekshëm, me një fjalë realë. Korpusi i saj, i ka sjellë shumë dëme paqes globale. Por, a i kemi marrë siç duhet,  dhe sa duhet në kontekstin pozitiv mësimet e historisë?

Në perspektiven globale, ka një prirje ose një diskurs të pa identifikueshëm për ta shtyrë botën sërish drejt gjendjeve me rreziqe potenciale. Kjo na detyron të gjykojmë nëse sot, ka më shumë aktorë të pakontrollueshëm se ç’kishte dikur, ta zëmë në kohën e ndarjes së botës në dy blloqe antagoniste (shek.. XX), dhe nëse sot, gjendja e përgjithshme globale prodhon më shumë prirje se sa dikur për të dalë jashtë kontrollit (Bzhezhinski). Ja një shembull i thjeshtë: Kur na shkon mendja te stoqet e armëve bërthamore dhe të atyre biologjike – kimike, dhe menjëherë pas kësaj te mundësia që një president i marrë i cilit do shtet ose një lider i çmendur si Bin Ladeni ose  Al Bagdadi të disponojë me këto armë, kjo me të vërtetë na shkakton shqetësim të thellë, madje dramatik!

Në kontekst, duhet bërë më shumë. Të gjithë ne, të gjallët, duhet të mendojmë dhe të veprojmë më shumë në shërbim të ko ekzistencë dhe të paqes globale. Individët, shoqëritë e ndryshme, organizatat,  presidentët, shkrimtarët, korporatat ekonomike, prijësit fetarë, shtetet, organizatat supranacionale etj., duhet t’i rrisnin më shumë përpjekjet, iniciativat, kapacitetet e  aktiviteteve dhe të bashkëpunimit për t’i sfiduar me kujdes dhe me forcë rreziqet (po të jetë nevoja), për t’i dhënë sa më shumë prioritet mirëqenies, sigurisë dhe eventeve të tjera që e humanizojnë trupin dhe shpirtin e njeriut (E.Fromi).

Mbrojtja dhe avancimi i paqes në përmasa globale, është prioritet mbi prioritetet. Ndoshta paqja, është i vetmi koncept teorik dhe praktik që justifikon çdo mjet, çdo sakrificë në ndërtimin jetik të saj. Në kontekst, shënimi i 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore nga Forumi i Parisit për Paqe nën patronatin e presidentit Emmanuel Macron, më 11 nëntor,  është një gjest i çmuar i kujdesit për paqen globale. Në këtë ceremoni, organizatori ka ftuar rreth 100 personalitete të larta botërore, si presidentin Trump, Putin, kancelaren Angela Merkel etj. Mbase, ky është një rast fantastik që të rriten kapacitetet e bashkëpunimit dhe të ko ekzistencë globale. Paqja, s’ka alternativë…

 

 

 

PËRGJIGJU