Pa LDK-në nuk kryhet asnjë proces i rëndësishëm në Kosovë

0

 

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka vlerësuar se koalicioni qeverisës nuk ka arritur t’i realizojë pritjet e qytetarëve.

Ai ka thënë se partnerët e PAN-it kanë arritur vetëm ta ndajnë politikisht dhe etnikisht Kosovën dhe, sipas tij, ky është rreziku kryesor në vitin 2019.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Haziri ka deklaruar se opozitës nuk mund t’i atribuohet përgjegjësia për qeverisje.

Ai ka thënë se LDK-ja ka mbështetur proceset e rëndësishme, por nuk mund të bëhet patericë e PAN-it.

Haziri ka bërë me dije se pa LDK-në nuk do të kryhet asnjë proces i rëndësishëm në Kosovë.

“Epoka e re”: Z. Haziri, nga këndvështrimi juaj, si ishte ky vit për Kosovën, cilat kanë qenë ngecjet dhe të arriturat shtetërore?

Haziri: Nuk mund të flasim shumë për të arriturat në vitin 2018 meqë pritjet kanë qenë më të mëdha. Pritjet kanë qenë që këtë fundvit Kosova ta ketë rekomandimin me datë për liberalizimin e vizave, por kjo nuk është arritur. Dialogu me Serbinë është një prej proceseve më të rëndësishme që po kalon Kosova, mirëpo nuk është arritur uniteti për këtë proces. Përkundrazi, gjatë vitit 2018 Kosova është ndarë politikisht në parti që qeverisin dhe në parti të opozitës. Kjo nuk është shenjë e mirë. Nuk mund të flasim në raport pozitiv as për nivelin e zhvillimit ekonomik, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për gjendjen sociale dhe shkallën e papunësisë, si dhe për segmente të tjera që lënë për të dëshiruar. Partnerët e PAN-it kanë arritur vetëm që ta ndajnë politikisht dhe etnikisht Kosovën. Ky është rreziku kryesor në vitin 2019.

“Epoka e re”: Nuk mendoni se për këto dështime një pjesë të përgjegjësisë e ka edhe opozita dhe LDK-ja si partia më e madhe opozitare?

Haziri: Në asnjë mënyrë opozitës nuk mund t’i atribuohet përgjegjësia për qeverisje. LDK-së dhe opozitës mund t’i atribuohet roli se sa kanë qenë aktive në realizimin e kërkesave opozitare, në detyrimin dhe shtyrjen e proceseve përpara. E kemi dhënë votën tonë për demarkacionin, për liberalizimin e vizave kemi lobuar në Partitë Popullore Evropiane ku jemi anëtarë, kemi dhënë votën për ushtrinë e Kosovës si proces i cili krijon mundësi që FSK-ja brenda këtyre dhjetë vjetëve t’i ketë formacionet e plota me mandat dhe doktrinë të qartë. LDK-ja ka votuar të gjitha ligjet që janë pjesë e integrimeve evropiane si dhe të gjitha marrëveshjet financiare. Mirëpo, LDK-ja nuk mund të bëhet patericë e PAN-it. Duhet të harrohet ky raport.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej thirrjeve të faktorit ndërkombëtar, veçmas të ShBA-së, LDK-ja ka vendosur të qëndrojë anash procesit të dialogut Kosovë – Serbi. Nuk po i besoni garancisë së Amerikës apo po frikësoheni se, duke u bërë pjesë e dialogut, mund të humbni në elektorat?

Haziri: Pa LDK-në nuk kryhet asnjë proces i rëndësishëm në Kosovë. Pa LDK-në s’mund të kryhet dhe të dalë i suksesshëm as procesi i dialogut. Kemi raporte miqësore me Qeverinë e ShBA-së, pra LDK-ja ka marrëdhënie speciale me ShBA-në. Komunikimi ynë me Ambasadën Amerikane dhe përmes saj me nivelet e tjera qeveritare është jashtëzakonisht i mirë. E kemi bërë të qartë rolin tonë. LDK-ja është parti e dialogut. Thelbi dhe filozofia politike e LDK-së është zgjidhja e problemeve me dialog dhe me armët tona s’mund të na mposhtë askush. Partnerët ndërkombëtarë e dinë këtë mentalitet të LDK-së dhe ua kemi bërë të qartë se këto institucione qeverisëse nuk kanë legjitimitet për t’i mbyllur proceset e rënda  sikurse është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Nuk kanë legjitimitet qytetar. Ne nuk mund t’u dhurojmë vota, sepse ato ose fitohen ose arrihen me kompromise politike. LDK-ja i ka votat dhe legjitimitetin qytetar, por ata nuk po bëjnë asnjë përpjekje që të arrijnë kompromis me LDK-në. Ata do ta vazhdojnë avazin e tyre, mirëpo një ditë do të ndalen në rrugë.

“Epoka e re”: A prisni reflektim të koalicionit qeverisës në këtë drejtim në mënyrë që LDK-ja t’i bashkohet këtij procesi?

Haziri: Nuk pres prej PAN-it lëvizje të mençura politike. Kryetari i PAN-it këto ditë ka bërë përpjekje dhe ka improvizuar takime. Ata kanë zgjedhur të punojnë me PSD-në dhe jo me LDK-në e Vetëvendosjen. Sa do të jetë këmishë për trup është çështje e tyre, por këtë zgjedhje e kanë bërë për numra dhe jo për stabilitet politik. PSD-ja arnon këmishë që nuk i bën tamam akujt.

“Epoka e re”: Besoni se marrëveshja me Serbinë mund të finalizohet nga ky delegacion dhe do të jetë në favor të Kosovës. Pra, do ta votojë LDK-ja këtë marrëveshje?

Haziri: Nuk mund të përfundojë procesi i dialogut kështu siç ka filluar. Roli i LDK-së është kyç. Nuk mbështesim bllanko. Votat tona janë përgjegjësi qytetare, jo dhurata për Vitin e Ri. Nuk mund të besoj se edhe më tutje mentaliteti i tyre është që të arnojnë një marrëveshje dhe të mendojnë se LDK-ja në fund detyrohet prej faktorit ndërkombëtar ta votojë. Kjo nuk do të funksionojë. Ua kemi bërë me dije Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian, znj. Mogherini, ambasadorit amerikan dhe Partive Popullore Evropiane, se LDK-ja nga këndi i vdekur nuk mund të detyrohet të votojë asnjë lloj marrëveshje nëse ajo është në kundërshtim me interesat e Kosovës.

“Epoka e re”: Ka rrezik se marrëveshja do të jetë në kundërshtim me interesat e Kosovës?

Haziri: Fillimi i këtij procesi po shihet se është në kundërshtim me këto interesa. Marrëveshja do të jetë e kompromisit dhe kompromiset janë të dhimbshme. Nuk besoj se dikush ka me qenë i kënaqur me një marrëveshje e cila vështirë se do të dalë si rezultat i pajtimit të të dyja palëve. Veseli po shet mjegull kur po flet për marrëveshjen duke menduar se populli është i shekullit XVIII. Marrëveshja do të jetë kompromis i dhimbshëm për Kosovën. Marrëveshja do ta detyrojë Serbinë të zgjedhë në mes të Kosovës dhe Evropës. Se cila do të jetë zgjedhja e saj, do ta shohim. Zgjedhja e Serbisë në mes të Kosovës dhe Evropës nuk do të kalojë pa kompromise sepse ata duan të marrin më shumë territor dhe të drejta për serbët në Kosovë. Përfundimisht ka me qenë proces i vështirë të arrihet në pikën ku pajtohen edhe Kosova edhe Serbia. Procesi është i destinuar për të kaluar nëpër korridorin e ferrit politikisht.

“Epoka e re”: Me kompromise të dhimbshme nënkuptoni autonomi për veriun apo diçka tjetër?

Haziri: Meqë LDK-ja nuk është pjesë e ekipit, procesin e shohim ashtu siç jemi të informuar. Për aq sa jemi të informuar dhe sa kemi përvojë nga procesi i Vjenës dhe Rambujës temat do të jenë territori apo pranimi i kufirit të Kosovës nga Serbia si dhe të drejtat shtesë për komunitetin serb në veri. Dy shqetësimet të cilat LDK-ja i ka paraqitur prej ditës së parë. Kërthiza e krejt procesit është se si do të arrihet të akomodohet marrëveshje që u jep zgjidhje përfundimtare këtyre dy çështjeve dhe që është e kënaqshme për Serbinë dhe Kosovën.  Shpresojmë se Republika e Kosovës në vitin e ardhshëm do të jetë pak më e madhe se kjo që është sot, duke i pasur parasysh kërkesat dhe referendumin e shqiptarëve në Kosovën Lindore.

“Epoka e re”: Besoni se Thaçi dhe ekipi negociator do të mund ta bashkojnë Luginën e Preshevës me Kosovën?

Haziri: Ne do ta bashkojmë qysh do qoftë.  

“Epoka e re”: Z. Haziri, 2019-a do të jetë vit zgjedhor për LDK-në. Cilat janë pritjet e juaja për këtë proces dhe a do të kandidoni për kryetar të LDK-së?

Haziri: Kalendari zgjedhor do të bëhet me dije shumë shpejt nga Kryesia e LDK-së dhe kryetari i saj. Ky kalendar organizon zgjedhje në nëndegë, degë, forume dhe do të kulmojë në maj me mbajtjen e Kuvendit të Përgjithshëm të LDK-së dhe zgjedhjen e organeve të saj. Platforma zgjedhore që përmban kriteret zgjedhore dhe mënyrën e organizimit të procesit është miratuar nga Këshilli i Përgjithshëm dhe secili prej nesh fillon të përgatitet për një garë të ndershme, ku kualiteti do të vijë në shprehje, konkurrenca do të jetë më e garantuar, demokracia do të funksionojë dhe presim freskim të radhëve dhe strukturave të LDK-së.

“Epoka e re”: Nuk e mohoni mundësinë e kandidimit?

Haziri: Jo. Do t’i organizoj zgjedhjet sipas mandatit të nënkryetarit të LDK-së dhe do të jem i përfshirë në proces deri kur statuti i LDK-së lejon hapjen e garës së brendshme. Deri atëherë do të jem ky që jam, pa kurrfarë kërkese dhe kandidature. Në momentin që hapen kandidaturat, pas përfundimit të ciklit të zgjedhjeve në nivel të degëve, e bëj të qartë nominimin tim për mundësinë e kandidimit. Por, ju e dini se jam në favor të një marrëveshje, një marrëveshje politike në mes të autoriteteve dhe zërave më të fuqishëm në LDK, në mënyrë që ky proces të avancohet edhe më shumë. Sepse po shkojmë drejt zgjedhjes së kryetarit të katërt të LDK-së i cili do të jetë trashëgues i punës së Ibrahim Rugovës si president dhe themelues, i Fatmir  Sejdiut si president dhe bartës i kësaj partie, dhe i Isa Mustafës si kryeministër dhe kryetar i LDK-së. Kryetari i katërt do të përgatitet për ta rikthyer LDK-në në qeverisjen e vendit.

“Epoka e re”: Jeni ju ai dhe a prisni mbështetjen e strukturave të LDK-së meqë në opinion shihni si kandidati më potencial për të drejtuar këtë parti?

Haziri: Jam duke pritur dhe duke punuar për një marrëveshje politike. E favorizoj një marrëveshje politike jo në dëm të demokracisë, por një marrëveshje që LDK-së i jep forcën e unitetit dhe energjinë e plotë për të ardhur në krye të shtetit.

“Epoka e re”: Duke i pasur parasysh qëndrimet e ndryshme në LDK dhe konkurrencën e fortë, ka gjasa që Kuvendi të karakterizohet me pakënaqësi apo përçarje?

Haziri: Në asnjë mënyrë. Kuvendi i ardhshëm i LDK-së do të kalojë me manifestim politik dhe zgjedhor si dhe do të reflektojë unitet e vizion.

“Epoka e re”: Nëse arrihet marrëveshja të cilën po e synoni?

Haziri: Atëherë manifestimi do të bëhet edhe më madhështor.

Shqipe HETEMI

PËRGJIGJU