Kot ikni (vetmisë nuk i ikni dot)

0

 

Adem Nimani

Punëtori nuk rrëfehet kurrë, para askujt. Punëtori është atdhetar i radhëve të para. Punëtori është më hero se çdo hero. Punëtori është simbol i jetës dhe gëzimit. Çdo atdhetar nderon punëtorin. Të gjitha përrallat përfundojnë aty ku flet punëtori. Punëtorët injorohen nga parazitët edhe kur shtrohet sofra e bukës, që është përgatitur po nga punëtori. Çdo herë ka pasur pak punëtor e shumë parazitë. Në gjithë botën, një punëtor, me punën e vet, mesatarisht, ushqen dhjetë parazitë. Punëtori duke punuar çdo punë, iu nxjerr problem edhe parazitëve më të ndytë.

Po, punëtori nuk merret me llogaritje përqindjesh.

Gjyshi plak, personazh i kësaj letre, ishte punëtor që nuk e humbi këtë epitet deri në vdekje. Plaku kishte një cak, që nuk e huqi asnjëherë. E dinte se para punëtorit gjunjëzohet çdo tiran, sulltan apo perandor. Në fund, edhe ata e njohin vlerën dhe fuqinë e punëtorit.

Jo pak herë gjatë historisë njerëzore, tiranët dhe perandorët kanë liruar punëtorët nga shërbimi ushtarak. Çdo ushtri ka nevojë për furnizim, më aq shumë gjëra, sa që arma mbetet e fundit, krejt pa vlerë, kur sosët ushqimi. Punëtorët përbëjnë logjistikën e fitores për çdo ushtri. Po, për punëtorin nuk ka grada. Punëtorin nuk e nderon asnjë pushtet, as edhe me një mirënjohje letre. Gradat e punëtorit shihen në arë dhe në hambar, në lamë e në mullar, në mulli e në sofër, por edhe në gjëmë e në këngë. Të shkruash për punëtorin është lehtë.

Ai nuk hidhërohet kurrë. Mund të mos shkruani kurrë, apo mund të shkruani çka të iu teket për të, ndërsa ai nuk reagon për asnjë fjalë. Ai fjalën e parë e ka prodhim. Edhe po të doni nuk mund të shkruani për punëtorin sepse është tepër zor. Ai nuk ka kohë të merret me dokrrat e zyrtarëve, të cilët nuk kanë shtrënguar dorë punëtori asnjëherë.

Punëtori kupton vetëm atë që sheh si fryt të punës së tij. Ai nuk ka kohë as të gëzohet me të tjerët nëpër dreka e darka, që shtrohen me frytet e punës së tij. As pena më e mprehtë, nuk ia ka dal ta përshkruaj rrugën e rritës së një kokrre gruri a misri, derisa ajo të shtrohet bukë në sofër. Pa dorën e punëtorit nuk ka ushqim. Sa lloje ushqimi ka në botë, nuk është llogaritur asnjëherë. Edhe mjalti është prodhim i bletëve punëtore. Edhe për ato kujdeset bletari punëtor. Gjithçka që prekim, ngado që sillemi, edhe kur jemi zgjuar edhe kur biem të flemë, dora e punëtorit është aty.

A mund ta përshkruani rrugën e kafes deri në tavolinën tuaj? Përpiquni! Zor se mund të ndiqni, as me mend, sa kilometra ka kaluar ajo kokërr kafeje deri aty para jush. Nuk do të mund ta përshkruani zinxhirin e rritjes së asaj kokrre, që nga një lule deri në filxhanin tuaj në tryezë. Punëtori, punën e ka dhuratën më të çmuar. Shihni sot reklama kafeje nga të cilat përfitojnë më së shumti klanet kriminale. Ashtu ndodhë edhe me prodhimet tjera bujqësore. Të gjithë ata që marrin pjesë në zinxhirin e prodhimit të kafesë, fitojnë vetëm sa për të mbetur gjallë.

Punëtori e di kush e ka monopolin e fitimit, por ai punën dhe jetën e ka kënaqësi, që nuk e ndërron me asgjë. E thjeshtë është jeta e punëtorit , po aq sa edhe fryti i punës së tij. Për punëtorin rrëfen puna. Për te rrëfen drithi në arë. Përpiquni të numëroni gazetarët a shkrimtarët që kanë shkruar për punëtorin. Pak janë!

Punëtori nuk lëvdohet kurrë, sepse puna e tij flet vet. Punëtori i mirë nuk flet kot. Punëtori është mësues praktike. Punëtori ia mëson punën tjetrit falas. Nuk kërkon lek për mësimin që i jep. Punëtori është bamirës i madh. Punëtori han më pak ushqim se çdo kategori tjetër e njerëzve. Ai nuk i numëron punët që kryen. Dhjetë veta llogarisin sa fitojnë nga puna e një punëtori. Nëse ndodhë që punëtori mirë të merr një letër nderimi, aty mund të përfundoj prodhimi nga dora e tij. Aty, punëtori mund ta huq rrugën e tij të nderit , duke menduar se tash dikush tjetër duhet të punojë për te. Po pastaj, po ky punëtor i nderuar, fillon të dirigjojë të tjerët nga kolltuku. Që nga ky çast, humbë ndjenjën e punëtorit dhe kënaqësinë që ka ndjerë derisa ishte punëtor. Nuk ka punëtor të ngjashëm! Të gjithë janë të veçantë, por të gjithë, në një mënyrë a në një tjetër, punojnë për njerëzimin. Ata nuk ofrojnë fjalë në letër, por prodhim, të cilin e presin të gjithë.

Mund të merr guxim dikush të përshkruajë jetën e një punëtori, i cili kishte rritur shtatë fëmijë të shëndetshëm, dhe kalon pleqërinë në vetmi? Po kush mund të hynte nën lëkurën e tij të rrjepur njëqind herë nga puna. Dielli, shiu e bora, nuk ishin vështirësi, as pengesë për të. Njëqind herë iu ndërrua lëkura, si gjarprit. Edhe eshtrat iu kanë deformua nga puna e rëndë. Për jetën ia vlen të vdes, i thoshte vetit shumë herë. Fëmijët janë jetë. Derisa ikën të gjithë, një nga një, nuk besoi asnjëherë se kjo që po shikonte për dritë të diellit, është e vërtetë. Shkoi djali i madh, mbetën gjashtë, pastaj shkoi i dyti e mbetën pesë, edhe i treti shkoi, mbetën katër, dhe kështu, iku edhe fëmija i fundit me nipin e plakut në krah. Plaku torturonte vetën me kujtime pafund, mërzitej e përmallohej, por lot nuk derdhi asnjëherë.

Le të qajnë ata që duhet të qajnë, përse të qajë unë? Detyrën e njeriut e të prindit e kam bërë me nder. Ua kisha borxh t’i rrisja sa më mirë që mundem, dhe ia dola.

Plaku nuk e gjykoi vetën asnjëherë. Koha e kaluar nuk gjykohet o jaran, iu thotë të gjithëve shumë herë. Iu mbetet brezave të gjykojnë vetën dhe kohën e tyre. I rraskapitur, me dekada punë fizike mbi supet, nuk pushoi kurrë, derisa një ditë e pa se, këmbët po e tradhtonin. Më nuk i ndihmonin as kërrabat që i mbante pranë vetës edhe kur afër mbante lopatën në dorë. Edhe kur ishte shtrirë në shtrat, kërrabat i mbante afër. Ballafaqimin me jetën e kuptoi natyrshëm. Çdo pengesë, për plakun, ishte kundërshtar i gjallë, i cili duhej mposhtur. I mposhti të gjitha, por jo edhe vetminë. Ajo ia mori krahun. Kam zemër të fortë, thoshte ndonjëherë, edhe kur nuk dëshironte. Vdekjen do ta presë në këmbë, i thoshte veti. Vetmia ia sulmoi zemrën, mu pse ajo ishte kalitur në punë, në diell, në shi e në acar. Zemra përballoi për pak, edhe këtë çast. Që nga dita kur ia morën nipin nga djepi, ai humbi shpresën të cilën nuk ia kishte shuar asnjë pushtues.

Kujtonte çdo punë që ka bërë, dhe nuk doli fuqi që ia këput vullnetin, për jetë. Zemra e shtyn akoma andej kah arat. E tërhiqnin livadhet, kur vjen koha e kositjes.

I kujtohet punëtorit plak skamja e rëndë.! Thatësia e gjatë. Mungesa e ujit për njerëz e për kafshë. Ndërrimi i pushtuesve të huaj! Nuk e kaploi dëshpërimi asnjëherë. Oh, sa sprovat i përballoi !

– Ehë, sot …..? Çka, sot? Pse ikni more ? Po, edhe mbretëresha e Hinglizit hanë bukë, hanë domate, hanë patate, hanë vezë pulash. Hanë edhe mish qengji ajo!? Mish qengji ha edhe unë, more dai, thotë punëtori plak! Qengj të pjekur në hell, keni ngrënë edhe ju, ej ! E mbaj mend kur vinte vjeshta, në çdo vjeshtë, nxirrja në treg deri njëqind e pesëdhjetë qengja dhe merrja më shumë para sesa djali, që punonte me sharrë në krah në malet e Gjermanisë. Po, sa merr ky djali i dytë në Zvicër, që kujdeset për një fermë derrash? Merr ai, aq sa të shkojë në bastore dhe t’i humbë të gjitha për një natë. Lopët e veta nuk donte t’i shoh as në ahur, e lëre më t’i ruante në fushë. Po çfarë turpi është të rrisësh delet e qengjat tuaj? Po çfarë turpi është të mbani dy, tri e dhjetë lopë, sot kur keni një mijë mundësi, me njëmijë makineri.

Kurrë nuk e zuri dielli në shtrat punëtorin. Pa u tharë vesa, kositi livadhet. Me vesë, vilte fasulen. Me lagështinë e natës, korrte misrin.

Me mall e mburrje plaku përherë u kthehet kujtimeve të moçme.

Po, more dai, kemi dal në arë edhe pa pirë e pa ngrënë asgjë. Duke punuar, agu na zinte në arë e në livadh. Vetëm muzgu na nxirrte nga puna. Kur dielli lëshonte rrezet e para mbi kodrinë, në kishim mbaruar punën. E shihni nënën tuaj? Edhe në arë edhe në livadh, nuk na është ndarë kurrë. Edhe pa u kthyer plaku nga puna, ajo kthehej përpara në shtëpi, për të përgatitur ushqimin. Ishim pa shkollë! Nuk dinim shkronjat. Por, more dai, ne punonim e mendonim edhe për nesër. Ju, sa të shkolluar jeni sot, këto ara e livadhe do duhej t’i bënit kopsht me lule. I shkolluari, sot e ka edhe më lehtë të punojë. Sot, për çdo punë, në arë e në livadh, keni makina. Ato nuk mund t’i drejtojë plaku, sepse e ka lënë edhe fuqia. Ato makina do duhej t’i drejtonit ju, që u shkolluat. E kujtonte plaku të birin me traktor duke lëvruar në arë, duke kositur livadhin. Besa e kishte menduar edhe nipin aty me traktor, dhe ishte kënaqur duke ëndërruar kot. Livadhet i kemi kositur me kosë dore. Kemi lëvruar me kije e me kuaj. Dy herë kemi prashitur misrin çdo verë. Grurin e kemi korrë me drapër. Sot, kur aq shumë është lehtësuar puna, ju ikët!

Eh, sa herë ka punuar plaku për një kilogram misër, vetëm që fëmijët të kenë bukë edhe nesër. Sa gëzohej kur gjente punë krahu, qoftë edhe për një ditë.

Po, babëlok, kur ke një pëllëmbë are, të ikësh e të bëhesh lypsar diku në botë, kjo nuk ekziston në unin tim, jo. Ne, të moçmit, po mbesim vetëm, por edhe ju, nesër do të shihni mirë çka është vetmia.

PËRGJIGJU