Bie numri i të punësuarve, rritet ai i punëkërkuesve

0

 

Edhe në vitin 2018, punëkërkuesit kosovarë u ballafaquan me mungesë të vendeve të punës. Papunësia për vitin 2018 ka arritur shkallën prej 30.7 përqind, nga 1.2 milionë qytetarë në moshë pune, vetëm 347 mijë janë të punësuar.

Skemat sociale, mungesa e shkathtësive të punës, mungesa e investimeve dhe eksportit janë disa nga faktorët që ekspert të fushës së ekonomisë thonë se kanë ndikuar në rritjen e papunësisë në Kosovë.

Ndërkohë që numri i punëkërkuesve arrin deri në 100 mijë, bizneset private kanë nevojë të vazhdueshme për kuadro të profileve të caktuara por këta të fundit ballafaqohen me mungesë të kuadrove.

Kjo dukuri vë në pah hendekun që ekziston në mes të ofruesve të punës dhe atyre që janë të aftë për punë.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, thotë se problemi i papunësisë në vend është i kamotshëm. Sipas tij, shkalla e lartë e papunësisë e ka përcjellë vendin për një periudhë të gjatë, dhe për këtë shton se si ministri janë përkushtuar në zbutjen e papunësisë në vend.

Ai thotë se janë duke bashkëpunuar me Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë si dhe dikastere tjera që të orientojnë të rinjtë nga arsimi profesional.

Ai shprehet i bindur se vitin e ardhshëm, do të rritet edhe më shumë numri i atyre të cilët do të trajnohen për punë të përkohshme në Bashkimin Evropian. Të cilët, pas përfundimit të periudhës sa punojnë, të kthehen në vend.

Kurse kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, ka bërë të ditur se në krahasim më vitin e kaluar, në 2018-ën, Kosova pati mbi 15 mijë vende pune më pak, se në vitin 2017.

Sipas tij, kjo tregon se vendi nuk ka kaluar as në nivelin e vitit të kaluar të punësimit dhe ka një diferencë ekstreme me rajonin.

Në këtë pikë, Krasniqi thotë se janë të përkushtuar maksimalisht në përmirësimin e situatës që aktualisht po mbretëron, përmes arsimimit të kuadrove për tregun e punës.

Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi thotë se për shkak të skemave sociale, nuk po mund të ketë fokusim të mjeteve buxhetore tek sektori privat gjë që do të ndikonte në rritjen e eksportit dhe rrjedhimisht edhe në krijimin e vendeve të reja të punës.

Ai thotë se edhe kushtet e punës dhe informalitetit janë dy faktorë të tjerë që ndikojnë në shkallën e papunësisë.

KosovaPress ka tentuar të kontaktojë edhe Odën Amerikane të Kosovës, për të trajtuar problemin e papunësisë në vend, porse një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Ndryshe, sipas të dhënave të ASK-së, shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e tretë (TM3) 2018 ishte 29.1 përqind.

Punësimi më i lartë ishte tek meshkujt (45.6 përqind), ndërsa punësimi te femrat ishte 12.6 përqind. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 54.5 përqind të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 44.1 përqind.

Ndërsa sipas të dhënave që ASK pati publikuar në tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2017, Kosova kishte shkallën e papunësisë prej 28.7 përqind, shifër kjo që është tejkaluar për 2 përqind vetëm deri në tremujorin e tretë të këtij viti.

PËRGJIGJU