Për furrtarët që shtrenjtuan bukën

0

Ilmi Musliu

Vendimi i qeverisë së vendit për rritjen e takës për mallrat serbe, çuditërisht u pasua me një rritje të menjëhershme të çmimit të bukës. Furrtarët nuk u treguan të gatshëm të ndajnë barrën e kësaj mase me shtetin dhe bashkëqytetarët e vetë.

Furrtarët kanë harruar se ata ishin ndër të parët që pësuan nga forcat serbe, gjatë luftës në Kosovë. Që të mos përsëritet kurrë më ajo gjendje, të gjithë ne, tani duhet të sakrifikojmë pak nga vetja për forcimin e shtetit tonë.

Pa dashur të them diçka personale, po ri-sjellë këtu vetëm një konstatim të ekipit monitorues të OSBE-së në Kosovë, mbi ato që njerëzit e tij kishin parë e dëgjuar këtu.

“Natën ndërmjet 31 marsit dhe një prillit, Gjilani u bombardua nga Aleanca përsëri. Në mëngjesin tjetër, një banor i Gjilanit tregoi se dyqanet e shqiptarëve ishin plaçkitur dhe shkatërruar, ndërsa furrat ishin djegur…..Nga fundi i majit, ushqimet kishin mbaruar. Furrat e “shtetit” nuk ndanin bukë për shqiptarët. Shkoni te NATO-ja”, kërcënonin serbët….”

Ata që kanë jetuar në Kosovë, gjatë asaj kohe, kanë parë e dëgjuar më shumë e më keq se monitoruesit e OSBE-së, por edhe kanë përjetuar.

Nëse nuk duam të na përsëritet ajo kohë, atëherë duhet të solidarizohemi mes vete dhe t`i përkrahim vendimet e shtetit tonë.

PËRGJIGJU